TIRANE- Mosrealizimi i të ardhurave kë bërë që Këshilli i Ministrave të shkurtojë për të dytën herë brenda këtij viti shpenzimet për Ministritë. Përmes një Akti Normativ të miratuar më datë 11 dhjetor, Qeveria ka shkurtuar me rreth 20 milionë dollarë shpenzimet e institucioneve qendrore, duke i ulur nga 266.6 miliardë lekë, në 264,1 miliardë lekë. Tkurrjes së shpenzimeve nuk i ka shpëtuar as vetë Kryeministria, buxheti i së cilës është tkurrur me 100 milionë lekë, nga 715 milionë lekë, në 615 lekë.
 
Ministritë
Tkurrje më të dukshme ka pësuar buxheti i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, shpenzimet e së cilës nga 1.9 miliardë lekë, në 1.5 miliardë lekë, me një ulje prej thuajse 4 milionë dollarësh. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe shpenzimet e financave, të cilat tkurren me rreth 5 milionë dollar, duke shkuar nga  7,5 miliardë lekë  në 7 miliardë lekë. Me shkurtim të shpenzimeve prej afro 1 milionë dollarë deri në fund të këtij viti do të përballen edhe Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë,  Ministria e Punëve të Jashtme, ajo e Punëve të Brendëshme, ashtu si dhe institcione të tjera të administratës qendrore.
 
Investimet
Shkurtim të dukshëm të buxhetit prej thuajse 4 milionë dollarësh ka pësuar edhe Fondi i Zhvillimit Shqiptar, cili nga 7 miliardë lekë që ju lanë në gjysmën e vitit, do të ketë në dispozicion 6,6 miliardë lekë deri në fund të dhjetorit. Ministria e Financave argumenton se nga analiza e fundit e ecurisë së investimeve publike rezulton se ka një përthithje më të lartë në projektet e infrastrukturës.

Nisur nga kjo, do të financohen 2 miliardë lekë për të mos krijuar detyrime të reja për vitin 2015. Njëkohësisht, nga mosrealizimet e evidentuara do të financohen me vlerën prej 2.5 miliardë lekë projektet e investimeve për Fondin e Zhvillimit Rajonal, duke lehtësuar barrën e buxhetit për vitin 2016 në këtë zë.

Për disa projekte me financim të huaj do të korrigjohen planet e parashikuara për projekte me performancë më të lartë që financohen me kredi dhe grante. Ecuria e investimeve publike gjatë vitit 2015 ka qenë e ngadaltë, me gjithë monitorimin intensiv të Ministrisë së Financave, duke kërkuar ndërhyrje të herëpashershme nëpërmjet rialokimeve apo edhe akteve të tjera.
 
Akti Normativ
Ky është Akti i dytë Normativ që shkurton shpenzimet buxhetore për shkak të mosrealizimit të të ardhurave. Në Korrik të këtij viti, shpenzimet dhe të ardhurat e buxhetit të shtetit u shkurtuan me 16.2 miliardë lekë me synimin për të mbajtur deficitin të pandryshuar në 58.2 miliardë lekë për këtë vit. Shkurtimi ishte i barabartë me 3.9 për qind të të ardhurave dhe 3.4 për qind të shpenzimeve.
 
Deklarata, Ministria: U rialokuan 5,2 miliardë lekë investime
Ministria e Financave e ka argumentuar ndërhyrjen e dytë në buxhet me nevojën për të korrigjuar disa projekte investimesh kapitale. Sipas saj, analiza e zhvillimeve 11-mujore 2015, ka sjellë nevojën e reflektimit të disa  ndryshimeve dhe korrigjimeve në disa projekte të investimeve kapitale. “Ndryshimet në këtë Akt Normativ bazohen në treguesit e monitorimit të investimeve, ku është konstatuar fakti se në disa projekte me financim të brendshëm dhe financim të huaj ka pasur probleme me ecurinë e realizimit”, thekson Ministria në një deklaratë për shtyp.

Nëpërmjet Aktit Normativ, sipas saj, janë rialokuar rreth 5,2 miliardë lekë investime, që konsistojnë  kryesisht në ndryshime të planit të financimit të brendshëm dhe të huaj, midis programeve dhe institucioneve te ndryshme, korrigjime të planit të disa projekteve me financim të huaj, të cilat kanë performuar më shumë se parashikimet e bëra nga çdo ministri linje.

Në këtë kuadër, ndërhyrja propozohet në ato zëra, ku janë evidentuar mosrealizime në raport me planin e parashikuar. Njëkohësisht, propozohen edhe rialokime mes projekteve të investimeve me financim të brendshëm dhe me financim të huaj, drejt atyre me ecuri më të lartë.

te ardhurat

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)