Pasditja e 30 gushtit është shoqëruar me një mot të keq, ku stuhitë me shi të dendur, erëra të forta dhe breshër përfshinë kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkupin.
Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut pati përmbytje nëpër rrugë, nënkalime, hyrje të ndërtesave, shtëpive dhe oborreve duke shkaktuar dhe dëme të konsiderueshme materiale.
“Si pasojë e stuhisë që ka përfshirë zonën më të gjerë të Shkupit, e shoqëruar me erë të fortë dhe reshje të dendura shiu, në numrin e telefonit 112 kemi paraqitje për pemë të rëna, shkatërrim të çative, automjete të bllokuara, hapësira të përmbytura", njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza e Maqedonisë së Veriut.
Pas stuhisë, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, thirri mbledhje urgjente të Shtabit të Krizave të Qytetit të Shkupit.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza e Maqedonisë së Veriut njoftojnë se nga stuhia pasditen e sotme përveç Shkupit janë përfshirë edhe qytetet e Shtipi, Velesi, Demir Hisari dhe Sveti Nikolla. Drejtoria e Çështjeve Hidro-Meteorologjike e Maqedonisë së Veriut njoftoi se moti i paqëndrueshëm me reshje të rrëmbyeshme, vetëtima dhe erë të fortë do të vazhdojë deri të premten, veçanërisht në orët e pasdites
Komente











