Mosmarrëveshjet mes drejtuesve rusë dëmtojnë operacionet ushtarake, ndoshta edhe kontrollin e Putinit

Mosmarrëveshjet mes drejtuesve rusë dëmtojnë operacionet ushtarake, ndoshta edhe kontrollin e Putinit

Yevgeny Prigozhin

Videoja e publikuar ishte tronditëse – jo vetëm për pamjet që tregonte, por edhe për fjalët që thuheshin aty. Yevgeny Prigozhin, milioneri që drejton firmën private ushtarake Wagner, qëndronte përpara trupave të gjakosur të mercenarëve të tij të vrarë në Ukrainë duke ofenduar drejtuesit ushtarakë rusë, dhe duke i fajësuar ata për humbjet.

“Erdhën këtu si vullnetarë dhe vdiqën për t’ju lënë juve të rehatoheni në zyrat tuaja të kuqe me mobilje druri”, bërtiste zoti Prigozhin. “Ju rrini në klubet tuaja të shtrenjta, fëmijët tuaj shijojnë një jetesë të mirë dhe nxjerrin filmime në YouTube. Ata që nuk na japin neve municione, do të shkojnë në ferr!”.

Ishte një panoramë trazuese për rusët e mësuar prej mbi dy dekadash me regjimin e kontrollit të rreptë të Presidentit Vladimir Putin, me shumë pak shenja mosmarrëveshjesh të brendshme mes drejtuesve të tij kryesorë. Videoja e muajit maj e zotit Prigozhin dhe sulmet e tij ndaj drejtuesve ushtarakë janë pritur në heshtje nga Presidenti Putin dhe udhëheqësit kryesorë. Disa e shohin mosndërhyrjen e tij për të shuar mosmarrëveshjet e brendshme si një shenjë për ndryshime të mundshme në skenën politike ruse, të cilat do të përgatisin terrenin për beteja të mëtejshme brenda radhëve.

Mosmarrëveshjes së Prigozhin me ushtarakët nuk i është kushtuar vëmendje nga televizioni shtetëror, nga ku informohen shumica e rusëve, megjithëse ato u ndoqën nga afër nga lexuesit ultra-patriotikë dhe aktivë të jetës politike, si dhe në rrjetet e mediave sociale, ku ekziston një ndjesi e njëjtë mosvlerësimi për drejtuesit ushtarakë. Megjithëse nuk ka ndonjë tregues se Putin po humb kontrollin, “ka shenja në rritje të keqfunksionimit të thellë, ankthit, shqetësimit për luftën dhe problemet e vërteta në mbledhjen e burimeve të nevojshme për të luftuar me efektshmëri”, tha Nigel Gould-Davies, studiues për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Ndërkombëtar për Studimet Strategjike.

Mosmarrëveshja e Prigozhin me drejtuesit ushtarakë ka filluar prej vitesh dhe u shfaq haptazi gjatë luftimeve për qytetin Bakhmut në lindje të Ukrainës, ku mercenarët e tij patën rol kryesor. Kjo e ka zhvendosur pronarin 62-vjeçar të kompanisë Wagner, i mbiquajtur “kuzhinieri i Putinit” për shkak të kontratave fitimprurëse për shërbimet ushqimore për Kremlinin, në vijën e parë të politikës ruse dhe ka sinjalizuar për ambicien e tij në rritje. Ai kritikoi ashpër Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e shtabit Gjeneralin Valery Gerasimov, si të dobët dhe të paaftë, me deklarata tallëse dhe gjuhë vulgare. Ai madje aludoi se ushtria kishte vendosur mina përgjatë trajektores nga ku do të kalonin luftëtarët e tij dhe se hapi zjarr ndaj tyre.

Ndërsa kundërofensiva ukrainase ka hyrë tashmë në fazat e saj fillestare, zoti Prigozhin ka akuzuar drejtuesit ushtarakë se kanë ulur rëndësinë e rrezikut që ajo paraqet dhe paralajmëroi se vija mbrojtëse ruse mund të mos mbajë dot më gjatë. Ai madje tha se i ka kërkuar agjencisë kryesore hetimore të vendit që të hapë hetime ndaj ministrit Shoigu dhe gjeneralit Gerasimov, duke kërkuar që të akuzohen për vdekjet e dhjetëra mijëra rusëve dhe për dorëzimin e territoreve që ishin marrë. Me komentet e tij të papërpunuara dhe therëse, Prigozhin bëri diçka që vetëm zoti Putin e ka bërë më parë: Ndër vite, udhëheqësi rus ka dalë me raste nga norma me komentet apo shakatë e tij, ndërkohë që zyrtarët e lartë përdornin gjuhë të kujdesshme.

