
Shqipëria pritet të përfshihet nga reshje të dendura shiu ditën e sotme si dhe të nesërmen. Qarqet që paraqesin rrezikshmëri të lartë për përmbytje për shkak të intensitetit të reshjeve janë qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa reshje intensive në Lezhë dhe mesatare deri intensive në Dibër, Durrës dhe Tiranë.
Ministria e Mbrojtjes si dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i bëjnë thirrje bashkive dhe strukturave vendore për të treguar kujdes të shtuar si dhe për marrjen e masave urgjente.
DEKLARATË PËR SHTYP
Sipas informacionit të Institutit të Gjeoshkencave, gjatë datave 17–18 Nëntor 2025, vendi do të përfshihet nga reshje të dendura shiu, të cilat mund të shtojnë rrezikun për përmbytje.
Sot dhe nesër priten reshje intensive deri shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa reshje intensive në Lezhë dhe mesatare deri intensive në Dibër, Durrës dhe Tiranë. Shtrëngatat mund të shkaktojnë vërshime të shpejta, rrëshqitje dherash dhe përmbytje të lokalizuara urbane.
Prurjet në lumenjtë kryesorë, përfshirë Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Vjosë, pritet të rriten ndjeshëm në ditët në vijim.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kanë kërkuar bashkive dhe strukturave vendore të marrin masa urgjente:
- Njoftimin e popullsisë, blegtorëve dhe bizneseve të rrezikuara;
- Kontroll dhe zhbllokim të kanalizimeve dhe pusetave;
- Të vendosin në gatishmëri hidrovorët, sistemet e ujësjellës-kanalizimeve dhe furnizimin me energji;
- Të monitorojnë vazhdimisht nivelet e ujit dhe, kur të jetë e nevojshme, të organizojnë evakuim preventiv.
Apelojmë qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet në zonat me rrezik dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë për të ndihmuar qytetarët në çdo situatë.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Ministrat takim me 12 prefektët e kryebashakiakët: Të koordinohemi për menaxhimin e situatës! Mbetën të bllokuar në një aks të Shkodrës, evakuohen 9 persona
Komente







