Situata nga moti i keq vijon të jetë problematike në disa zona të vendit. Në Devoll u shënua viktima e parë nga moti i keq. 1500 hektarë tokë bujqësore është nën pushtetin e ujit, ndërsa në Sarandë dhe në Korçë janë evakuuar 45 familje.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu beri me dije se në mbarë vendin rreth 200 familje u evakuuan nga banesat e tyre për shkak të përmbytjeve, nga të cilët 150 janë rikthyer në shtëpitë përkatëse, ndërsa pjesa tjetër është strehuar në konvikte.
FIER
Në Qarkun e Fierit rreth 110 hektarë tokë është me prezencë uji në fshatrat Kashisht, Çerven dhe Ferras. Lumi Seman doli nga shtrati duke përmbytur dhjetëra hektarë tokë të kultivuara kryesisht me grurë. Nën ujë janë edhe 40 puse aktiv nafte të kompanisë Bankers të cilat që nga dita e djeshme janë stakuar.
LEZHË
Situata e krijuar nga moti i keq në Lezhë vijon të mbetet problematike. Pavarësisht mbylljes së argjinaturës së lagunës së Vainit, e cila u dëmtua tre ditë më parë, niveli i ujit në zonën e Bregut të Matës vijon të jetë i lartë. Deri tani janë llogaritur rreth 220 ha sipërfaqe nën ujë (90 ha në Zejmen,70 në Shënkollë dhe rreth 60 ha Barbulloje).
Ekipet me varka kanë punuar për evakuimin e disa banorëve që kanë kërkuar ndihmë, të cilët thonë se prej 4 ditësh janë të izoluar. Ata kërkojnë ndihmë emergjente, sidomos për bazën ushqimore të bagëtive, e cila është dëmtuar nga uji. Përmbytjes nuk i ka shpëtuar as kisha e Babullojes. Uji ka depërtuar brenda objektit të kultit, ku niveli ka arritur deri në rreth 30 centimetra.
KORÇË
Uji nisi paraditen e sotme të tërhiqet në Qarkun e Korçës, aty ku u regjistrua viktima e parë nga reshjet në vend. 75-vjeçarja Flora Hoxha u gjet e pajetë në përroin e fshatit Progër të Devollit, ku prej më tepër se 24 orë ishte denoncuar e zhdukur nga i biri i saj. E moshuara e cila vuante nga demenca, duket se ka dalë jashtë banesës së saj ne momentin e vërshimit të ujit në fshatin Progër ku ka gjetur dhe vdekjen.
Në Pogradec mbi 50 banesa janë dëmtuar nga vërshimet e ujit, dy prej tyre të cilave janë të pabanueshme, ndërsa 8 familjarët janë akomoduar përkohësisht nga bashkia e qytetit në banesa me qira. Dëme në banesa janë evidentuar në të gjithë qarkun, ku në Sovjan të Maliqit, 15 familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Ka prani uji në toka bujqësore dhe në disa banesa në: Lumalas, Bulgarec, Shamoll, Çiflig, Turan, Vloçisht e Sovjan. Sipas informacioneve nën uje janë mbi 300 hektarë tokë e mbjellë me grurë, misër, patate etj, në Maliq dhe 35 hektarë në Pogradec.
SARANDË
Në Sarandë, 25 familje u evakuuan mbrëmjen e së premtes dhe po strehohen në çadra ushtrie, pasi shtpitë e tyre u përmbytën. Fusha e Çukës mbetet e përmbytur, së bashku me stallat, magazinat dhe impiantin e ujërave të zeza, ndërsa një tufë delesh e bllokuar u shpëtua nga forcat e emergjencës. Po kështu në Vrion, një familje u evakua pas rritjes së niveleve të ujit pranë banesës.
Përmbytja masive në Sarandë erdhi si pasojë e shembjes së argjinaturës. Ndërhyrja mbetet e vështirë dhe niveli i ujit e kalon një metër. Situata mbetet mjaft kritike. Gra, burra e fëmijë do ta kalojnë natën në çadra në kushte ekstreme moti, pasi institucionet nuk gjetën asnjë mundësi tjeter për strehimin e tyre në konvikte apo mjedise të tjera shtetëtore.
Lajm në përditësim...
50 pako ushqimore dhe 1 ton miell kanë mbërritur nga rezervat materiale të shtetit pas kërkesës së bashkisë Pogradec. Ndërkohë shpërndarja do të fillojë mëngjesin e nesërm për familjet të cilat u dëmtuan nga vërshimi i ujërave në banesat e tyre.
Ndërkohë në qytetin e Pogradecit, sipas informacioneve të fundit, 6 familje janë evakuuar nga banesat e tyre të cilat kanë pasur dëme të shumta dhe janë kthyer në të pabanueshme. Ndërkaq për ta do të jepet jashtë rradhe me emergjencë bonusi i qerasë deri në rikonstruksionin e plotë të banesave nga fondi i emergjencës.

Fotografi i Reuters, Florion Goga, ka publikuar disa foto nga dëmi kolosol që moti i keq me shi të dendur dhe intensiv i ka shkaktuar një fermeri në Sarandë, të cilit i janë mbytur qindra dele për shkak të nivelit të lartë të ujit që i ka përmbytur stallat.
Fermeri Dorian Rrjepaj ka patur rreth 500 dele në stallat e tij, nga të cilat kanë ngordhur të paktën gjysma. Ministri i Mborjtjes, Pirro Vengu, njoftoi më herë se fermeri do të dëmshpërblehet.
"Fermeri Dorian Rrjepaj shikon teksa personeli i emergjencës evakuon delet në fermën e tij të përmbytur ku u mbytën qindra dele, afër Sarandës, Shqipëri, 22 nëntor 2025",- shkruhet në postimin fotografit Goga.
Ndërkohë që reshje intensive shiu kanë përfshirë mbarë vendin, në Shkodër kanë nisur dhe reshjet e parë të dëborës. Report Tv sjell pamjet nga zona e Qafë Thorës, në segmentin Bogë-Theth, ku borëpastrueset po punojnë për çlirimin e rrugës nga dëbora.
Në mbarë vendin janë përmbytur 1500 hektarë tokë, prej tyre 500 në Lezhë, 500 në Sarandë si pasojë e çarjes së argjinaturave. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Venu nga Saranda deklaroi se gjatë 48 orëve të fundit janë evakuar 200 familje ne mbare vendin, ku 50 jane ende ne konvikte. Ka dëme të shumta në bujqësi, blegtori dhe infrastrukturë, ku numërohen 20 ura të shembura.
"Praktikisht rreth 1500 hektarë janë nën ujë, 500 hektare bashkitë Lezhë dhe Kurbin, pastaj pjesa e Devollit dhe Maliqit ku ujërat kanë rënë por sërish ka siperfaqe te permbytura. Kemi gjithashtu Vjosën dhe Semanin me një sipërfaqe të konsiderueshme brenda argjinaturave, por që kërcënojnë disa fshatra dhe së fundmi padyshim edhe Saranda e prekur në mënyrën masive me 500 hektarë në ujë në momentet që flasim.
Gjithashtu konsiderohet se rreth 200 familje janë evakuar në rang vendi, 150 prej tyre janë rikthyer në banesë dhe 50 prej tyre gjenden në konvikte. Të gjitha forcat aktualisht janë të përqëndruara në rehabilitimin e argjinaturave të dëmtuara.
Dëmtimet duhet të kuptojme se kanë ndodhur për efekt të intensitetit të madh të rreshjeve, pavarësisht se të gjitha mjetet kanë qenë në dispozicion dhe vijojnë punën në momentet që flasim.
Argjinatura e Bistricës së Madhe ka pësuar çarje të paktën katër vende dhe ajo që po realizojmë në bashkëpunim me bashkinë, me skuadrat xheniere të forcave të armatosura dhe me disa operatorë privatë është nga të dyja frontet nga ana e Çukës, sidomos sot po veprojmë për të përmbyllur të gjitha pikat ku është ndërprerë argjinatura. Kjo do na mundësojë uljen e nivelit të ujërave në gjithë zonën, futjen në funksion të hidrovorit dhe stabilizimin e të gjithë situates brenda dy ditësh.
Një tjetër front pune ka të bëjë me ardhjen në ndihmë të të gjithë blegtorëve të zonës, të cilët kanë pësuar dëme, do të thoja, të konsiderueshme. Presupozohet që gjysma e krerëve të regjistruar në zonën e Sarandës praktikisht kanë pësuar shumë dëme në stallat përkatëse dhe gjysma e bagetive kanë ngordhur dhe duhet të bëjmë inventarizimin, evadimin e tyre për efekt shëndetësor dhe veterinar. Pastaj do të kalojmë në fazën e shpërblimit të dëmeve siç i takon secilit prej blegtorëve.
Atë që mund t'ju them është se në rang vendi kemi tre situata aktualisht shqetësuese, sidomos në zonën e Semanit, ku praktikisht në Kallm, në Belinë dhe në Roskovec forcat janë në terren. Lumi nuk ka shkuar përtej argjinaturave, por praktikisht është duke cënuar disa zona bujqësore. Mund t'ju themi që nga të dhënat paraprake kemi përafërsisht 20 ura të dëmtuara zakonisht ura që mund të rehabilitohen shpejt, por kemi dhe ura që kërkojnë një rehabilitim tërësor sidomos në zonën e Glinës në Dropull",- tha Vengu.
Situata në Qarkun Lezhë vijon të jetë problematike për shkak të reshjeve me intensitet të ulët deri mesatar, të cilat kanë krijuar vështirësi në tre bashkitë e qarkut.
Kurbin
Vazhdon puna për përforcimin e argjinaturës dhe sistemimin e shtratit të lumit Drojë, ku janë angazhuar tre eskavatorë (1 i FA dhe 2 të operatorëve privatë).
Në fshatin Shpërdhet po punohet me tre kamionë dhe një fadromë të bashkisë.
Grupet po vijojnë vlerësimin e dëmeve, ndërsa OSHEE po punon për riparimin e linjës së fshatit Skuraj.
Lezhë
Për shkak të reshjeve dhe dëmtimit të rrugës që të çon te argjinatura e dëmtuar, puna për ngritjen dhe përforcimin e saj nuk ka vijuar.
Mjetet e FA ndodhen në gatishmëri; është vendosur që kamionët e FA do të qëndrojnë deri në orën 14:00 në terren dhe, nëse rruga nuk rregullohet, do të rikthehen në bazën e tyre në Vau Dejës për të rifilluar nesër.
Po kryhet vlerësimi i dëmeve; shpërndarja e ndihmave nuk ka nisur pasi ato nuk kanë mbërritur ende.
Hidrovori i Tales është vënë në funksion.
Mirditë
Reshjet kanë vijuar gjatë natës. Problematike mbetet aksi Rrëshen–Bukmirë, ku ulja e bazamentit të rrugës vazhdon pavarësisht ndërhyrjeve.
Në shtratin e Zallit të Zmejës ka devijim të rrjedhës së ujit, duke rrezikuar unazën lidhëse dhe disa banesa.
Bashkia Mirditë kërkon mbështetje me një eskavator dhe një kamion për punime në Zmejë dhe në rrugën e Bukmirës.
Po monitorohen dy banesa të rrezikuara nga rrëshqitjet, ndërsa ndërhyrjet bëhen sipas emergjencës.
Grupet e punës po vijojnë evidentimin e dëmeve.
H/C Qafë Molla mund të nisë shkarkime deri në 100 m³/s, ndërsa H/C Shkopeti po shkarkon po aq, pa rrezik për shkak të gjerësisë së shtratit të Matit.
Furnizimi me ujë është normal, ndërsa ai me energji ka pasur ndërprerje të herëpashershme, por është rikthyer.
Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë.
Nivelet e lumenjve Drin dhe Mat janë brenda kuotave normale.
Prej tre ditësh, zona e Malësisë së Kurbinit ka qenë e izoluar si pasojë e shkatërrimit të disa urave, rrëshqitjeve të dherave dhe dëmtimit të rrugës kryesore. Pas 72 oreve Autoritetet lokale, në bashkëpunim me forcat e ushtrisë, kanë arritur qe të rikuperojnë një pjesë të urave të dëmtuara dhe të sistemojnë disa segmente të rrugës. Sipas kreut të Njësisë Administrative Milot, Dritan Preçi, në fshatin e largët Vinjollë vijon puna për hapjen e rrugës, ndërsa dy fshatra të tjerë Skuraj dhe Gallate kanë dalë tashmë nga izolimi.
Ndërkohë, në fshatin Gallatë, disa familje u evakuuan pas përmbytjes së banesave të tyre. Me përmirësimin e situatës, pritet që ato të rikthehen së shpejti në shtëpi. Në zonë u shfaqën probleme edhe për shkak të dëmtimit të linjës elektrike, por energjia është rikthyer tashmë.

Policia e Shtetit deklaron se është në gatishmëri të plotë për shkak të motit të keq dhe bën apel për kujdes për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Përmes një njoftimi zyrtar, blutë bëjnë me dije se në Komisariatin e Policisë Berat janë shoqëruar 3 persona që janë futur në lumin Osum me kanoe gjatë motit të keq, duke rrezikuar jetën.
Policia e Shtetit, në të gjithë vendin, ka shtuar prezencën e saj, me qëllim ardhjen në ndihmë të banorëve në nevojë, në zonat e përfshira nga përmbytjet, të përdoruesve të rrugës, si dhe për të parandaluar aksidentet rrugore.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar shërbimet policore të ndalojnë menjëherë ata shtetas që, në këto kushte ekstreme, ku lumenjtë kanë prurje të mëdha, ushtrojnë aktivitete rafting , si dhe të sekuestrojnë mjetet e lundrimit.
Nga Ura e Mifolit në Novoselë të Vlorës, kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako bëri më përditësim mbi situatën e krijuar nga reshjet dhe daljet e lumejve nga shtrati. Çako theksoi se situata vijon të mbetet ende në emergjencë dhe gatishmëri të plotë. Referuar lumit Vjosa, Çako tha se ka një ulje të nivelit të ujit prej disa orësh, ndërsa prurjet mbeten në nivele të menaxhueshme.
“Jemi në ditën e 4. Jemi akoma në situatë emergjence në shkallë vendi. Situata është në kontroll, të gjithë institucionet, strukturat janë të angazhuar sipas prefektuarave dhe bashkivee. Momentalisht jemi në Urën e Mifolit, ku theksojmë se gati 12 orësh ka filluar rënia e nivelit të Vjosës. Është larguar risku i shtuar, dhe presim që të hyjë totalisht në shtratin e vet pasi edhe nivelet në Përmet dhe Memaliaj kanë rënë ndjeshëm nga dje, ku intensiteti i prurjeve ishte deri në maksimale. Nuk kemi aktualisht probleme me banorët, por prezencë uji. Pas fazës menaxheriale të emergjencës, fillojmë me rehabilitimin. E kemi filluar në Sarandë, Lezhë dhe vende të tjera ku ka pasur nevojë.”, u shpreh ai.
Ai u ndal edhe te situata e krijuar në të gjithë vendin, si në Shkodër, Lezhë dhe Devoll, ku pati dëmtime të argjinaturave dhe prezencë të ujit në toka bujqësore. Nga emergjencat, sipas tij, është ndërhyrë ku ka patur nevojë edhe për evakuime banorësh apo të gjësë së gjallë. Ai tha se në Lezhë, argjinatura e lagunës është rehabilituar plotësisht, ndërsa në Çukë të Sarandës ëshhtë ndërhyrë paraprakisht por pritet largimi i ujit, për një tjetër ndërhyrje.
Çako tha gjithashtu se priten reshje më pak intensive për shkak të uljes së temperaturave, dhe më pas për të bërë një verifikim të situatës dhe dëmeve të shkaktuara.
Në Sarandë janë evakuuar 25 familje, të cilët do të akomodohen në çadra përkohësisht. Evakuimi vjen pas përmbytjeve në fshat për shkak të çarjes së argjinaturës një ditë më parë.
Ndërkohë, banorëve të tjerë u janë dërguar edhe ndihma pas përmbytjeve.
Një tufë me dele që kishin mbetur të bllokuara në një stallë në fushën e Çukës në sarandë janë shpëtuar. Pavarësisht se niveli i ujit ka rënë rreth 40 cm në krahasim me dje, fusha, komplekset blegtorale, magazinat dhe impianti i përpunimit të ujërave të zeza mbeten të përmbytura.
Në bashkinë Berat nivelet e lumit janë nën 2 m, ka rënie të theksuar, lumi është brenda shtratit të vet dhe ujërat në tokat bujqësore në fshatrat e Njësisë Adminsitrative Velabisht janë tërhequr në pjesën më të madhe.
Ndërkohë në bashkinë Dimal ku kemi patur situatë edhe në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, situata po vjen drejtë përmirësimit, lumi Osum është në shtratin e vet dhe po tërheq ujërat në zonat përreth. Po ashtu edhe lumi Devoll ka shënuar rënie të nivelit.
Banorët e Dimalit po nxjerrin ujin nga banesat, ndërsa zjarrfikësit do të nisin punën për pastrimin e baltës dhe llumit nga rrugët dhe oborret e banesave.
Përmbytjeve në zonën e Lezhës, nuk i ka shpëtuar as kisha e Barbullojës. Ky objekt kulti ka prezencë ujë brenda prej 3 ditësh, niveli i te cilit ka arritur deri në 30 cm. Famullitari thotë se ritualin fetar janë detyruar ta kryejnë në një lokal dhe kështu do të veprojnë edhe gjatë ditës së dielë.