Në një tjetër video të mëvonshme, zoti Prigozhin bëri një deklaratë që disa e interpretuan si një sulm indirekt ndaj vetë zotit Putin. Ai tha se ndërsa mercenarët e tij po vdisnin për shkak të mosfurnizimit me municione nga Ministra e Mbrojtjes, “një gjysh i lumtur mendon se po shkon shumë mirë”, dhe në vazhdim përdori një term ofendues për “gjyshin” në fjalë. Komenti i fortë shkaktoi një revoltim në mediat sociale, ku u perceptua gjerësisht si një sulm ndaj Presidentit Putin. Prigozhin sqaroi më vonë se e kishte fjalën për gjeneralin Gerasimov.

“Prigozhin i është afruar më pranë rrezikut se ndonjëherë më parë”, tha Gould-Davies.

Sergei Markov, një komentues pro-Kremlinit, e përshkroi zotin Prigozhin si “personin e dytë më popullor pas Putinit” dhe si “një simbol i fitoreve të ushtrisë ruse për miliona njerëz”. Presidentit Putin i nevojiten mercenarët e zotit Prigozhin në një kohë kur ushtria e rregullt ende po mëkëmbet nga humbjet e pësuara më parë gjatë sulmit. Pozitat e drejtuesit të kompanisë Wagner u forcuan pasi mercenarët e tij morën qytetin Bakhmut muajin e kaluar, me betejat më të gjata dhe më të përgjakshme të kësaj lufte, ku morën pjesë dhjetëra mijëra të burgosur të cilëve u ishte premtuar falja e dënimit nëse u mbijetonin gjashtë muajve në front.

“Putini dominon sistemin, por ai ende mbështetet tek një numër i vogël personash të rëndësishëm që zbatojnë vullnetin e tij, që i mundësojnë burimet për të zbatuar urdhërat e tij, përfshirë zhvillimin e luftimeve”, tha Gould-Davies.

Ndërsa Presidenti Putin mund t'i mbajë fraksionet e ndryshme të ndara dhe më pas të ndërhyjë për të "vendosur se kush fiton dhe kush humbet, kush është lart dhe kush poshtë", procesi dëmton autoritetin e qeverisë në kohë lufte, thotë analisti Gould-Davies.

“Kjo mund të jetë një mënyrë për ta mbajtur sistemin politik në këmbë, por sigurisht që nuk është mënyra për të fituar luftën, sepse nëse forcat ushtarake janë të ndara dhe nëse ato nuk luftojnë së bashku në mënyrë efektive, atëherë operacionet ushtarake do të çalojnë në përputhje me rrethanat dhe kjo është ajo që po ndodh tani”.

Mark Galeotti, ekspert për politikën dhe sigurinë ruse me bazë në Londër, vë në dukje se lufta e brendshme po vazhdon ndërsa ka filluar kundërofensiva e ndërmarrë nga Ukraina - "në një kohë kur të gjithë duhet të kishin një qëllim të vetëm të përbashkët". Në një regjistrim zanor podcast të kohëve të fundit, ai spekuloi se moszgjidhja nga Presidenti Putin i mosmarrëveshjeve politike mund të jetë për shkak të mungesës së interesit, fokusit në çështje të tjera, ose ngurrimit për të zgjedhur se cilën anë të mbështesë.

"Kjo gjithashtu ngre pikëpyetje për kapacitetin e tij të përgjithshëm për të bërë punën", tha zoti Galeotti. "Kjo është e vetmja punë që ai nuk mund t’ja kalojë dikujt tjetri dhe as që po përpiqet ta bëjë ".

Mungesa e përgjigjes nga udhëheqësit ushtarakë ndaj fyerjeve të oligarkut Prigozhin duket se tregon që ata nuk ishin të sigurt nëse Presidenti Putin ishte në anën e tyre. Guvernatori rajonal i Shën Petersburgut, Alexander Beglov ishte një tjetër shënjestër e Prigozhin pas konfliktit të tyre të gjatë të krijuar nga hezitimi i guvernatorit për të dhënë kontrata fitimprurëse për kompanitë e tij. Ashtu si udhëheqësit ushtarakë, guvernatori Beglov nuk është përgjigjur.

