Qarku i Korçës është përballur me problematika të mëdha si pasojë e reshjeve. Për shkak të reshjeve intensive, lumi i fshatit Rrëmenj në Pogradec ka dalë nga shtrati duke pushtuar rrugët e banesat. Pamje apokaliptike paraqitet në zonën e Dardhasit, po në Pogradec. Rrëshqitja e dherave e bëri të pakalueshme rrugën e fshatit e cila ka pësuar çarje. Rrëshqitje që nuk ka kursyer as varrezat e fshatit, poshtë rrugës.

Prezencë të madhe uji edhe në Progër, ku hyrja e fshatit i ngjan një rezervuari. Mbrojtja civile ka njoftuar se prezencë uji ka edhe në afërsi të banesave në fshatrat Çiflig Shamoll dhe Denas të qarkut Korçë. Argjinatura është çarë edhe në përroin e Oshticës ndërsa prurjet e Lumi Dunavec janë po ashtu të konsiderueshme.

Vetëm fati e ka shpëtuar drejtuesin e një mjeti nga pasojat fatale teksa po kalonte në aksin Qukës-Qafë Plloçë, rruga që i ka kushtuar miliona euro buxhetit të shtetit por që sërish ka pasur rrëshqitje dherash e inertesh. Menjëherë sapo ka dalë nga tuneli, një masiv dheu ka rënë mbi automjet.

Reshjet e dendura të shiut të rëna në orët e fundit nxorën nga shtrati lumin e Vjosës, pranë Urës së Mifolit në Vlorë, duke shkaktuar përmbytje në tokat bujqësore dhe rrezik për banesat përreth.

Niveli arriti deri në 7.1 metra. Deri më tani, raportohet për rreth 40 hektarë tokë të përmbytur. 13 familje me shtëpi pranë shtratit të lumit u evakuuan, ndërsa 14 të tjera rrezikohen. Reshjet intensive shkaktuan rrëshqitje të dherave në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, duke çarë fillimisht rrugën dhe duke shkatërruar 2 banesa menjëherë poshtë rrugës.

Niveli në rritje i prurjeve në lumin Vjosë, shkaktoi probleme edhe në krahun tjetër të urës së Mifolit, në fshatrat e Fierit Çerven, Kashishtë e Ferras ku tokat bujqësore janë brenda argjinaturës përgjatë lumit. Reshjet me intensitet të lartë dhe të zgjatura në 3 orë pa mbarim gjatë mëngjesit nxorën nga shtrati edhe përroin Lunjë në Lushnje, duke përmbytur disa toka të mbjella dhe serat në Karbunarë, por situata sipas autoriteteve është nën kontroll, pasi hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë.

GJIROKASTËR

Aksi nacional Gjirokastër- Kakavijë është i bllokuar në zonën e Kordhoçes, përballë fshatit Lazarat. Ne vendngjarje janë punonjësit e firmës mirëmbajtëse të cilët po punojnë për hapjen e rrugës. Gjithashtu ka bllokim te rrugës Gjirokastër-Valare në vendin e quajtur Ura e Aznakut.

ELBASAN

Në bashkinë Elbasan janë përmbytur 5 banesa në zonën e uzinës 12 te ish-Kombinatit Metalurgjik si pasojë e bllokimit të kanalit kullues. Raportohet edhe për disa shtëpi të përmbytura në Belsh.

SHKODËR

Aktualisht zona në Obot është e aksesueshme vetëm nëpërmjet automjeteve të kalueshmërisë së lartë. 

Uji në Obot ka vërshuar në rrugë duke përmbytur sipërfaqe toksh bujqësore gjithashtu dhe banesa.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:18
Vlorë/ Lumi Vjosa arrin 9 metra mbi nivelin e detit, situatë e rrezikshme në Mifol

 

Për shkak të reshjeve të shiut, të cilat vijojnë ende ndonëse jo me intensitetin e orëve të ditës, lumi Vjosa ka arritur nivelin e 9 metrave mbi nivelin e detit, duke rrezikuar seriozisht përmbytjen e fshatit Mifol.

Ora 21:48
Përmbytjet/Ministrja Koçiu në Durrës: Institucionet në gadishmëri të plotë, hidrovorët funksionalë për menaxhimin e situatës

 

Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, nga Durrësi, theksoi se të gjitha strukturat janë në gadishmëri të plotë për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e dendura të orëve të fundit. 

Gjatë inspektimit në hidrovorin e ri të bashkisë së Durrësit, ajo nënvizoi se funksionimi paralel i dy hidrovorëve, atij të ri dhe atij ekzistues, ka qenë vendimtar për të shmangur një situatë të agravuar në qytet.

“Reshjet kanë sjellë një situatë shqetësuese, por të gjitha institucionet janë në terren dhe në gatishmëri të plotë. 12 orët e ardhshme mbeten kritike dhe fokusi ynë është menaxhimi i situatës dhe garantimi i sigurisë së qytetarëve. Më pas do të vijojë procesi i vlerësimit të dëmeve, i cili ka nisur tashmë në disa zona,” u shpreh ministrja Koçiu, duke apeluar që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, konfirmoi se infrastruktura kritike po funksionon pa ndërprerje. Ajo bëri të ditur se hidrovori i ri, i ndërtuar me fondet e qeverisë, ka qenë në punë të plotë prej rreth 48 orësh, me të gjitha pompat aktive, ndërsa edhe hidrovori i vjetër është funksional me 6 pompa dhe kapacitete rezervë për furnizimin me energji elektrike.

“Pa funksionimin e këtyre objekteve do të ishte e pamundur menaxhimi i situatës. Ato monitorohen 24 orë nga stafet teknike dhe kanë një rëndësi jetike për qytetin në raste emergjencash,” theksoi Kryetarja Sako.

Autoritetet konfirmojnë se monitorimi vijon pa ndërprerje dhe se të gjitha strukturat e emergjencave janë në gatishmëri për të reaguar ndaj çdo zhvillimi të mëtejshëm të situatës.

Ora 20:27
Përmbytjet në Durrës/ FA ndërhyjnë për largimin e ujit nga banesat në zonën e ish-Kënetës, në terren edhe ministri Vengu

 

Në Durrës, në zonën e njohur si ish-Këneta, efektivët dhe mjetet e Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura vijojnë punën në terren për largimin e ujit nga banesat e përmbytura si pasojë e reshjeve të shiut gjatë dy ditëve të fundit. 

Ndërkohë, në terren ndodhet edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu për të parë nga afër situatën.

Ora 19:59
Vjosa në nivel kritik, Mersini: Situata pritet të përmirësohet në 12 orët e ardhshme

Situata në lumin Vjosë paraqitet kritike, pasi niveli i ujit ka arritur në 8.6 metra, duke sjellë evakuimin e 13 familjeve në zonat e rrezikuara të qarkut Vlorë. Autoritetet vendore dhe strukturat e policisë janë në terren dhe po monitorojnë nga afër zhvillimet.

Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, deklaroi se prurjet janë në pikën më të lartë dhe se orët në vijim do të jenë vendimtare.

“Situata aktualisht është në pikë kritike sepse prurjet janë në nivelin 8.6 metra. Në orët në vazhdim presim një ulje të sasisë së ujit, duke qenë se pjesa e jugut që sjell këto prurje është stabilizuar dhe kjo do të pasqyrohet në harkun kohor të 12 orëve”, tha Mersini.

Ajo shtoi se janë identifikuar edhe familje të tjera në zonë rreziku, të cilat mund të evakuohen nëse niveli i ujit rritet më tej.

“Në një zonë risku kemi 6 familje që, në rast se do të kalohet kjo pikë prej 8.6 metrash, do të evakuohen. Deri më tani janë 13 familje që kanë qenë të gatshme të largohen nga zona e rrezikuar”, u shpreh kryebashkiakja.

Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Elidon Çela, tha se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme.

“Strukturat e policisë janë të gjitha në gatishmëri. Kemi vënë në dispozicion të gjitha mjetet me kalueshmëri të lartë dhe, në rast nevoje për evakuim, policia dhe emergjencat civile do të ndërhyjnë kudo të jetë nevoja”, deklaroi Çela.

Sipas autoriteteve, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa shpresohet që ulja e prurjeve nga zona e Memaliajt të sjellë përmirësim gradual të gjendjes në 12 orët e ardhshme.

Ora 19:19
Reshjet e shiut në Qarkun Fier/ Punime në argjinaturën e Çervenit nga rritja e nivelit të Vjosës, në terren kryebashkiaku Subashi

 

Emergjencat Civile të Bashkisë Fier, së bashku me kryebashkiakun Armando Subashi janë duke monitoruar në terren situatën e krijuar nga reshjet.

Ata janë përqëndruar përgjatë argjinaturës së Çervenit ku dy fadroma dhe mjete të tonazhit të rëndë janë duke punuar për riparimin e disa segmenteve të rrezikuara nga dalja e lumit Vjosë.

Reshjet tashmë po bien me intensitet të lartë duke e bërë situatën alarmante.

Ora 18:15
Rrezik përmbytjesh në Tiranë, Lana gati të dalë nga shtrati (VIDEO)

Reshjet intensive të shiut kanë përfshirë edhe kryeqytetin gjatë orëve të fundit, duke sjellë rritje të ndjeshme të prurjeve në lumin Lana. 

Zona pranë Pallatit me Shigjeta cilësohet si më problematikja dhe më e ndjeshmja, ku rreziku që Lana të dalë nga shtrati është më i lartë. 

Kjo zonë është përmbytur edhe në episode të mëparshme të reshjeve në kryeqytet. 

Sidoqoftë megjithë rritjen e nivelit të ujit, në Tiranë deri tani nuk janë regjistruar përmbytje, dëme materiale apo bllokime të qarkullimit rrugor.

Situata në kryeqytet vlerësohet më e qetë krahasuar me zona të tjera të vendit, ndërsa reshjet pritet të vijojnë edhe në orët në vijim.

Ora 17:48
Mbledhja e Komitetit të Emergjencave në Durrës, Vengu: Kthimi i banorëve në banesa prioritet, hidrovorët në punë! S’ka kaluar rreziku në Nënshkodër

 

Në përfundim të mbledhjes së Komitetit të Emergjencave Civile në Durrës, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha se kthimi i banorëve që janë evakuuar në banesa është prioritet.

Vengu theksoi se nuk ka agravim të situatës në Durrës, por ka ende prezencë uji në oborre, ndërsa të gjithë hidrovorët janë në punë.

Po ashtu, Vengu tha se nuk ka kaluar rreziku në zonën e Nënshkodrës, ndërsa grupet e punës do të vijojnë që të jenë në terren. 

‘Kemi krijuar një grup edhe me ekspertë të ujësellës edhe me ndihmë të bashkjoive të tjera dje dhe një grup forcash civile dhe ushtarake në 5 zona ku kemi ende prezencë uji në banesa. Prioriteti janë njerëzit dhe zonat e banura. Elementi i dytë ka të bëë me shbllokimin e kalanve të ujërave të larta. Hidrovovet janë në funksionim të plotë madje ne kemi aktivizuar edhe hidrovorin e vjetër. 5 skuadra do të shkojnë shtëpi më shtëpi në zonën e kënetës dhe do të jemi në terren që skuadra shkon aty ku është nevoja. Nuk ka kaluar rreziku në Nënshkodër, në Obot kemi përforcime sepse ka prezencë uji në zonat bujqësore, por jo në ato të banuara. Kemi shumë prurje në Vjosë që vjenë nga Greqia, kemi përforcime edhe në argjinatura. Është një natë shumë dinamike ', tha ai. 

Ora 17:04
Përmbytjet në Obot, Prefektja e Shkodrës në terren: Deri në 60 cm prania e ujit në rrugë! E pamundur lëvizja me mjete të vogla

 

Prefektja e Shkodrës Holta Duda, ndodhet në fshatin Obot ku situata vijon të jetë serioze për shkak të përmbytjeve masive nga reshjet e dendura të shiut.

Aktualisht zona në Obot është e aksesueshme vetëm nëpërmjet automjeteve të kalueshmërisë së lartë. Duda tregon se së bashku me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ndodhen në terren dhe në gadishmëri të plotë.

“Ndodhemi në Obot në pikën ku kemi pasur ujë të shtuar sidomos orët e fundit. Është vlerësuar deri në 60 cm prania e ujit në këtë rrugë që ka bërë të pamundur që mjetet e vogla të lëvizin lirisht. Ndodhemi në terren së bashku me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, është dislokuar një mjet i i kalueshmërisë së lartë dhe ndodhen dhe forcat e armatosura në dispozicion të banorëve”, tha prefektja.

Uji në Obot ka vërshuar në rrugë duke përmbytur sipërfaqe toksh bujqësore gjithashtu dhe banesa.

Ora 16:44
Moti i keq në Vlorë/ Rriten prurjet në Lumin Vjosa, niveli i ujit arrin në 8 metra (VIDEO)

Lumi Vjosa ka arritur në nivelin 8 metra. Shkak për këtë rritje të nivelit është bërë era që bllokon grykderdhjen, ndërkohë prurjet pritet që të vijojnë nga Gjirokastra dhe Përmeti.

Ora 16:43
Elbasan/ Përmbyten tokat bujqësore në fshatrat Jagodinë dhe Muriqan, uji rrethon banesat! Shkak mospastrimi i kanalit kullues

 

Ndërkohë që reshjet intensive të shiut vijojnë, është rënduar më tepër situata në fshatrat Jagodinë dhe Muriqan të Elbasanit për shkak të bllokimit të kanalit kullues.

Sipërfaqe të shumta kanë mbetur nën ujë, teksa uji ka depërtuar edhe në toka bujqësore. Ata shprehen se uji i ka rrethuar banesat, ndërkohë që disa prej tyre u ka hyrë në banesë. Nga ana e shtetit, deri më tani thonë se nuk kanë pasur asnjë ndihmë dhe shkak kryesor ka qenë bllokimi i kanalit kullues nga mungesa e pastrimit.

Report TV shkoi në një prej banesave të rrethuara nga uji që prej mëngjesit të sotëm, ku banonin dy persona. Zonja e shtëpisë, nga distanca, shprehet se nuk kanë ç’të bëjnë dhe janë të detyruar të presin që uji të largohet për të dalë nga banesa, pasi tani janë të izoluar.

Një tjetër banor i zonës shprehet se shkak është bërë kanali kullues, i cili nuk është pastruar, e jo shiu.

Ora 16:35
Reshjet e shiut në Fier/ Rriten prurjet e Lumit Gjanica! 160 ha tokë bujqësore nën ujë (VIDEO)

Lumi Gjanica ka rritur prurjet e saj si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të rëna gjatë ditëve të fundit në vend.

Ndërkohë, 160 ha tokë bujqësore janë nën ujë nga prurjet e Vjosës kryesisht në fshatrat Çerven, Kashisht dhe Ferras.

Ora 16:23
Moti i keq/ Reshje të dendura shiu sot dhe nesër në të gjithë vendin, në qarkun Kukës intensive, lumenjtë nën monitorim

Instituti i Gjeoshkencave bën me dije se sot pasdite dhe nesër priten reshje intensive në të gjithë vendin. Në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e përmbytura.

Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e enjte dt.08 Janar, do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Mat, Ishëm, Seman, Shkumbin. Rrezik të shtuar përpërmbytje në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme do të ketë lumi Vjosë, lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës.

Reshjet

Sot pasdite (e mërkurë, dt. 07) dhe nesër (e enjte, dt. 08) në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive, ndërsa në qarkun Kukës priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata. Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 500 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.

Temperatura

Nesër (e enjte, dt. 08) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 5 / 10 °C      

në vendet e ulëta: 0 / 9 °C     

në vendetmalore:  -5 / 4 °C        

Era

Sot pasdite (e mërkurë, dt. 07) dhenesër (e enjte, dt. 08) era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në zonat malore.

Ora 16:17
Moti i keq/ Ministri Salla ndjek nga afër situatën e përmbytjeve në Durrës

 

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ndodhen në terren, në Durrës, për të ndjekur nga afër menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit.

Salla tha se strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë në terren dhe në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive. Ai theksoi se bashkëpunimi me Emergjencat Civile dhe pushtetin vendor është i vazhdueshëm, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe funksionimin normal të infrastrukturës bujqësore.

Ministri bëri të ditur se hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë për thithjen e ujit në zonat ku është konstatuar prania e tij, ndërsa monitorimi i situatës po vijon në kohë reale. Sipas tij, prioritet mbetet menaxhimi i përmbytjeve në kushtet e reshjeve intensive që kanë prekur zonën.

Monitorimi i situatës do të vijojë edhe në orët dhe ditët në vijim, në varësi të kushteve të motit, ndërsa strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme.

Ora 16:11
Përmbytjet dëmtojnë rrjetin, ndërpritet furnizimi me ujë në Njësinë Administrative Fier

1767798748_WhatsAppImage20260107at14.49.53.jpeg

Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Fier njofton se si pasojë e prurjeve të shtuara të lumit Vjosë dhe rritjes së nivelit të ujërave nëntokësore si shkak i presioneve të krijuara, disa nga puset që furnizojnë Njësinë Administrative Fier janë prekur nga situata e krijuar.

Për këtë arsye do të ketë kufizime në furnizimin me ujë, nga ora 16:00 deri në një njoftim të dytë.

Ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë për normalizimin e situatës.

Ora 16:02
Përmbytjet në Gjirokastër/ Tritan Shehu: Pasojë e neglizhencës dhe e mungesës së investimeve, dëme të mëdha në biznese (VIDEO)

Deputeti i PD për Qarkun Gjirokastër Tritan Shehu ka akuzuar qeverinë shqiptare pasi në buxhetin e këtij viti i privoi Gjirokastrës amendamentin e propozuar në Parlamentin shqiptar te Fondit të Kontigjentës për Emergjenca Civile me vlerë 20 milionë eurosh.

Përmbytja e djeshme sipas zotit Shehu, është fatkeqësi e paralajmëruar.

‘Kjo që ka ndodhur në Gjirokastër është një fatkeqësi e paralajmëruar si pasojë e neglizhencës dhe e mungesës së plotë të investimeve. Ka ndodhur dëme të mëdha në Gjirokastër, në Memaliaj, në Dropull në zonat e Tepelenës që vijnë si pasojë e një neglizhence për këtë qark. Në lagjen ‘18 Shtatori’ kemi dëme të mëdha në biznese, edhe në Memaliaj ka dëme, në Droll janë shembur ujërat, tokat janë të përmbytura. 

'Ngjarjet e djeshme e të sotme, ripërsëritja e përmbytjeve me dimensione e dëme përherë e më të mëdha vërtetuan domosdoshmërinë e miratimit të atij amendamenti' shprehet Shehu teksa ka parë nga afër dëmet infrastrukturore të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm një ditë më parë në lagjet e sipërme të qytetit të Gjirokastrës.

Ora 15:57
Moti i keq në Qarkun Dibër/ Rëshqitje dherash dhe gurësh në aksin Burrel - Rrëshen, vështirësohet qarkullimi i mjeteve (VIDEO)

 

Aksi nacional Burrel - Rrëshen është vështirë të qarkullohet me çdo lloj mjeti për shkak të probleme të shumta. Veç amortizimit ndër vite të këtij aksi rrugor, reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar shembje të shkëmbinjëve dhe rrëshqitje të dherave në disa segmente.

Më problematike situata paraqitet pranë urës së Urakës ku një masiv shkëmbor ka rënë në mes të rrugës. Po ashtu, në këtë segment ka edhe shembje të skarpatës së rrugës duke e ngushtuar karrexhatën vetëm me një sens lëvizje.

Shirat e dy ditëve të fundit kanë krijuar probleme në rrugët e fshatrave ku ka patur shembje të tyre dhe bllokime si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Ekipet e pushtetit vendor janë në terren për të rikthyer në normalitet lëvizjen e banorëve drejt zonave urbane.

Ora 15:51
Moti i keq/ Mblidhet Shtabi i Emergjencave Vlorë, Mersini propozon largimin e banorëve që jetojnë pranë shtratit të lumit Vjosa: T'u jepen banesa sociale (VIDEO)

Është mbledhur sot shtabi i emergjencave Vlorë në ambientet e njësisë administrative Novoselë mbi situatën e krijuar pas reshjeve intensive dhe daljes nga shtrati të lumit Vjosë.

Prefektja e qarkut Vlorë, Evis Allushi, ka kërkuar një informacion të detajuar nga të gjitha strukturat dhe gatishmëri maksimale në menaxhimin e situatës së krijuar, ku prioritet mbeten banorët.

Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, ka bërë një pasqyrë të situatës në qytet pas reshjeve dhe ka kërkuar t’i jepet zgjidhje përfundimtare banesave pranë shtratit të lumit, duke i larguar dhe gjetjen e mundësive edhe mes banesave sociale për t’u vendosur.

Kreu i njësisë administrative Novoselë, Kanan Shakaj, ka kërkuar zgjidhje për situatën e gërryerjes së tokave në Mifol dhe argjinaturën në Bishan.

Ndërkohë, shefi i rendit, Shpëtim Hasanaj, iu referua edhe problematikës në qarkullim dhe masave të marra.

Nga institucionet është theksuar gatishmëria për çdo situatë dhe ardhjen në ndihmë të banorëve nëse krijohen situata më shqetësuese nga përmbytjet.

Ora 15:23
Çarje rrugësh e rrëshqitje dherash në Gjirokastër! 4 lagje të qytetit bllokohen nga moti i keq

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar shembjen e një pjese të kodrës në Gjirokastër, duke bllokuar rrugën që lidh katër lagje të sipërme të qytetit.

Si pasojë e rrëshqitjes së dherave, janë izoluar lagjet Manalat i Parë, Manalat i Dytë, Cfakë dhe Dunavat, ndërsa qarkullimi rrugor drejt këtyre zonave është vështirësuar.

Pamjet e siguruara nga Report TV tregojnë çarje masive të rrugëve dhe rrëshqitje të mëdha dheu në zonat e prekura, ku një pjesë e kodrës ka rënë duke zënë aksin rrugor.

Dëmet janë kryesisht infrastrukturore, ndërsa deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.

 

Ora 15:08
Moti i keq në Durrës/ Situata më problematike në Kënetë, 953 banesa dhe 100 ha tokë të përmbytura! 160 persona të evakuuar

Në të gjithë Rrethin e Durrësit janë evidentuar 953 banesa të cilat kanë prani uji brenda dhe nëpër oborret e tyre. Më konkretisht këto banesa gjenden në zonën e ish Kënetës, në lagjen 14 Shkozet, në Zonën e plazhit, në njësitë administrative Manëz dhe Rrashbull.

Janë 160 persona të strehuar në 2 shtëpitë e pushimit, në atë të Ministrisë së Rendit Publik si dhe në atë të Mbrojtjes. Aktualisht janë ngritur 15 grupe pune të cilët po merren me evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga shirat. Ndërkohë janë evidentuar gjithashtu edhe 337 biznese të cilat kanë prani uji në mjediset e tyre.

Gjithashtu nën ujë janë edhe sipërfaqe të tëra të tokave bujqësore në Njësitë administrative të Manzës, Sukthit dhe të Katundit të Ri. Janë mbi 100  ha tokë bujqësore nën ujë.

Shkaku i kësaj situate përpos sasisë së madhe të reshjeve të rëna për disa orë rresht pa ndalim, janë edhe mos funksionimi i mirë i rrjeteve kulluese të ujit siç janë tubacionet e kanalizimeve ashtu edhe kanalet e ujërave të bardha. Mosfunksionimi i tyre lidhet me mungesën e mirëmbajtjes dhe pastrimit të tyre në kohë të thatë ose ndryshe në muajt e ngrohtë të vitit. Për këtë shkak doli nga shtrati kanali i ujërave të bardha që shtrihet nga plazhi e përshkon Shkozetin.

Në ndihmë të banorëve të përmbytur po punojnë grupet e emergjencave civile, janë 100 forca me mjetet e tyre përkatëse të dislokuar në Durrës, janë forcat zjarrfikëse të bashkisë si dhe ato të portit detar, janë forcat dhe mjetet e UKD. Gjithashtu në mbështetje të tyre janë forcat e policisë së rendit si dhe trupa e policisë bashkiake.

Ora 15:02
Uji në banesa arrin nivelin 30 cm, banorët e Kënetës i bëjnë apel shtetit: Të vijnë të na shohin, jemi në mëshirë të fatit

 

Një grup banorësh të zonës së Kënetës kanë protestuar për të kërkuar vëmendjen e strukturave të shtetit, pasi banesat e tyre gjenden nën ujë.

Banorët thonë se kanalet janë të bllokuara dhe uji ka arritur nivelin e 30 centimetrave në oborret dhe banesat e tyre.

Banorët: “Uji nuk po tërhiqet të hiqet nga rrugicat dhe nga banesat, sepse dëmet janë shumë të mëdha.”

“Të vijnë të na shohin, sepse jemi në mëshirë të fatit.”

“Askush nuk ka ardhur nga grupet e verifikimit për të parë situatën.”

“Jemi të izoluar nga uji.”

“Nuk po na ndihmon askush.”

Ora 14:57
Shkodër/ Dëmtohet ura në Bleran, nis zëvendësimi me një të re! Rreth 600 banorë të izoluar

 

Ka nisur ndërhyrja emergjente për vendosjen e një ure të re hekuri në Bleran, pas dëmtimit të urës ekzistuese, i cili kishte lënë të izoluara dy lagje me rreth 600 banorë, duke shkaktuar vështirësi serioze në lëvizje dhe bllokim të aksesit drejt varrezave të fshatit.

Punimet po realizohen në kohë rekord falë bashkëpunimit institucional mes Bashkisë Shkodër, Ministrisë së Mbrojtjes, Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Prefekturës së Qarkut Shkodër, nën koordinimin e drejtorit të përgjithshëm të AKMC-së, Haki Çako. Ndërhyrja po kryhet nga Batalioni Xhenio i Forcave të Armatosura.

Në nisje të punimeve, në terren ishin kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda, drejtori i përgjithshëm i AKMC-së, Haki Çako, si dhe Arben Rira, komandant i mbikëqyrjes së urave, të cilët ndoqën nga afër ecurinë e punimeve.

Kryetari i Bashkisë theksoi se reagimi ka qenë i menjëhershëm për të mos lënë të izoluar komunitetin, duke nënvizuar se, pavarësisht reshjeve intensive dhe prurjeve maksimale të ditëve të fundit, situata në territorin e Bashkisë Shkodër është menaxhuar me përgjegjësi dhe në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet.

Autoritetet konfirmojnë se, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, situata në territor është mbajtur nën kontroll, ndërsa monitorimi do të vijojë deri në normalizimin e plotë.

Ora 14:55
Vlorë/ Prurjet në lumin Shushicë arrijnë në nivelin maksimal, disa toka bujqësore nën ujë

Prurjet në lumin Shushicë kanë arritur në nivel maksimal. Si pasojë e këtyre prurjeve, Shushica po merr para hektarë të tërë tokash bujqësore, pemë frutore, dhera, por edhe gurë.

Lumi Shushicë aktualisht mund të cilësohet kryesisht brenda shtratit të tij, por ka edhe shumë zona ku ka dalë jashtë shtratit, duke përmbytur toka bujqësore dhe kullota. Prurjet janë në rritje e sipër, çka rrezikon që, nëse vijojnë me të njëjtin intensitet, të ketë dalje të Shushicës nga shtrati.

Ndërkohë, vlen të theksohet se prurjet në nivele të larta në Shushicë ndikojnë edhe në lumin Vjosë, pasi Shushica derdhet në Vjosë dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në shtimin e sasisë së ujërave që përfundojnë në këtë lumë.

Në vijimësi, për shkak të prurjeve, rrezikohen edhe hektarë të tjerë tokash bujqësore. Rreziku për banesat mbetet ende i largët, por nuk përjashtohet mundësia e përmbytjes së tyre nëse prurjet shtohen me intensitet.

Të rrezikuara janë gjithashtu edhe disa stalla apo ambiente për bagëti, të cilat ndodhen pranë shtratit të lumit.

Ora 14:21
Moti i keq në Gjirokastër, punonjës të bashkisë dhe ushtria në terren për pastrimin e rrugëve nga inertet

 

Gjirokastra është përfshirë nga moti i keq, teksa reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar problematika.

Për pastrimin e rrugëve kryesore nga inertet, po kryhen punime intensive.

Punonjës të Bashkisë së Gjirokastrës dhe të Ushtrisë Shqiptare ndodhen aktualisht në terren.

Ora 13:59
‘Paralizohet’ qarkullimi në aksin Cërrik-Elbasan, shkak reshjet! Krijohet radhë kilometrike e automjeteve

Reshjet e shiut, por dhe fluksi i lartë i automjeteve vijon të mbajë të ‘paralizuar’ qarkullimin në aksin Cërrik-Elbasan. Prej më shumë se gjysmë orë makinat kanë krijuar një radhë kilometrike në këtë segment rrugor. Shërbimet e policisë ndodhen në terren për menaxhimin e trafikut të krijuar.

Ora 13:30
Lezhë/ Rreth 3100 hektarë tokë të përmbytura, banesat të rrethuara nga uji! Banorët: Baza ushqimore është shkatërruar, askush nuk vjen të marrë masa

Situata e krijuar nga moti i keq në Qarkun e Lezhës vijon të mbetet problematike, kryesisht në Bashkinë e Kurbinit. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 3100 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën “pushtetin” e ujit dhe shumë banesa janë të rrethuara në fshatrat e Njësisë Administrative të Mamurrasit.

Banorët thonë se prej 24 orësh janë të izoluar, duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme, kryesisht në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

“Problem i madh është neglizhenca e bashkisë. Populli i Kurbinit është në gjumë, nuk e hap njeri zërin e gojës. Nuk është përmbytje është puna e bashkisë së kanali është i bllokuar ka 6 vite.”

“Laçin e ka përmbytur bashkia e Kurbinit. Vetëm baltë e mbeturina. E kanë ngushtuar përroin, është ndërtuar me gjysmën e kapacitetit që mund të përballojë. Vetëm po të bëjnë investime të ri.”

Edhe në qytetin e Laçit, përmbytjet kanë lënë pas dëme të konsiderueshme si pasojë e vërshimit të ujërave. Banorët fajësojnë Bashkinë e Kurbinit për investime të dështuara dhe neglizhencë, duke sjellë këtë situatë mjaft problematike.

“Rruga është e bllokuar. Kafshët janë më problem. Shtëpitë deri më tani nuk janë përmbytur. Deri tek shkallët ka shkuar uji. Baza ushqimore është shkatërruar.”

“Të paktën vetëm të vijnë të na shohin ku jemi. E gjitha për një pakujdesi, për një brez betoni”.

Ndërkohë, me ndërprerjen e reshjeve të shiut, ka një rënie të nivelit të prurjeve në lumin Drin, çka ka ndikuar pozitivisht në evadimin e ujërave në lagjen Besëlidhja të qytetit të Lezhës. Situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm, pasi nga shkarkimet e HEC-it të Vaut të Dejës, niveli i ujit në lumin Gjadër vijon të mbetet i lartë, duke dalë mbi urën e Zojzit dhe duke sjellë probleme në zonën përreth.

Ora 13:29
Rrëshqitja e dherave në rrugë, zhbllokohet aksi nacional Gjirokastër-Tepelenë

Rrëshqitja e dherave si pasojë e reshjeve të dendura të shiut solli përreth një orë e gjysmë bllokimin e aksit rrugor Gjirokastër-Tepelenë në afërsi të kthesës për në fshatin Hormovë.

Report Tv solli edhe pamje nga radha e gjatë e mjeteve që u krijua në të dyja kahet e rrugës gjatë kësaj periudhe kohore.

Ora 13:15
Reshjet e dendura të shiut, në Lezhë përmbytet edhe stadiumi "Besëlidhja" (VIDEO)

Përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut në qytetin e Lezhës nuk i ka shpëtuar as stadiumi “Besëlidhja”.

Si pasojë e situatës së rënduar, fusha e lojës është mbuluar plotësisht nga uji, me një nivel që arrin në disa centimetra, duke e bërë stadiumin aktualisht jashtë funksioni.

Ora 13:01
Pogradec/ Reshjet e dendura shkaktojnë probleme në fshatin Rëmenj! Lumi del nga shtrati, rrezikohen banesat

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë juglindjen e vendit kanë shkaktuar probleme për banorët e fshatit Rëmenj, Pogradec.

Si pasojë e prurjeve të shumta të ujërave që zbresin nga mali mbi fshat, lumi ka dalë nga shtrati, duke rrezikuar disa banesa që ndodhen përgjatë tij. Situata ka krijuar shqetësim për banorët, ndërsa niveli i ujit mbetet i lartë.

Situatën e vështirë në Rrëmenj e evidenton edhe përgjegjësi i emergjencave civile në prefekturën e Korçës Leonidh Muço që thotë se reshjet kanë kapur vlerën e thuajse një të dhjetës së shirave vjetorë.

Ora 13:01
Moti i keq, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë: Pesë fluturime drejt Tiranës u devijuan në Brindisi dhe Bari

1767787519_rinas.JPG

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thotë se reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë vijuar edhe përgjatë mbrëmjes së djeshme në territorin e vendit.

Sipas një njoftimi, ministria bën me dije se për shkak të kushteve të këqija atmosferike, gjatë mbrëmjes, nga ora 01:30-03:30 kanë devijuar 5 fluturime që ishin nisur nga Bologna, Milano, Torino, Bari, Keln drejt Tiranës. Devijimet janë bërë në aeroportet e Brindisi dhe Barit.

Gjatë ditës së sotme operimet do të vijojnë normalisht. Ndërkaq ka pasur probleme me rënie gurësh dhe inertesh në disa akse.

Njoftimi i ministrisë

Raporti mbi situatën e krijuar në vend nga moti i keq

Reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë vijuar edhe përgjatë mbrëmjes së djeshme në territorin e vendit. Grupet e punës kanë qenë të pranishme në terren që në momentet e para të përkeqësimit të motit, duke ndërhyrë kudo ku janë raportuar problematika. Edhe përgjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme strukturat nën varësinë e MIE kanë qenë të angazhuara në të gjithë territorin duke punuar për normalizimin e situatës.

Akset rrugore

Akset që kanë pasur probleme me rënie gurësh dhe inertesh në trup të rrugës:

Rajoni Verior

•Bajram Curri-Valbonë

•Dushaj-Lekbibaj

•Sopot-Kërranjë

•Qafë Mali-Fierzë

•Ura e Fanit

•Rrëshen-Shpal

•Shpal-Fushë Arrëz

•Qafë Dushk-Sevaster

•Kukës-Shishtavec

•Shpal-K/Hadroj

•Kukës-Krumë

•Skuraj-Burrel

•Peshkopi-Vasije

•Ura Bujan-Qafë Morinë

Rajoni Qendror

•Pezë-Helmës

•Kryqëzimi i Mulletit

Rajoni Jugor

•Qukës-Qafë Plloçë

•Maliq-Lozhan

•Rrëshqitje në fshatin Vajzë

•Kosinë

•Vuno

•Berat-Ballaban

•Memaliaj-Tepelenë

•Përmet-Tre Urat

•Lekël-Këlcyrë

•Qarkullimi ka vijuar të gjitha akset janë të hapura.

•Kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje 24/7 për të bërë pastrimin e akseve rrugore.

Furnizimi me energji elektrike

•Aktualisht janë 17 fidera të stakuar për shkak të situatës nga moti i keq.

•Nënstacioni Kajan në Belsh është jashtë pune si pasojë e shkarkesave atmosferike, duke sjellë avari në pajisjet 10kV.

•Ka nisur puna për zëvendësimin e çelave dhe aseteve të dëmtuara.

Rrjeti i transmetimit

•Të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në operim normal.

•Të gjitha brigadat e linjave dhe nënstacioneve janë në gatishmëri.

Situata në kaskadën e drinit

Prurjet natyrore në kaskadë janë rreth:

•HEC Fierzë              2300 m3/s

•HEC Koman            1150 m3/s

•HEC Vau i Dejës     400 m3/s

•KESH vijon të monitorojë me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme situatën hidrike në kaskadë, duke garantuar menaxhim të sigurt dhe efikas të burimeve ujore.

Furnizmi me ujë

•Situata paraqitet e normalizuar dhe pa problematika në furnizimin me ujë të pijshëm.

•Në Rajonin e Lezhës situata është normalizuar. Furnizimi me ujë të pijshëm është normal dhe në qytet nuk ka prani të ujërave sipërfaqësore.

•Situata në Rajonin e Durrësit është drejt normalizimit. Zona e Kënetës dhe Nishtulla paraqet përmirësim.

•Në Rajonin e Kukësit burimet e furnizimi me ujë të pijshëm vazhdojnë të jenë të turbulluara.

Portet dhe aeroporti

Porti Durrës

•Vijon puna normalisht në të gjithë sektorët.

Porti Vlorë

•Trageti i linjës Vlore Brindisi ka mbërritur normalisht dhe është nisur në mbrëmje sipas parashikimit.

•Vazhdon të jetë e pezulluar lëvizja e mjeteve të vogla në Gjirin e Vlorës.

Porti Sarandë

•Situata paraqitet e qetë. Trageti i linjës me Korfuzin ka vijuar normalisht operimet.

Aeroporti “Nënë Tereza”

•Gjatë mbrëmjes, nga ora 01:30-03:30, për shkak të kushteve meteorologjike të ngarkuara kanë devijuar 5 fluturime (Bologna, Milano, Torino, Bari, Keln) për në Brindisi dhe Bari.

•Gjatë ditës së sotme operimet vijojnë normalisht.

Ora 12:19
Nis puna për hapjen e rrugës që lidh Kukësin me njësinë Zapod, Drejtori i Rrugëve Rurale: Do punojmë natë e ditë! Qytetarët: Këtu edhe helikopteri s’ka ku zbret

Rruga që lidh qytetin e Kukësit me fshatrat e njësisë administrative Zapod është dëmtuar rëndë si pasojë e reshjeve intensive dhe prurjeve të lumit Luma në Grykën e Vanave, duke e bërë atë të pakalueshme.

Në terren kanë zbritur edhe prefekti i qarkut Kukës, Dritan Baji, i cili më herët deklaroi se situata më problematike paraqitet në bashkitë Kukës dhe Has.

Ekipi i Emergjencave Civile dhe Rrugëve Rurale të Bashkisë Kukës, me mjete teknike, ka nisur punën për hapjen e rrugës, me qëllim lidhjen e fshatrave të Njësisë Administrative Zapod me rrugën nacionale Kukës–Shishtavec.

Burime për Report TV bëjnë me dije se ky aks është bllokuar si pasojë e rrëshqitjes së dherave dhe gurëve, të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut gjatë dy ditëve të fundit.

Drejtori i Rrugëve Rurale, Bilbil Shahu, duke folur për situatën e rrugëve në fshatrat e Bashkisë Kukës, theksoi se të gjitha kapacitetet teknike dhe njerëzore janë angazhuar për hapjen e disa akseve rrugore rurale dhe për normalizimin e qarkullimit.

“Ne aktualisht ndodhemi këtu, pasi për shkak të reshjeve të dendura kemi pasur shumë problematika në disa njësi administrative. Mbrëmë kemi punuar deri në orët e vona në Kolasian. Kemi qenë edhe te rruga ‘Pavarësia’, ku kemi punuar deri vonë nga rrëshqitjet e dheut. Në këtë moment kemi edhe njësinë administrative Malzi, që në orët e vona sapo të mbarojmë këtu, do vërsulemi për andej. Njësia Zapod në përgjithësi ka pasur probleme. Nga sot deri nesër ne ditë natë do të punojmë me fadromën dhe makineritë që kemi. Do marrim edhe gurë që t’i hedhim te këmba e urës se po na ikën”, tha mes të tjerash Shahu.

Ndërkohë, banorët e fshatrave Çërnalevë dhe Oreshkë bëjnë të ditur se gjatë periudhave me reshje të dendura shiu dhe bore përballen me vështirësi të mëdha, duke mbetur shpesh të izoluar deri në ndërhyrjen e ekipeve të emergjencave civile.

“Jam pensionist, i kam rënë në këmbë sepse nuk ka xhade kurrëkund. Kam ardhur vetëm për ilaçe. Nëse sëmuret ndonjë, vetëm me helikopter po të vish, por edhe helikopteri nuk ka ku zbret atje. Dy fshatrave ktej shteti nuk i vjen hiç në ndihmë”, tha njëri prej banorëve të zonës.

“Jam Kujtim Serani, jam shofer që bëj linjën nga Oreshka për në Kukës. Edhe dje u nisëm edhe kemi ngelur atje sipër ku është bllokuar rruga. Makina ime është lartë aktualisht. Fëmijët e shkollës kanë ngelur në Kukës. Bashkia po punon, shumë faleminderit. Janë rreth 100 banorë që mblidhen”, tha një tjetër banor.

Aktualisht, situata e motit në Bashkinë Kukës paraqitet e qetë, ndërkohë që sipas parashikimeve meteorologjike, në ditët në vijim priten reshje bore, çka mund të sjellë problematika të tjera në akset malore dhe rrugët rurale.

 

Ora 11:52
Videolajm/ Shërbim me gomone në burgun e Durrësit, kati i parë nën ujë

Situata në burgun e Durrësit vijon të jetë problematike si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut.

Që prej ditës së djeshme kati i parë i institucionit kishte prezencë të ujit duke sjellë dhe nevojën e të burgosurve në katet e mësipërme. Ndërkohë sot autoritetet që ndodhen në terren, kanë përdorur gomone për të lëvizur.

Ora 11:36
Moti i keq/ “Ka dalë Kusha nga rruga”, uji mbulon banesën e banorit në Elbasan

Reshjet e shumta të shiut kanë bërë që uji të depërtojë brenda banesave në Elbasan. Një banor, të cilit i është përmbytur bodrumi, thotë për Report TV se dëmet janë të konsiderueshme.

Ka hyrë natën”, teksa shton se më pas gjeti një pompë për të larguar ujin. Banori tregon se është hera e parë që shtëpia e tij përmbytet.

Ka dalë Kusha nga rruga, nga ndërtimet”, shpjegon ai duke iu referuar përroit.

Ora 11:33
Pogradec/ Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë rrëshqitje masive të rrugës në Dardhas, rrezikohen të dëmtohen varrezat e fshatit

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të rrugës në Dardhas të Pogradecit. Një pjesë e rrugës është çarë duke e bërë të pamundur kalimin për automjetet.

Nga pamjet e siguruara shihet se kjo situatë ka sjellë vështirësi për një grup njerëzish të cilët edhe siç duken kanë shkuar në varrezat aty pranë të cilat gjithashtu rrezikohen të dëmtohen nga rrëshqitja e dheut.

Ora 11:28
Zona e Kenetës në Durrës totalisht e përmbytur, shtëpitë janë mbushur me ujë! Banorët: Është torturë, e 3-ta herë që ndodh brenda 1 viti

Rreth 100 banesa në zonën e Kënetës në Durrës janë të përmbytura nga uji. Rrugët e lagjeve janë të fundosura ndërsa banorët duke mos pasur zgjidhje, janë të detyruar të kalojnë përmes ujit.

Sakaq, banorët po mundohen që të largojnë ujin nga shtëpitë ndërsa thonë se kjo është një problematikë e vazhdueshme që po ndodh për të 3-tën herë brenda viti.

“Po mundohemi të heqim ujin. Pajisjet kanë dalë jashtë përdorimi. Jemi të torturuar, është e 3 herë brenda vitit. Ata të komunës nuk vijnë për të parë situatën në vend. Ja po vuajmë kësaj radhe, problemi është për të mos u përsëritur”, tha një banor.

Ora 11:23
Rruga 260 mln €/ Sërish rrëshqitje dherash në aksin Qukës-Qafë Plloçë, bien edhe mbi një makinë, fati shpëton shoferin (VIDEO)

Bllokohet plotësisht aksi kombëtar rrugor Qukës–Qafë Plloçë. Problematikat me rrëshqitjen kanë nisur ditën e sotme, ku së pari, në dalje të tunelit, u dëmtua një mjet, të cilin e zunë poshtë një pjesë e inerteve.

Më pas, në një prej segmenteve të këtij aksi, u bllokua një korsi e lëvizjes, megjithëse qarkullimi mbeti i hapur, ndërsa vetëm pak minuta më parë një rrëshqitje e re u evidentua në këtë aks rrugor, duke bllokuar të dy krahët e lëvizjes.

Aktualisht, aksi është i pakalueshëm për automjetet për shkak të ndalesës së vendosur nga kompania.

Sipas informacioneve, kompania po përgatit një rrugë alternative, ndërsa qarkullimi është plotësisht i bllokuar.

Gjatë gjithë ditës së sotme, në të gjithë aksin, i cili u inaugurua në muajin shtator të vitit të shkuar pas një investimi 260 milionë euro, ka pasur rrëshqitje që kanë sjellë problematika në qarkullim.

Ndalesat janë vendosur në të dy skajet e rrugës, konkretisht në Qukës dhe në Qafë Plloçë.

Ora 11:21
Përmbytjet, preket edhe fshati Çerven në Fier! Banorët për Report TV: U dëmtuan një hektar tokë e mbjellë me elb, punimet për kanalin u lanë përgjysmë

Edhe fshati Çerven i Fierit është prekur nga përmbytjet. Disa banorë thanë për Report TV se kishin mbjellë 1 hekta me elb, por tanimë u dëmtua nga reshjet e dendura.

Ata deklaruan se u nisën punimet për kanalin e fshatit, por u la përgjysmë.

“Dëmtime, kemi mbjellë një hektar tokë, iku. Me elb. Aty ku është Godina, radha e parë iku, mbaroi. Ata e bënë kanalin, deri aty e lane. Gjynah nga Zoti. E kanë fajin fshatarët thonë pastaj, mbushin kanalin. Ku do shkojmë? Kryetarja atje shikon vetëm qytetin. Nuk eleminohet dëmi.”, tha një banor.

“Jam i rrezikuar, jam shumë i rrezikuar. Grurë, jonxhë. Bagëtitë nuk i kam larguar. Kam hallin e tokës, nuk kam hallin e bagëtisë. Edhe jashtë argjinaturës, rrezikohet, ku do shkojë uji? E filluan kanalin këtu, e lane përgjysmë. Jo, asnjëherë dëmshpërblim. 1 hektar tokë nën ujë. Kanale nuk ka. I lënë pa bërë”, u shpreh një banor tjetër.

Ora 11:11
14 banesa në rrezik! Dalja e Vjosës nga shtrati mund të përsërisë historinë: “Iku gjithë fshati, e zuri komplet”, 87-vjeçari kujton përmbytjen e 1971-shit

Situatën e krijuar nga dalja e shtratit të lumit Vjosë, banorët e zonës e cilësojnë problematike. Ata thonë se lumi ka dalë edhe herë të tjera nga shtrati duke shkaktuar përmbytje.

“Vjosa ka dalë në 1971, iku gjithë fshati dhe e zuri komplet, edhe shtëpinë time që e kisha pak të lartë, hyri deri te pragu i derës”, thotë një 87-vjeçar për Report TV, banor i fshatit Ferras.

Ata shpresojnë se këtë herë nuk do të ketë ripërsëritje të situatave problematike, edhe pse nuk e përjashtojnë mundësinë. “Mundet të përsëritet, natyrën nuk e komandon dot”, shton i moshuari. Banorët pranojnë se banesat e tyre ndodhen pranë shtratit të lumit dhe ndihen të rrezikuar.

Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e Pazarit të vjetër ndërsa janë rreth 14 banesa në afërsi të shtratit që rrezikohen nga përmbytjet.

