Duke nisur nga mbrëmja e sotme dhe përgjatë të paktën 48 orëve në vijim, vendi do të përfshihet nga reshje intensiove dhe të dendura shiu, me erëra të forta, por në disa zona priten edhe reshje dëbore. Veriu i vendit është territori më i rrezikuar nga moti i keq që pritet të "pushtojë" vendin.
Në një mbledhje të zhvilluar sot me 12 prefektët e qarqeve dhe kryetarët e bashkive që konsiderohen zona me rrezikshmëri të lartë për përmbytje, u theksua nevoja për një bashkërendim dhe koordinim periodik mes pushtetit vendor dhe ministrisë së Mbrojtjes, asaj të Brendshme, ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, me qëllim përballimin e situatës dhe shmangien e sa më shumë dëmeve.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, u kërkoi kryebashkiakëve të qyteteve që pritet të goditen më shumë nga moti i keq, që të kërkojnë numrin e nevojshëm të eskavatorëve të krahë të gjatë dhe automjete të larta.
““Besoj se të gjithë prefektët janë të vetëdijshëm që kemi një dritare veprimi tani për të marrë ende disa masa parandaluese deri në orët e vona të mbrëmjes së sotme. Dua vëmendjen e të gjithë kryetarëve të bashkive të cilët kanë situata problematike me përrenj të cilëve nuk u janë bërë prita lumore të domosdoshme, me vendodhje fshatrash të cilat kanë ose situata grykëderdhjesh ose situata ku ngushtohet shtrati për efekt të një ndërhyrje urbane siç ka Vaidejë specifikisht. Menjëherë pas kësaj mbledhjeje t’i transmetonit qoftë Ministrisë së Mbrojtjes, AKMC-së, qoftë kolegëve të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Bujqësisë nevojat për mjete ekskavatorë me krahë të gjatë që keni. Elementi i dytë, nevoja për mjete të kalueshmërisë së lartë”,- tha Vengu.
Pasojat e para të motit të keq në veri të vendit u raportuan nga Shkodra, ku 5 mjete dhe 9 persona u bllokuan përkohësisht në aksin rrugor Breg Lumi – Theth, rreth 100 metra larg urës së fshatit Gimaj, si pasojë e shembjes së një masivi inertesh për shkak të reshjeve intensive. Ekipi i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile në terren konfirmon që banorët dhe familjet e bllokuara në Nderlysaj (Theth) janë evakuar dhe tashmë nuk ka asnjë rrezik për jetën e tyre.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu zhvilloi një inspektim në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe pas pak mbledh Komitetin e Emergjencave Civile, në zyrat e Prefekturës së qarkut Shkodër, ku edhe intensiteti ireshjeve do të jetë më i madh.
Lajm në përditësim...

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, mbërriti sonte në Vlorë, ku së bashku me Prefekten e qarkut Vlorë, Evis Allushi, Prefektin e Fierit, Anduel Xhindi, si edhe strukturat e ujitje-kullimit të rajonit po koordinon masat për përballimin e situates së reshjeve të dendura të paralajmëruara në vijim.
Ministri Salla kërkoi bashkërendim maksimal ndërinstitucional, angazhim të plotë në terren dhe reagim të menjëhershëm ndaj çdo situate problematike që mund të shkaktohet nga prurjet e larta.
Reshjet me intensitet të lartë kanë nisur në veri të vendit dhe pritet të shtrihen edhe në qarkun e Vlorës pas mesnatës.
“Të gjitha strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë për të garantuar menaxhim efikas dhe parandalim të dëmeve në zonat e banuara dhe ato bujqësore”, deklaroi ministri Salla.
Pasojat e para të motit të keq në veri të vendit u raportuan nga Shkodra, ku 5 mjete dhe 9 persona u bllokuan në aksin rrugor Breg Lumi – Theth, rreth 100 metra larg urës së fshatit Gimaj, si pasojë e shembjes së një masivi inertesh për shkak të reshjeve intensive.
Kryebashkiaku Benet Beci bën me dije se Makineritë e rënda dhe fadromat janë vënë menjëherë në punë për zhbllokimin e rrugës, ndërsa një ekip i specializuar i emergjencave civile është nisur drejt zonës për të vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë me mjete të posaçme për evakuimin dhe garantimin e sigurisë së personave të bllokuar.
“Strukturat tona po punojnë me intensitet për të normalizuar qarkullimin dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga kjo situatë e krijuar nga kushtet e vështira atmosferike”,- thekson Beci.