Prigozhin ka bërë aleancë me zyrtarë të tjerë agresivë, përfshirë guvernatorin e Tulës, Alexei Dyumin, një ish-truprojë i Presidentit Putin, që shihet nga shumë njerëz si një pasardhës i mundshëm. Kreu i grupit Wagner gjithashtu u tërhoq për ca kohë drejt Ramzan Kadyrovit, udhëheqësit rajonal të Çeçenisë që mbështetet nga Moska. Ndërsa denoncoi shumicën e udhëheqësve të lartë ushtarakë, zoti Prigozhin foli me nota të larta për gjeneralin Sergei Surovikin, i cili udhëhoqi forcat ruse në Ukrainë për disa muaj përpara se Putini të emëronte Gerasimovin për të mbikëqyrur operacionet.

Por disa nga ato aleanca kanë qenë të lëkundshme. Ndërsa Kadyrov fillimisht lavdëroi zotin Prigozhin dhe mbështeti disa nga kritikat e tij ndaj udhëheqësve ushtarakë, ai më vonë ndryshoi kursin dhe e kritikoi atë si disfatist. Njerëzit e afërt të zotit Kadyrov shkuan më tej, duke minimizuar përpjekjet e kompanisë Wagner në Bakhmut, pasi zoti Prigozhin bëri komente shpërfillëse për luftëtarët çeçenë në Ukrainë. Krahu i djathtë i zotit Kadyrov, Magomed Daudov, tha se Yevgeni Prigozhin do të ishte ekzekutuar për deklarata të tilla gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Prigozhin u tërhoq shpejt, duke thënë se ai po shprehte vetëm shqetësimin për operacionet ruse. Ai ka shmangur pyetjet në lidhje me ambiciet e tij, por në një lëvizje që pasqyronte dëshirën e tij për të fituar ndikim politik, ai bëri së fundmi një turne nëpër Rusi, duke vazhduar me një breshëri komentesh të bujshme.

"Ka shenja se ai po kërkon të ketë një të ardhme politike," vë në dukje analisti Gould-Davies.

Edhe pse Prigozhin ia detyron pozitën dhe pasurinë e tij Presidentit Putin, ai po luan rolin e një njeriut jashtë qarkut të politikës me kritikat e tij ndaj disa drejtuesve, dhe duke u përpjekur të tërheqë masat duke e vënë theksin tek problemet e hasura në Ukrainë, thotë Andrei Kolesnikov me organizatën “Carnegie Endowment”.

“Ai po paraqitet si armik i elitave, edhe pse është produkt i sistemit të Putinit, mishërim i regjimit të tij dhe kontratave shtetërore”, tha analisti Kolesnikov. “Prigozhini po luan rolin e një politikani të pavarur, duke ngritur imazhin e tij dhe duke testuar kufijtë e sistemit. Por kjo është e mundur vetëm teknikisht dhe fizikisht për aq kohë sa Putini e sheh atë të dobishëm dhe argëtohet me lëvizjet e tij”.

Në formë mbështetjeje për ushtrinë, Presidenti Putin përkrahu kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes që të gjitha kompanitë private të nënshkruajnë kontrata me të – diçka që Prigozhin ka refuzuar ta bëjë.

Prigozhin ka kërkuar luftë të gjithanshme me Ukrainën, përfshirë një mobilizim total mbarëkombëtar dhe vendosjen e ligjit ushtarak në Rusi – thirrje të mirëpritura nga disa ushtarakë. Por Kolesnikov vëren se shumica dërrmuese e rusëve, të cilët janë kryesisht apatikë ose nuk dëshirojnë të bëjnë sakrifica më të mëdha, mund të frikësohen dhe të tmerrohen nga ky mesazh.

Ai paralajmëron kundër mbivlerësimit të ndikimit dhe perspektivave politike të zotit Prigozhin, dhe nënvlerësimit të autoritetit të Presidentit Putin.

"Mjafton që komandanti i përgjithshëm të lëvizë gishtin për të zhdukur shefin e Wagner-it", thotë Andrei Kolesnikov me organizatën “Carnegie Endowment”./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë