Ministria e Mbrojtjes thotë se situata nga moti i keq në të gjithë vendin paraqitet në përmirësim, pavarësisht se në disa zona reshjet e shiut kanë vijuar. Nivelet e ujit në disa zona kanë nisur të ulen, një pjesë e madhe e akseve rrugore, ku ka patur probleme janë rikthyer të kalueshme, ndërsa ekipet e emergjencave civile, Forcat e Armatosura, OSHEE dhe strukturat vendore po vijojnë punën për stabilizimin e plotë të situatës dhe normalizimin e furnizimit me energji, pastrimin e rrëshqitjeve dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
Në Vlorë, niveli I lumit Vjosa është ulur dhe aktualisht niveli është 7.65 m. Po vijon puna në bashkitë; Delvinë, Finiq dhe Konispol, ku për shkak shirave ditën e djeshme ka pasur prezencë dherash në rrugët që lidhin disa fshatra. Në fshatin Vrion është bërë evakuimi i banorëve në një banesë, për shkak të pranisë së ujit.
Në qarkun Fier, rreth 110 hektarë tokë është me prezencë uji në fshatrat Kashisht - Çerven dhe Ferras. Në afërsi të lumit Vjosë, në fshatin Ferras janë vendosur për mbështetje edhe kapacitetet e Ministrisë së Mbrojtjes, me mjete të kalueshmërisë së lartë, varka shpëtimi, trupa e të tjerë.
Në qarkun Korcë, ka prani uji në toka bujqësore dhe në disa banesa në: Lumalas, Bulgarec, Shamoll, Çiflig, Turan, Vloçisht e Sovjan. Në Sovjan janë evakuar 15 familje nga ekipet e emergjencave në terren. Në bashkinë Pustec, po mbahet nën kontroll situata në fshatin Shulin, ku uji herë pas here depërton në katet përdhese të banesave.
Në Pogradec, ka prurje të larta nga lumenjtë e Vërdovës, Rëmenjit dhe qytetit, ndërkohë që po punohet për pastrimin e dherave në Dardhas, Proptisht, Çërravë.
Në të gjithë qarkun Lezhë, ka patur ndërhyrje të përqendruar të forcave, për shkak edhe situatës më komplekse, të krijuar si pasojë e reshjeve të shumta. Deri tani janë llogaritur rreth 220 ha sipërfaqe nën ujë; (90 ha në Zejmen,70 në Shënkollë dhe rreth 60 ha Barbulloje nga dëmtimi i argjinaturës në Tale). Në bashkinë Kurbin Prezencë uji, ka vetëm pjesërisht, në zonën e ulët të Gjormit. Në bashkinë Mirditë, vazhdojnë ndërhyrjet për rehabilitimin e rrugëve të dëmtuara nga reshjet e shirave.
Situata është në përmirësim në qarkun Dibër, ndërsa po punohet me mjete për thellimin e kanalit kullues dhe largimin e ujit në bashkinë Bulqizë, ku ka patur probleme në aksin rrugor mes qytetit të vjetër dhe qytetit të ri, te terminali.
Edhe në Berat, situata është në përmirësim. Ka rënie të theksuar të nivelit të lumit Osum, i cili është brenda shtratit të vet dhe ujërat në tokat bujqësore ne fshatrat përreth. Po ashtu edhe lumi Devoll ka shënuar rënie të nivelit.
Sa I përket qarkut Gjirokastër, në bashkinë Dropull, ura që lidh aksin rrugor Kombëtar me fshatrat Glinë, Peshkëpi e Poshtme, Peshkëpi e Sipërme dhe Radat të bashkisë Dropull dhe fshatin Nepravishtë të bashkisë Libohovë, ka pësuar ulje si pasojë e reshjeve të shiut. Policia e Shtetit ka ndaluar qarkullimin mbi urë dhe nga bashkitë dhe bizneset private po merren masa për vënien në funksion të një rruge alternative, e cila do të mundësojë kalimin e mjeteve dhe banorëve.
Në Bashkinë Gramsh po punohet në segmetin e rrugës, në njërin krah të urës së Shëmrizës. Punohet edhe në aksin rrugor Kodovjat -Mashan, ku ishte shembur një masiv dheu si dhe në aksin nacional Gramsh-Moglicë, në vendin e quajtur Mashan, ku pas ndërhyrjes, kalimi është I lirë. Po punohet edhe në aksin rrugor nacional Elbasan-Peqin, tek vendi i quajtur kthesa e Broshkes për pastrimin e gurëve të rënë.
Lajmi kryesor:
Viktima e parë nga moti i keq, 75-vjeçarja mbytet në përroin e Devollit! Evakuohen 50 familje në Sarandë e Korçë, 1500 hektarë tokë nën ujë (VIDEO)











