Moszbardhja e vendimeve la në
burg dy të dënuar, 5 muaj në qeli 

Moszbardhja në kohë e vendimeve gjyqësore nga gjyqtarët, ka sjellë humbjen e të drejtës për të marrë drejtësi dhe humbjen e të drejtës për të kryer një kundërshtim në gjykatën më të lartë. Por ajo që sjell më shumë pasoja nga kjo vonesë është vijimi i qëndrimit në burg të personave të arrestuar,të cilët pa një vendim gjykatë, pra në mungesë të një vendimi të pazbardhur, qëndrojnë në qelitë e burgut, në një kohë kur vetë gjykata kishte urdhëruar lirimin e tyre. Një praktikë e tillë është bërë në dy raste, ku dy persona Petrit Deliu ka qëndruar në burg 5 muaj më tepër kjo për shkak se Gjykata e Lartë nuk kishte zbardhur vendimin. Një fat të tillë ka pasur dhe një i dënuar tjetër me inicialet Xh.Hoxha, i cili vijonte të qëndronte në qeli si pasojë e moszbardhjes së vendimit gjyqësor. Lidhur me vonesat në zbardhjet e vendimeve gjyqësore qëndra INFOÇIP me drejtues Gerti Shella, ka përpiluar një studim duke nxjerë dhe problemet konkrete. Ja 7 pyetjet që sqarojnë studimin e INFOÇIP.

Studimi i “INFOÇIP” cilën nga gjykatat nxjerr që mban rekordin në vonesat e zbardhjes së vendimve gjyqësore?
Studimi, ka etiketuar Gjykatën e Lartë si gjykatën që mban record në mosbardhjen në kohë të vendimeve gjyqësore. Shumë nga vendimet që jepen nga Gjykata e Lartë, kanë një tejzgjatje të kohës së zbardhjes së argumentuar të tyre. Ndërkohë që në studim thuhet se vendimet unifikuese janë ato që vonohen më tepër, ku periudha e zbardhjes së tyre shtrihet nga 86 ditë deri në 500 ditë.Në katër vite të marra për studim, rezulton se zbardhja e vendimeve unifikuese të marra gjatë këtyre viteve kam një shifër prej 7703 ditë ose e përkthyer në vite del se vendimet unifikuese të marra nga Gjykata e Lartë janë argumentuar në letër pas 21.1 vite nga dita e shpalljes së tyre nga Kolegjet e Bashkuara.

Kur ka qënë rasti më flagrant i mosbardhjes së një vendimi gjyqësor nga Gjykata e Lartë që ka sjellë vijimin e qëndrimit në burg të të liruarit?
Janë dy raste. I pari dhe më skandalozi është rasti i Petrit Deliut nga fshati Otllak i Beratit, i cili ka qëndruar në burg 5 muaj me radhë pa një vendim gjykate.Petrit Deliut 35 vjeç për 5 muaj me radhë i është hequr liria në qelitë e burgun të Kosovës. Shkak për këtë skandal ishte bërë moszbardhja në kohë e vendimit të Gjykatës së Lartë, pasi një gjyqtare e këtij institucioni ishte larguar në Itali për një seminar. Përtej vizitës turistike që gjyqtarja ka kryer në Itali, ajo çka ishte e paligjshme dhe e dhimbshme ishte se një qytetar i këtij shteti, për 146 ditë qëndronte padrejtësisht në qelitë e burgut të Kosovës që ndodhet në Lushnjë. Rasti u investigua nga gazetari Elton Qyno, ku pas një seri shkrimesh dhe një rekomandimi të Avokatit të Popullit, Gjykata e Lartë zbardhi vendimin dhe më pas u lirua Petrit Deliu, që në fakt duhet të kishte dalë 5 muaj më parë. Ndërkohë ka pasur dhe një rast tjetër në Shkodër, ku i dënuari Xh. Hoxha, ka qëndruar në qeli 75 ditë, kjo pasi gjyqtari nuk kishte zbardhur vendimin që i jepte atij lirinë. Në mungese të një vendimi gjyqësor Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Prokuroria nuk vendosnin lirimin e këtij personi.

Çfarë masash penale dhe administrative janë marrë nga KLD ndaj gjyqtarëve që nuk zbardhnin në kohë vendimet gjyqësore që ata japin vetë në sallat e gjyqeve?
Kryesisht KLD ka vepruar me masa administrative,si “vërejtje”, ulje në detyrë, transferim nga një gjykatë në tjetrën dhe pezullime për disa muaj ose javë. Por ka pasur dhe raste kur gjyqtarët janë shkarkuar.

Vitet e fundit ka ndonjë rast për shkarkimin e gjyqtarëve pasi nuk kishin zbardhur vendimin?
Po sigurisht që ka.Rasti më i fundit është ai i Neritan Tabakut gjyqtarit të rrethit të Durrësit.KLD e shkarkoi këtë gjyqtar pasi nuk kishte zbardhur vendimin e pafajësisë së Ilir Xhakjas, personit që ekzekutoi me armë kryekomisarin e Shijakut Adem Tahiraj. Mosbardhja e vendimit të pafajësisë ishte bërë pengesë edhe për prokurorinë e cila nuk kishte mundësi ta kundërshtonte atë.

Po vendime të tjera Neritan Tabaku ka lënë pa zbardhur?
Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë ushtroi kontroll shumë të hollësishëm në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës, nga ku rezultoi se vendimi mbi pafajësinë e Ilir Xhakjes nuk ishte i vetmi që gjyqtari Neritan Tabaku nuk kishte zbardhur. Në fakt, numri i vendimeve të pazbardhura ishte mbi 60 të tilla. Nisur nga ky veprim, që konsiderohet “Shpërdorim detyre”, Prokuroria e Përgjithshme ka iniciuar edhe një proçedim penal kundër ish-gjyqtarit Neritan Tabaku. Fillimin e hetimit e mundësoi Këshilli i Lartë i Drejtësisë që, para pak javësh, i hoqi imunitetin gjyqtarit. Por, pas përfundimit të kontrollit proçedurial, nga ku rezultoi se gjyqtari Neritan Tabaku kishte dëmtuar rëndë imazhin e trupës gjyqësore dhe të drejtësisë, ai u shkarkua nga detyra.

Veç Gjykatës së Lartë, kush nga gjykatat rradhitet pas saj në vonesat e zbardhjes së argumentuar të vendimeve gjyqësore?
Është Gjykata e Apelit Tiranë, e cila konsiderohet dhe një ndër gjykatat më të mëdha të shkallës së dytë në vend.

Cilat janë arsyer që nxjerin gjyatarët në rastet kur nuk kanë zbardhur vendimet e tyre?
Në shumicën e rasteve gjyqtarët shprehen se moszbardhja në kohë e vendimeve gjyqësore vjen si pasojë e lodhjes dhe mbingarkesës. Kjo sipas tyre i shkëpur dhe nga vëmëndja për të zbardhur vendimet, pasi nuk kanë kohën e mjaftueshme për të shkuar në gjyq, zbardhur vendimin e argumentuar.Sipas gjyqtarëve numri i madh i dosjeve që rregjistrohen dhe që nevojitet të gjykohen është i papërballueshëm.


Shkrimi u publikua sot (17.05.2015) në Shqiptarja.com versioni print

Redak
sia Online
(k.b/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion