Të hënën do të mbahet në Bruksel një takim i Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s, ku do të diskutohet shkelja e hapësirës ajrore polake nga tre objekte që dyshohet se ishin dy raketa dhe një dron rus. 

Lajmi është raportuar nga Agjencia Polake e Shtypit, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka garantuar se Aleanca do të mbrojë territorin e Polonisë.

“Mund të garantoj se NATO do të mbrojë çdo centimetër të territorit polak”, deklaroi Rutte në Varshavë, një ditë pasi Polonia raportoi shkeljen e hapësirës së saj ajrore nga objektet ruse.

Sipas agjencisë, kreu i forcave të NATO-s në Evropë, gjenerali Alexus Grynkewich, do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të identifikuar çdo kërcënim ndaj aftësive mbrojtëse dhe parandaluese të Aleancës, si dhe do të zbatojë rregullimet e duhura nëse do të jetë e nevojshme.

Hyrjet e dronëve në hapësirën ajrore të vendeve në krahun lindor të NATO-s janë përsëritur gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë, duke shtuar tensionet me Aleancën dhe shqetësimet për përhapjen e konfliktit.

Incidenti i fundit ndodhi të premten, ndërsa Polonia po priste stërvitje ushtarake ku përfshihej edhe “Koalicioni i të Gatshmëve”, që bashkon aleatët e Ukrainës. Zyrtarët polakë e kanë cilësuar këtë përkim si jo të rastësishëm.

Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, deklaroi se vendi do të marrë mbështetje të fortë nga aleatët e NATO-s për forcimin e mbrojtjes në kufirin lindor.

“Në të ardhmen e afërt, do të marrim mbështetje të fortë nga aleatët tanë të NATO-s për të forcuar mbrojtjen e kufirit tonë lindor”, shkroi ai në platformën X, të shtunën, duke komentuar mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut.


Lajmi kryesor:

Lufta/ 2 viktima dhe 73 të plagosur nga sulmet e Moskës në Ukrainë, droni rus shkel hapësirën ajrore të Moldavisë