Greqia u përfshi nga moti i keq dhe stuhitë e forta me reshje të dendura të cilat kanë përfshirë shumë ishuj, duke shkaktuar probleme serioze. Parosi dhe Mykonos, dy nga destinacionet më të njohura të vendit, u gjendën të bllokuar në kaosin e lënë pas nga një stuhi e fortë.
Në Paros nga orët e para të pasdites qielli u errësua dhe shiu shumë shpejt i ktheu rrugët në përrenj të rrëmbyeshëm. Naoussa dhe Kolymbithres u krijua një situatë kaotike ku si pasojë e përmbytjes uji mori përpara makinat e parkuara.
Për orë të tëra, qarkullimi në rrugët kryesore ishte i pamundur, pasi përrenjtë u frynë, rrugët u ndanë në dysh dhe shkëmbinjtë u shkëputën nga shpatet, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë edhe aksesin e ekipeve të shpëtimit.
Qendra Operacionale e Zjarrfikëses është vërshuar nga thirrjet, ndërsa prania e forcave të Policisë Helenike, të Mbrojtjes Civile dhe Zjarrfikësve ka qenë intensive gjatë gjithë ditës, nën vigjilencë të vazhdueshme.
Një helikopter me drejtues të EMAK u dërgua në ishull, por ai nuk mundi të ulej për shkak të kushteve ekstreme të motit. Si pasojë e përmbytjeve masive u vendos mbyllja e të gjitha njësive shkollore në ishull për ditën e martë.
Edhe në Mykonos breshëri dhe shiu futën në kolaps ishullin, duke shkaktuar imazhe të ngjashme kaosi.
Përrenjtë e vrullshëm 'rrëmbyen' makinat, të cilat ishin bllokuar në rrugicat e ngushta të ishullit. Në disa vende niveli i ujit ka kaluar një metër, duke i kthyer rrugët në lumenj dhe duke bërë të pamundur kalimin e mjeteve dhe këmbësorëve, raportojnë mediat.
Dhjetra banorë u detyruan të mbeten të bllokuar në shtëpitë e tyre, në pamundësi për t'u larguar, ndërsa autoritetet morën thirrje të vazhdueshme për ndihmë.
Komente