Ora 11:08
Reshjet e dendura, rritet niveli i shkarkimeve në kaskadën e lumit Drin, si pasqyrohet gjendja aktualisht

Ditët e fundit kanë sjellë një sasi të konsiderueshme reshjesh shiu, duke shkaktuar problematika në disa qarqe të vendit.

Problematika ka pasur edhe me daljen nga shtrati të lumenjve, si dhe me rritjen e nivelit të ujit në Hidrocentralet kryesore të vendit.

Aktualisht në Kaskadën e Drinit janë rritur prurjet dhe në HEC-et e Komanit dhe Vaut të Dejës kanë nisur shkarkimet e ujërave, ndërkohë që në Fierzë ende jo. Burime për Report TV bëjnë të ditur se shkarkimet nga Kaskada e Drinit thuajse janë dyfishuar në krahasim me ditën e djeshme.

Duke garantuar se do të monitorojë me kujdes situatën, përmes një njoftimi Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka zbuluar si është situata në Kaskadën e lumit Drin dhe niveli i prurjeve.

Njoftimi:

Situata në Kaskadën e Drinit

Sot dhe ditët në vazhdim situata sinoptikale pritet të mos ketë përmirësim. Reshjet e shiut do të jenë prezente disa ditë, gjë që nënkupton se sasitë e prurjeve të ujit në kaskadë do të jenë maksimale.

Prurjet natyrore në kaskadë janë :

- HEC Fierzë              2400 m3/s

- HEC Koman            1200 m3/s

- HEC Vau i Dejës     400 m3/s

Nivelet në liqenet e Kaskadës së Drinit janë:

Fierza:  284.8 m 

Koman: 174.2 m 

Vau i Dejës: 75 m

Shkarkime (Prodhim + Shkarkim) :

•Hec Fierzë              0m3/s

•Hec Koman           1200 m3/s

•Hec Vau Dejës      1600 m3/s

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare vijon të monitorojë me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme situatën hidrike në kaskadë, duke garantuar menaxhim të sigurt dhe efikas të burimeve ujore.

Ora 11:00
Përmbytjet e vazhdueshme në Kurbin, banorët bllokojnë rrugën nacionale duke protestuar: Bizneset kanë falimentuar, askush nga shteti nuk na përgjigjet

 

Përmbytjet e vazhdueshme dhe dëmtimi i rrugës nga vërshimi i ujërave kanë ngritur në protestë banorët e fshatit Gjorm, në Bashkinë Kurbin. Në shenjë indinjate ndaj mosveprimit të pushtetit vendor dhe qendror për parandalimin e përmbytjeve, banorët kanë bllokuar për disa minuta rrugën nacionale Laç–Mamurras ku nuk munguan as përplasjet.

Sipas banorëve, kjo situatë është e përsëritur dhe vjen si pasojë e mungesës së ndërhyrjeve në pastrimin dhe sistemimin e kanaleve kulluese, çka bën që zona të përmbytet sa herë ka reshje të dendura shiu.

“Prapë e njëjta situatë, pas 20 ditësh, hyri uji në biznes dhe asnjë masë nuk u mor. Prapë u përsërit e njëjta gjë. Janë 200-300 familje këtu dhe nuk kanë bërë asnjë ndërhyrje. Të kalojë 1 metër e gjysmë ujë mbi rrugën nacionale, është krim. Vetëm t’i vendos çelësit biznesit, kam për të shpallur falimentin”.

“Kemi marrë mbrëmë bashkinë e policinë, askush nuk është përgjigjur. Na kanë thënë vetëm gjeni mjetet se naftën ua sjellim ne.”

“Kryetarja e bashkisë duhet të jetë në krye të emergjencave. Këtu nuk shihet asnjë. Po të mos ishim ne me lopata do ishim përmbytur të gjithë.”

“Kemi bllokuar rrugën me sensibilizuar institucionet e shtetit. Nuk kemi ku të lëvizim nga uji. Kjo situatë është e përsëritur ka 5 vite. Asnjë lloj ndërhyrje nuk është bërë përveç se çfarë kemi bërë vetë. As këtë 100 metra rrugë nuk e kanë mbushur me zhavorr.”

Në mbështetje të protestës ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Piroli, i cili u shpreh se Kurbinin e kanë lënë në mëshirë të fatit dhe se kjo situatë është e papranueshme për banorët.

“Këtu ndodhemi në rrugën nacionale që lidh Laçin me Mamurrasin. Pa kaluar 1 muaj kur këta banorë të fshatit Gjorm dhe Zheji, u përmbytën përsëri. Ka gati 14 vite që bashkia drejtohet nga PS dhe nuk është vënë dorë në asnjë cep të fshatit”, tha deputeti.

Gjormi mbetet një nga zonat më të prekura nga përmbytjet në Bashkinë Kurbin. Kjo situatë është përsëritur brenda një harku kohor prej rreth gjashtë javësh, duke shkaktuar dëme të shumta materiale dhe vështirësi serioze për jetën e përditshme të banorëve.

Ora 10:51
Berat/ Ndërprerje e energjisë elektrike në Potom, 10 fshatra pa furnizim

Në qarkun Berat reshjet e shiut nuk kanë reshtur gjatë natës, por kanë pasur intensitet të ulët e mesatar që nuk kanë shkaktuar emergjenca.

Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme. Vetëm në Rripin e Strorës në Skrapar ka prezencë gurësh që nuk pengojnë qarkullimin dhe do të ndërhyhet. Situata paraqitet nën kontroll edhe sa u përket lumenjve. Sistemi i kullimit dhe furnizimi me ujë është normal, hidrovoret janë në gjendje pune.

Furnizimi me energji elektrike është ndërprerë vetëm në fiderin Potom. Potomi si njësi administrative ka 10 fshatra të cilat janë pa energji, konkretisht në Backë, Gjergjovë, Koprenckë, Gërmenj, Visockë, Qafëhelms, Melskë, Nikollarë, Dyrmish, Staraveckë.

Gjatë ditës së sotme, ekipet e terrenit të Drejtorisë Rajonale të OSHEE dhe bashkia do të ndërhyjnë me skrep për të vendosur linjat e reja.

Ora 10:40
Reshjet e shiut në Durrës, banori i zonës së Kënetës për Report Tv: Banesa m'u përmbyt tre herë, dëmet të pallogaritshme! Nuk kam marrë dëmshpërblim

Situata në zonën e Kënetës në Durrës paraqitet problematike për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Një banor i zonës tha për Report TV se është hera e tretë që banesa e tij përmbytet dhe shtoi se deri më tani nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim. Ai deklaroi se dëmet janë të pallogaritshme.

“Situata në këtë zonë, si më keq. Hera e tretë, edhe e katërt po shkon. Akoma, deri tani jo. Akoma lekë nuk kemi marrë. Asnjë lloj dëmshpërblimi. Dëmet janë të pallogaritshme, çfarë të llogarisim? Po banesa? Një meter ujë banesa brenda. Ka 24 orë që nuk po ikën uji, kush përgjigjet për këtë punë? Ku është zgjidhja? Këtu në lagjen tone, aktualisht nuk ka ardhur askush. Këtu, aktualisht, unë kam presenzë, ti duhet të vije me një përfaqësues të bashkisë. Ku e ke përfaqësuesin? Unë, familjet i kam çuar te një komshi, nënën dhe gruan e kam në kat të dytë,por pa energji elektrike? Ku është institucioni që unë t’i shprehem? Gjithçka e braktisur. Për çfarë e dua institucionin? Kur zgjidhet? Është mesi i dimrit, zgjidhje kjo të rrish në ujë? Kam 25 vjet këtu, nuk kam parë përmbytje si kjo.", u shpeh banori.

Ora 10:28
Situatë problematike në Pogradec/ Lumi në fshatin Rrëmenj del nga shtrati dhe përmbyt shtëpitë (VIDEO)

Për shkak te reshjeve intensive qe kanë nisur qysh mbrëmjen e djeshme ne rrethin e Pogradecit, lumi i fshatit Rremënj duket se ka dalë nga shtrati. Situata është problematike teksa uji gjithashtu ka hyrë edhe në disa banesa të cilat ndodhen pranë këtij lumi duke sjell kështu një situate shqetësuese.

Ora 10:11
Korçë/ Rritet niveli i ujit në lumenjtë Starovë e Vërdovë, rrezikojnë të dalin nga shtrati (VIDEO)

Nga reshjet intensive të orëve të fundit është rritur ndjeshëm niveli i ujit të lumenjve Starovë e Vërdovë në të cilët ekziston mundësia të dalin jashtë shtratit.

Në terren ka forca të shtuara të punonjësve. Situata po monitorohet, ndërsa strukturat përkatëse janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast se niveli i ujit vijon të rritet. Banorët e zonave, sidomos ata që ndodhen pranë lumenjve, duhet të tregojnë kujdes të shtuar.

Deri në këto momente Pogradeci mbetet bashkia më problematike sa i përket situatës së motit.

Ora 09:56
Reshjet, kritike situata në Urën e Mifolit! Niveli arrin në 7.2 metra për shkak të prurjeve

Shqipëria është përfshirë nga moti i keq që prej ditës së djeshme, teksa janë raportuar problematika të shumta, për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Kritike vijon të paraqitet situate në Urën e Mifolit në Vjosë.

Për shkak të reshjeve, aktualisht, niveli i prurjeve ka arritur në kuotën e 7.2 metrave.

Strukturat mbeten në gatishmëri.