Punonjës, specialistë dhe inxhinierë të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit në Qarkun e Fierit kanë kaluar në gjendje alerti pas parashikimeve për reshje gjatë ditëve në vijim.
Sipas Evarist Koliçit, inxhinier, faza e emergjencës në të cilën ka kaluar kjo drejtori, synon parandalimin dhe menaxhimin në kohë të situatave me përmbytjet nga lumi Vjosa. Zona të banuara si Hambari, Kashishti dhe Pishë Poro do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm për të parandaluar vërshimet e lumit Vjosa.
Ndërkohë sistemi bonifikues në Fier është përmirësuar gjatë vitit të fundit falë punimeve në rrjet për hapjen dhe zhbllokimin e kanaleve kullues, ka thënë Koliçi, ç’ka ka bërë që qarku ynë prej vitesh të mos jetë më në hartën e zonave të përmbytura.
Në qarkun e Fierit kalojnë tre lumenj dy prej të cilëve Vjosa dhe Semani me prurje të konsiderueshme gjatë dimrit. Ndërkohë Shkumbini në rrethin e Lushnjës me gjithë sasinë e lartë të prurjeve paraqet rrezikshmëri më të ulët përmbytjesh.
Moti i keq me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë pritet të përfshijë edhe Qarkun e Lezhës, duke nisur nga mesnata e së hënës. Sipas parashikimeve meteorologjike, situata mund të sjellë probleme në disa zona të ulëta, ndaj strukturat e Mbrojtjes Civile në të tre bashkitë e qarkut janë vënë në gatishmëri të plotë.Strukturat po monitorojnë veçanërisht funksionimin e hidrovoreve, si dhe furnizimin me energji elektrike të popullates, ndërsa ekipet në terren janë gati të ndërhyjnë në rast nevoje.
Zonat më të rrezikuara nga përmbytjet mbeten Zadrima dhe Bregu i Matës në Bashkinë Lezhë, si dhe Fushë-Kuqja në Bashkinë Kurbin. Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për situaten qe mund te krijohet.
Nga mbrëmja e sotme pjesa më e madhe e vendit pritet të përfshihet nga reshje të dendura shiu. Për të marrë masa për shmangien e përmbytjeve, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu zhvilloi një inspektim në hidrocentralin e Vaut të Dejës së bashku me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, dhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, nga hidrocentrali i Vaut të Dejës.
Pas një inspektimi fillestar në pika që konsiderohen si kritike për parandalimin e pasojave nga reshjet e shiut, Ministri i Mbrojtjes do të drejtojë mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile, e cila do të zhvillohet pasditen e sotme në orën 17:00 në zyrat e Prefekturës së Qarkut Shkodër.

Shqipëria pritet të përfshihet nga reshje të dendura shiu ditën e sotme si dhe të nesërmen. Qarqet që paraqesin rrezikshmëri të lartë për përmbytje për shkak të intensitetit të reshjeve janë qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa reshje intensive në Lezhë dhe mesatare deri intensive në Dibër, Durrës dhe Tiranë.
Ministria e Mbrojtjes si dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i bëjnë thirrje bashkive dhe strukturave vendore për të treguar kujdes të shtuar si dhe për marrjen e masave urgjente.
DEKLARATË PËR SHTYP
Sipas informacionit të Institutit të Gjeoshkencave, gjatë datave 17–18 Nëntor 2025, vendi do të përfshihet nga reshje të dendura shiu, të cilat mund të shtojnë rrezikun për përmbytje.
Sot dhe nesër priten reshje intensive deri shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa reshje intensive në Lezhë dhe mesatare deri intensive në Dibër, Durrës dhe Tiranë. Shtrëngatat mund të shkaktojnë vërshime të shpejta, rrëshqitje dherash dhe përmbytje të lokalizuara urbane.
Prurjet në lumenjtë kryesorë, përfshirë Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Vjosë, pritet të rriten ndjeshëm në ditët në vijim.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kanë kërkuar bashkive dhe strukturave vendore të marrin masa urgjente:
- Njoftimin e popullsisë, blegtorëve dhe bizneseve të rrezikuara;
- Kontroll dhe zhbllokim të kanalizimeve dhe pusetave;
- Të vendosin në gatishmëri hidrovorët, sistemet e ujësjellës-kanalizimeve dhe furnizimin me energji;
- Të monitorojnë vazhdimisht nivelet e ujit dhe, kur të jetë e nevojshme, të organizojnë evakuim preventiv.
Apelojmë qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet në zonat me rrezik dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë për të ndihmuar qytetarët në çdo situatë.
