Situata me reshjet në qarkun e Beratit po shkon drejt përmirësimit, për shkak të uljes së nivelit të lumit Osum që sot është në kuotat mesatare. Në bashkinë Berat ujërat janë tërhequr nga tokat bujqësore në fshatrat Veterrik e Starovë, problematike situata vijon të jetë në fshatin Çiflik dhe në lagjen "Dafinat", në bashkinë Dimal dhe Guri Bardh. Edhe pse ujërat kanë filluar të tërhiqen nga banesat në lagjen "Dafinat", mësimi në kopësht dhe në gjimnazin "Muhamerr Janina" është ndërprerë, për shkak të prezencës ende të ujit, baltës e llucës në të. Po kështu, oborret e shumë banesave në fshatin Çiflik në Dimal vijojnë të jenë nën pushtetin e ujit. Banorët shprehen se, dëmet që ju janë shkaktuar janë të mëdha dhe i bëjnë apel për ndihmë bashkisë Dimal.
Dëbora, që ka rënë gjatë natës në lartësitë mbi 600 metër, ka bllokuar akset rurale: Gjerbës–Çorovodë dhe Leshnjë-Dëvri, në Njësinë Administrative Leshnjë, ndërkohë që në segmentin Potom-Çorovodê qarkullohet vetëm me zinxhir. Në këto akse po vijon puna me fadroma dhe traktor për hapjen e rrugëve dhe hedhjen e kripës, për shmangien e akullit në rrugë.
Për shkak të erës së fortë shumë fshatra në qarkun e Beratit janë pa energji elektrike,pasi fiderat janë dëmtuar.
Në bashkinë Skrapar janë pa energji elektrike fshatrat: Potom,Çepan, Muzhenckë, Kakos, Kreshovë dhe Suropull,në Njësinë Administrative Potom dhe fshatrat: Zaloshnje, Kuc, Gjolenë, Zhabë dhe Rehovë në Njësinë Administrative Tomorricë.
Në bashkinë Dimal janë pa drita fshatrat: Osmënzezë,Velçan,Gajdë dhe Çinaret,në Njësinë Administrative Kutalli.
Lajmi kryesor:
Përmbytjet/ Tërhiqen lumenjtë, nisin vlerësimet në Durrës, 1453 shtëpi me dëme! Në fshatrat buzë Vjosës shtëpitë në baltë