Ora 09:52
Lushnjë/ Përroi i Lunjës del nga shtrati, Kryebashkiakja: Nuk ka banesa të përmbytura! Dervishi: Intensitet i lartë reshjesh dhe prurjesh, situata nën kontroll

Orë të vështira kanë qenë orët e mëngjesit të sotëm për fshatrat përgjatë rrjedhës së përroit të Lunjës në Lushnje. Reshjet mbi 60 mm gjatë orëve të para të mëngjesit kanë bërë që përroi të dalë nga shtrati dhe të përmbysë toka të mbjella, sera dhe ka kaluar në nivelin mbi një metër nëpër urat e fshatit Karbunarë e sipërme e po kështu Karbunarë e poshtme.

Fadromat kanë shkuar në zonë në orën 6 të mëngjesit dhe situata është përmirësuar ndjeshëm dhe niveli i lartë i ujit ka rënë duke i mundësuar kalimin në ura të banorëve, ndërkohë që ka prezencë uji në oborret e banesave përgjatë rrjedhës së përroit. Në terren që në mëngjes ka qenë dhe kryetarja e bashkisë bashkë me shtabin e emergjencave dhe përgjegjësin e drejtorisë së kullimit Fier.

“Situata këtu në Karbunarë për shkak të prurjeve të mëdha që ka pasur Lunja, punonjësit e ndërmarrjes së bashku me mjetet janë në terren për të bërë zhbllokimin e urave në mënyrë që këto prurje që janë mbi kapacitete mos të krijojnë  bllokime.

Aktualisht në të gjithë territorin e bashkisë së Lushnjës jemi në mbikëqyrje të situatës. Ekipet e emergjencave janë në terren. Pak problematikë kemi me prurjet e Lunjës. Një grup pune është në qerret, një tjetër në Brabulinjë. Aktualisht vetëm prezencë uji në oborret e banesave që janë pranë Lunjës, por brenda banesave nuk ka pasur”, tha kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa.

“Situata në rrethin e Lunjës pothuajse është normale, përveç Lunjës së Karbunarës. Nga Fiershegani, Thana dhe deri në Kasharaj kemi pasur intensitet të lartë shirash prej 3 orësh. Koha e shkurtër e reshjeve, sjell prurje të menjëhershme. Situata është nën vëzhgim si nga bashkia dhe nga ana jonë. Në zonën e Divjakës, po shkarkohet me hidrovor që ka qenë non stop në punë”, tha përgjegjësi i Drejtorisë së Ujërave dhe Kullimit Ferdinand Dervishi.

Prezencë të lartë uji ka edhe në tokat bujqësore në zonën e ulët të fushës së Tërbufit të njësisë administrative Golem, dushk të Lushnjës dhe Njësisë Tërbuf e Grabjan të bashkisë Divjakë për shkak të reshjeve ndërsa hidrovorët kanë punuar dhe vijonte të punojnë me kapacitet të plotë.

Ora 09:31
VIDEO/ Përmbytet Oboti, rruga e kalueshme vetëm me mjete të larta! 15 familje të bllokuara të Bushat

 

Situata në qarkun Shkodër paraqitet kryesisht e qëndrueshme dhe nën kontroll.

Në Shkodër, reshjet e shiut kanë pushuar prej disa orësh dhe deri në këto momente nuk raportohen situata emergjente. Ka prani të ujit në disa zona tokë bujqësore dhe në oborre. Grupet e punës vijojnë monitorimin dhe punën në terren në zonat me risk më të lartë. Në rrugën kryesore të Obotit evidentohet prani e ujit rreth 30-40 cm, çka lejon qarkullimin vetëm për mjete të larta, si dhe në disa oborre banesash e sipërfaqe toke bujqësore.

Në Vaun e Dejës, gjatë mbrëmjes së kaluar janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar. Përroi i Glinës po shfaq tendencë rënieje të nivelit të ujit. Përroi i Gjadrit ka shënuar rënie dhe situata vijon të monitorohet nga strukturat e Emergjencave Civile. Në Bushat, në fshatrat Mal i Jushit dhe Hoten, janë raportuar se rreth 15 familje janë të bllokuara nga uji.

Në Malësinë e Madhe, gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët, pa problematika të raportuara. Situata paraqitet e qetë dhe nën monitorim të vazhdueshëm.

Në fshatin Kamicë, Përroi i Thatë është tërhequr nga rruga.

Në Fushë-Arrëz, vijojnë reshje shiu me intensitet të ulët, ndërsa si pasojë e reshjeve të shumta të ditëve të mëparshme janë evidentuar shkarje dherash, rënie gurësh dhe prezencë uji në disa akse auto-rurale. Rrugët mbeten të hapura për qarkullim dhe po punohet për pastrimin dhe rikthimin e situatës në normalitet.

Në Pukë, aktualisht vijojnë reshjet intensive të shiut të shoqëruara me erë të fortë , pa problematika apo emergjenca civile të raportuara deri në këto momente, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, niveli i ujit në Urën e Bunës është 1.80 m, niveli i Liqenit të Shkodrës ndodhet në kuotën 7.7 m dhe niveli në Dajç në kuotën 6.2 m.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat e Emergjencave Civile për çdo situatë të mundshme.

Ora 09:21
Problematikat nga moti i keq, ARRSH: Rënie gurësh dhe inertesh në disa akse rrugore, po punohet për pastrimin e tyre

1767774263_renieguresh.JPG

Prej ditës së martë, moti i keq ka përfshirë të gjithë territorin e vendit, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, duke shkaktuar edhe problematika të shumta.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) deklaroi se në disa akse rrugore, ka pasur rënie gurësh dhe inertesh.

Ndërkaq, ARRSH thotë se po punohet pa ndërpreje për të bërë pastrimin e rrugëve.

Njoftimi i plotë i ARRSH

Situata në akset rrugore

Gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut në të gjithë territorin e vendit

Është rritur intensiteti i reshjeve të shiut në juglindje të vendit, ndërsa në orët e para të mëngjesit ka pushuar në veri.

Reshje dëbore ka pasur në Bogë-Theth dhe Qafë Mali-Fierzë.

Akset që kanë pasur probleme me rënie gurësh e inertesh në trup të rrugës:

Në Rajonin Verior

Bajram Curri-Valbonë

Dushaj-Lekbibaj

Sopot-Kam

Qafe Mali-Fierze

Ura e Fanit

Rëshen-Shpal

Shpal-Fushë Arrëz

Hani i Hotit-Dogana Vermosh

Sevaster-Kalivaç

Kukes-Shishtavec.

Shpal-K/Hadroj.

Kukes-Krume

Skuraj-Burrel

Peshkopi-Vasije

Në Rajonin Jugor

Lazart

Kardhiq-Delvinë

Lekël-Këlcyrë

Kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje 24/7 për të bërë pastrimin e akseve rrugore.

Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë dëbore.

Ora 09:18
Përmbytje në hyrje të qytetit të Gjirokastrës, përmirësohet situata në disa zona të tjera

Gjirokastra vijon të jetë ende nën ‘pushtetin’ e ujit. Në hyrje të qytetit përmbytjet janë masive si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Kryesisht në pjesën më të madhe të vendit, situata është përmirësuar në krahasim më ditën e djeshme. Dje përroi Fico doli nga shtrati duke vërshuar në rrugët e qytetit, ndërsa sot ujërat janë tërhequr duke i lënë vendin inerteve. 

Shirat e djeshëm shkaktuan dhe bllokimin e rrugës Subash-Tërbuq-Labovë njësia administrative Odrie Bashkia Gjirokastër. Banorët e këtyre fshatrave, kryesisht të moshuar, janë të izoluar nga prurjet e inerteve në rrugë. Ka rrëshqitje të dheut në shumë segmente sidomos tek vendi i quajtur "blloku fiqve" poshtë fshatit Tërbuq.

Ora 09:15
Reshjet e shiut/ Dëmtohet rruga e fshatit Orgjost në Kukës, 1000 banorë nën rrezik për izolim! Pezullohet edhe mësimi në dy shkolla (VIDEO)

I gjithë territori i Qarkut Kukës vijon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar. Si pasojë e reshjeve, të gjitha rrugët nacionale, rrugët bashkiake dhe urat paraqesin risk të shtuar. Subjektet kontraktore dhe drejtoritë e rrugëve rurale  vijojnë punën për të garantuar funksionalitetin e rrugëve nacionale dhe lidhjen me fshatrat.Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme.

Në Bashkinë Kukës vijon të mbetet e rrezikuar ura e fshatit Orgjost, pasi është dëmtuar njëra nga këmbët mbajtëse të saj. Sipas banorëve, për shkak të përkeqësimit të situatës, fëmijët nuk janë lejuar të shkojnë sot në shkollë, ndërsa kërkohet ndërhyrje e menjëhershme nga strukturat e emergjencave civile, si në nivel lokal ashtu edhe qendror pasi mbi 1000 banorë të dy lagjeve të fshatit që lidhen me urën rrezikon të izolohen.

Vijojnë të jenë të bllokuara segmenti rrugor i Njësisë Administrative Zapod,rrugët Cërnalevë dhe Oreshkë. Për shkak të kushteve të motit, sot nuk është zhvilluar mësimi edhe për nxënësit e shkollës në Cërnalevë.

Nga Bashkia Tropojë nuk raportohet për ndonjë problematikë. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse. Në Bashkinë Has mbetet problematik rezervuari Helshan 2, pasi poshtë tij ndodhet një objekt shkollor. I gjithë Qarku Kukës furnizohet me energji elektrike, përjashtuar Njësitë Administrative Zapod, Shishtavec dhe Topojan (Bashkia Kukës), ku vijojnë ndërprerjet.

Ora 09:07
Reshjet e shiut, në Elbasan përmbyten 5 banesa! Prani të inerteve në disa akse rrugore në Belsh, përmbyten toka bujqësore në Gjegjan (VIDEO)

Pesë banesa janë përmbytur në Elbasan, në zonën e uzinës 12 të ish Kombinatit Metalurgjik Elbasan si pasojë e bllokimit të kanalit kullues.