Komisioni i Mbrojtjes Civile në qarkun e Vlorës është mbledhur sot në Prefekturë, në një takim të posaçëm të thirrur për shkak të situatës së pritshme të motit me reshje të dendura gjatë ditëve në vijim.
Qëllimi i mbledhjes ka qenë vlerësimi i masave të marra deri tani dhe përcaktimi i detyrimeve konkrete për çdo institucion, në mënyrë që të garantohet reagim i shpejtë dhe i koordinuar në rast përkeqësimi të situatës.
Prefektja e Qarkut të Vlorës Evis Allushi ka kërkuar gadishmëri maksimale dhe referuar një komunikimi me zv kryeministren Belinda Balluku është theksuar se do të ketë penalitete nëse do të ketë neglizhence në gadishmëri. Allushi ka kërkuar edhe angazhimin e qytetarëve dhe kujdes maksimal edhe nga vetë qytetarët krahas angazhimit të institucioneve.
Kreu i emergjencave civile në prefekture Robert Skendaj ka theksuar se veç qytetit problematike referuar parashikimeve mbetet zona e Novoselës teksa sipas tij 48 orët në vijim janë shumë të rëndësishme dhe kërkohet angazhim dhe gadishmëri maksimale nga të gjithë.
Kryetari në detyrë i Bashkisë Vlorë Elia Halili ka konfirmuar ngritjen e grupit të punës në bashki dhe janë duke i ushtruar kontrolle si në kanalin e ujërave të larta por edhe në hidrovore me qëllim për të qenë në gadishmëri.
Drejtori i policisë së qarkut Vlorë Elidon Çela ka konfirmuar se prej mëngjesit të sotëm efektivët e policisë janë në gadishmëri për 48 orët e ardhshme me qëllimin evitimin e problemeve në qarkullim apo edhe në zona ku do të kërkohet prezenca e tyre
Gjatë takimit drejtori i OSHEE Vlorë Vasjan Konomi, kreu i ujësjellës kanalizimeve Ermal Murati dhe kreu i bordit të kullimit Valter Hasanaj kanë konfirmuar gadishmërinë që ka të bëjë me furnizimin me energji, ndërhyrje në kanalizime dhe hidrovoret e qytetit me qëllim funksionimin normal dhe të minimizohen problematikat.
Kreu i njësisë administrative Novosele Kanan Shakaj, ka theksuar dhe kërkuar ndërhyrje brenda ditës së sotme në digën e Lumit Vjosë me hedhjen e inerteve në digë. Sipas tij Novosela mbetet e rrezikuar nga përmbytjet duke lëshuar alarmin se nëse reshjet do të jenë shumë intesive edhe në Gjirokastër e Tepelenë, prurjet në Vjosë do të jenë të shumta duke rrezikuar përmbytje të zonës.
Vlora si qytet por edhe qark është një nga zonat më të riskuara nga reshjet me intensitet të lartë dhe shumë të lartë. Ndaj edhe është kërkuar angazhimi dhe gadishmëri maksimale nga të gjitha institucionet teksa 48 orët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për situatën që mund të krijohet.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar qytetarët për reshje intensive që priten gjatë javës, sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale Mbrojtja thekson se sot qarqet më të rrezikuara do të jenë Shkodra, Lezha dhe Vlora, me reshje mesatare deri intensive. Në Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër, reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje të dobëta.
Gjatë ditës së martë dhe të mërkurë reshjet do të përhapen në të gjithë vendin, me intensitet më të lartë në Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ku priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive.
Një ditë më parë Autoriteti Portual i Vlorës njoftoi se për shkak të përkeqësimit të motit deri më 19 nëntor është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë brenda Gjirit të Vlorës në det të hapur. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
"Sipas informacionit të përditësuar nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU), ditën e hënë, 17 nëntor 2025, priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Vlorë. Në qarqet Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, të shoqëruara me shtrëngata.
Në qarqet e tjera parashikohen reshje të dobëta. Intensiteti pritet të rritet në orët e pasdites. Ditën e martë, 18 nëntor 2025, parashikohen reshje të shtuara në të gjithë territorin e vendit: Qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër do të përfshihen nga reshje intensive deri lokalisht shumë intensive.
Në Lezhë priten reshje intensive. Në qarqet Dibër, Durrës dhe Tiranë reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive. Në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri mesatare. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është e angazhuar në monitorimin, koordinimin e masave parandaluese dhe reagimin në kohë në rast të përshkallëzimit të situatës", thuhet në njoftim.
Komente