Ndërkaq, në orët e para të mëngjesit është shtuar intensiteti i shiut në Belsh dhe si pasojë ka prani uji në disa shtëpi të tjera përveç 2 rasteve të raportuara më parë dhe rrezik për disa banesa të tjera. Në akset rrugore të bashkisë ka pasur inerte në rrugë të cilat u pastruan dhe aktualisht nuk ka më probleme.

Në bashkine Cërrik në Njësinë Administrative Shales rrezikojnë disa banesa si pasojë e bllokimit dhe ujit në sasi të madhe në një kanal kullues.

Në Njësinë Administrative Gjergjan dhe në vijim në fushën e Muriqanit ka përmbytje të tokave bujqësore si pasojë e bllokimit të kanalit KK3.

Ora 08:50
Moti i keq/ Problematika të izoluara në Korçë, ndërprerje energjie dhe dy akse rrugore të pakalueshme

Situata nga reshjet e rëna gjatë natës në qarkun e Korçës paraqitet përgjithësisht e qetë, me disa problematika të izoluara.

Në Korçë ka prezencë uji në afërsi të banesave në fshatrat Çiflig dhe Shamoll.

Si pasojë e prurjeve të shumta të përroit, është bërë e pakalueshme rruga për në fshatin Denas dhe strukturat përgjegjëse kanë marrë masat për ndërhyrje.

Në Kolonjë, Maliq, Devoll dhe Pustec nuk raportohen situata emergjente apo dëme.

Në Pogradec është konstatuar një rrëshqitje dheu në fshatin Dardhas ku po punohet për rikthimin e kalueshmërisë.

Rajoni Qendër–Lindje:

Në aksin Lozhan -Moglicë ka patur rënie gurësh dhe rrëshqitje dherash. Po kryhen ndërhyrjet për pastrim dhe qarkullimi vijon normalisht, me kufizime të përkohshme në zonat e ndërhyrjes.

Raportohet një çarje në argjinaturë në përroin e Oshticës (Bilisht), ndërhyrja do të kryhet sapo të ulen prurjet. Lumi Dunavec ka prurje të konsiderueshme, por po monitorohet vazhdimisht dhe aktualisht nuk paraqet rrezik.

Dy zona janë pa energji elektrike dhe po punohet për rikthimin e saj.

Fideri 9, N/Stacioni Lozhan: 502 abonentë pa energji elektrike.

Fideri J07, N/Stacioni Leskovik: 1 abonent pa energji 

Ora 08:24
Mbetje inerte në rrugë pas shiut! Rreth 70 biznese të dëmtuara në lagjen '18 Shtatori' në Gjirokastër (VIDEO)

 

Mbetje inerte  kanë mbetur në pjesën e poshtme të lagjes “18 shtatori” në Gjirokasër, si pasojë e reshjeve intensive të shiut.

Rreth 70 biznese janë dëmtuar, teksa uji ka filluar të tërhiqet dhe qarkullimi i automjeteve është kthyer në normalitet.

Ora 08:17
Reshjet e shiut ‘pushtojnë’ vendin, parashikimi i motit për sot! Situatë problematike në Shkodër e Gjirokastër (VIDEO)

Edhe këtë të mërkurë priten reshje intensive kryesisht në veri dhe jug të vendit. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshkitje të dherave.

Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Sipas statistikave hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e enjte dt.08 Janar, do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

Ora 08:02
Krujë/ Tokat bujqësore në Murqinë e Mallkuc ende nën ‘pushtetin’ e ujit, shkak mosfunksionimi i kanaleve kulluese (VIDEO)

Edhe pse intensiteti i reshjeve është ulur dhe niveli i lumit Ishëm ka rënë në zonën e Bilajit, Murqinës dhe Mallkucit, disa toka bujqësore janë ende nën pushtetin e ujit. Shkak i kësaj situate është bërë mosfunksionimi i kanaleve kulluese.

Ora 07:35
Reshjet e shiut/ Ende situatë problematike në zonën rreth burgut në Durrës! 100 banesa nën 'pushtetin' e ujit

1767697238_durres.JPG

Një ditë pasi Durrrësi u ‘pushtua’ nga reshjet e dendura të shiut, këtë të mërkurë akset kryesore rrugore janë të kalueshme të gjitha dhe uji është larguar

Problematikë mbetet zona e ish-kënetës e më konkretisht në bllokun rreth burgut. 100 banesa kanë ende ujë në oborret dhe në brendësi të tyre.

Po ashtu situatë problematike paraqitet edhe në Shkozet, lagjja 14 veçanërisht në zonën e njohur si ‘NISH tulla’.

Në total janë evakuuar 18 familje me 60 persona të cilët janë sistemuar në 2 shtëpitë e pushimit - në atë të Ministrisë së Brendshme dhe në atë të mbrojtjes.

Ekipet e Mbrojtjes Civile,Zjarrfikëseve,të Ujësjellës Kanalizimeve vazhdojnë punën për të rikthyer normalitetin në zonat problematike.

Ora 07:34
Reshjet pakësohen në Lezhë e Kurbin! Evakuohen 8 familje, 150 banesa të rrethuara nga uji (VIDEO)

 

Gjatë natës, në Lezhë dhe Kurbin ka patur reshje në intensitet të ulët, çka ka ndikuar në përmirësimin e situatës.

Uji është tërhequr në pjesën më të madhe të zonave urbane, e po ashtu ka rënie të nivelit të prurjeve në lumenjtë, Drin dhe Gjadër.

Në Kurbin janë evakuar rreth 8 familje, ndërsa sipërfaqja e përmbytur në të gjithë qarkun është rreth 2600 hektarë, ndërsa 150 banesa janë të rrethuara nga uji.

 

 

Ora 07:27
Bllokohet rruga Gjirokastër-Kakavijë! Prezenca e inerteve, e pakalueshme edhe rruga që lidhet me fshatin Valare (VIDEO)

 

Prej ditës së martë, moti i keq ka përfshirë të gjithë territorin e vendit.

Aksi nacional Gjirokastër-Kakavijë është i bllokuar në zonën e Kordhocës, përballë fshatit Lazarat.

Në vendngjarjë janë punonjësit e firmës mirëmbajtëse të cilët po punojnë për hapjen e rrugës. Gjithashtu ka bllokim të rrugës Gjirokastër-Valare në vendin e quajtur Ura e Aznakut.

Në pjesën më të madhe të qytetit të Gjirokastrës ka prezencë të inerteve, të cilat kërkojnë mjete të rënda për largimin e tyre.

Për momentin, reshjet e shiut kanë ulur intesitetin. Niveli i lumit Vjosa në Memaliaj ka shkuar 6.5 metër. Nga bashkitë e tjera te qarkut, deri tani nuk raportohen situata emergjente.

Ora 07:21
Reshjet e dendura të shiut, uji vërshon brenda bizneseve në lagjen ’18 Shtatori’ në Gjirokastër

Një natë më parë Gjirokastra u ‘paralizua’ nga reshjet e dendura të shiut.

Si pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Ficos, lagjja e poshtme e qytetit ‘18 shtatori’ u përmbyt duke shkaktuar dëme veçanërisht në biznese, të cilat u ‘pushtuan’ nga uji.

Ujërat u tërhoqën gjatë mesnatës, teksa bashkia ndërhyri me fadroma për të tërhequr inertet.

Ora 07:09
VIDEO/ Rruga Kotë-Sevaster në Vlorë pëson shkarje! Dy shtëpi jashtë funksionit, banorët në qiell të hapur: Katastrofë, nuk morëm dot asgjë brenda

Moti i keq, prej së martës ka shkaktuar problematika të shumta në vend. Në fshatin Vajzë të Vlorës, për shkak të reshjeve të fundit të shiut, rruga Kotë-Sevaster ka pësuar një shkarje dhe aktualisht është e bllokuar.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve që të shmangin lëvizjet në këtë segment dhe të përdorin rrugë alternative.

Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Selenicës, Nertil Bellaj deklaroi se dy banesa rrezikojnë të shemben totalisht, si pasojë e shkarjes së dherave.

Bellaj shtoi se ka rruga ka pësuar shkarje në 15 vende dhe për këtë ka ndikuar edhe erozioni. 

“Ka pasur për dy ditë reshje intensive. Ka pasur goxha probleme me aksin, ka 15 vende ku është shkarë rruga. Kanë dale jashtë funksionit dy banesa. Brenda 2-3 orësh hapim trafikun për të shkuar deri në Sevaster. Janë tërhequr nga banesat dhe kanë shkuar te familjarët e tyre. Shkara vjen si pasojë e një erozioni të madh. Nuk ka çështje rrugë, ka shkarë 500 metra”, tha ai.

Pronarët e këtyre banesave, thanë për Report TV se shtëpitë e tyre janë të pabanueshme dhe nuk kanë mundur të marrin asnjë orendi.

“Jam banor këtu, kam shtëpinë lart. Në orën dy të natës ranë muret e jashtme, nxorrëm bagëtitë. Katastrofë e madhe, shpëtuam për qime. Asgjë nuk kam marrë, nuk guxon të futet njeri brenda. Shtëpinë e kemi të re, 3 vjet kemi. Zero deri tani, asnjë fjalë.”, tha një banor, shtëpia e të cilit doli jashtë funksionit.

“Situata, prit e prit. Nga ora dy e natës bëmë lëvizjen e pare, nxorrëm familjarët jashtë. I kësaj shtëpisë këtu lart. Është prishur muri mbrojtës. Që nga rruga këtu, ka ikur mbi 20 metra lart. Kemi pasur bagëti. Vajta të hap derën, nuk marr dot asgjë.", u shprej një banor tjetër.