“Ka filluar të enjten përmbytja, në mbrëmje shiu ishte futur edhe në kishë. Niveli i ujit ishte rritur shumë, kam ngritur gjërat. Nuk ka dëme të mëdha, vetëm faktit që qëndron akoma uji”, shprehet famullitari.
Uji nisi paraditen e sotme të tërhiqet në Qarkun e Korçës, aty ku u regjistrua viktima e parë nga reshjet në vend. 75-vjeçarja Flora Hoxha u gjet e pajetë në prroin e fshatit Progër të Devollit, ku prej më tepër se 24 orë ishte denoncuar e zhdukur nga i biri i saj. E moshuara e cila vuante nga demenca, duket se ka dalë jashtë banesës së saj ne momentin e vërshimit të ujit në fshatin Progër ku ka gjetur dhe vdekjen.
Në Pogradec mbi 50 banesa janë dëmtuar nga vërshimet e ujit, dy prej tyre të cilave janë të pabanueshme, ndërsa 8 familjarët janë akomoduar përkohësisht nga bashkia e qytetit në banesa me qira. Dëme në banesa janë evidentuar në të gjithë qarkun, ku në Sovjan të Maliqit, 15 familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.
Në të gjithë qarkun mbi 15 ura janë dëmtuar nga rrjedhat e lumenjve dhe prrenjve, më kritikja ndodhet në fshatin Çetë të Devollit aty ku është ndaluar qarkullimi i automjeteve. Sipas informacioneve nën ujë janë mbi 300 hektarë tokë e mbjellë me grurë, misër, patate etj, në Maliq dhe 35 hektarë në Pogradec.
Një pulari në Maliq dhe një stallë delesh në Lëshnje u përmbyt duke shënuar dëme të mëdha në blegtori, gjithashtu edhe një park bletësh në Gështenjas të Pogradecit. Dëmtimet ë shumta në argjinaturën e lumenjve Devoll dhe Dunavec bënë që të rritej ndjeshëm rreziku për përmbytjen e fshatit Sheqeras të Maliqit, por sot situata shihet në kontroll.
Hidrocentrali i Moglicës hapi portat e emergjencës sot për shkak të prurjeve të cilat arritën maksimumin e nivelit. Aktualisht janë mbi 800 familje pa energji elektrike. Grupet e emergjencave te prefekturës dhe bashkive po vlerësojnë dëmet në banesa, blegtori dhe bujqësi, ndërsa më herët të zgjedhurit vendor kanë premtuar që objektet e banimit do të riparohen plotësisht dhe do të kompensohen dëmet.
Era e fortë ka prekur Vlorën në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Për pasojë është rrëzuar një pemë, e cila ka shkaktuar dëmtime në varrezat e qytetit. Ndërmarrja e shërbimeve publike kanë ndërhyrë për prerjen e pemës së rënë dhe evidentuar më pas dëmet e shkaktuara në varreza.
Ministria e Mbrojtjes thotë se situata nga moti i keq në të gjithë vendin paraqitet në përmirësim, pavarësisht se në disa zona reshjet e shiut kanë vijuar. Nivelet e ujit në disa zona kanë nisur të ulen, një pjesë e madhe e akseve rrugore, ku ka patur probleme janë rikthyer të kalueshme, ndërsa ekipet e emergjencave civile, Forcat e Armatosura, OSHEE dhe strukturat vendore po vijojnë punën për stabilizimin e plotë të situatës dhe normalizimin e furnizimit me energji, pastrimin e rrëshqitjeve dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
Në Vlorë, niveli I lumit Vjosa është ulur dhe aktualisht niveli është 7.65 m. Po vijon puna në bashkitë; Delvinë, Finiq dhe Konispol, ku për shkak shirave ditën e djeshme ka pasur prezencë dherash në rrugët që lidhin disa fshatra. Në fshatin Vrion është bërë evakuimi i banorëve në një banesë, për shkak të pranisë së ujit.
Në qarkun Fier, rreth 110 hektarë tokë është me prezencë uji në fshatrat Kashisht - Çerven dhe Ferras. Në afërsi të lumit Vjosë, në fshatin Ferras janë vendosur për mbështetje edhe kapacitetet e Ministrisë së Mbrojtjes, me mjete të kalueshmërisë së lartë, varka shpëtimi, trupa e të tjerë.
Në qarkun Korcë, ka prani uji në toka bujqësore dhe në disa banesa në: Lumalas, Bulgarec, Shamoll, Çiflig, Turan, Vloçisht e Sovjan. Në Sovjan janë evakuar 15 familje nga ekipet e emergjencave në terren. Në bashkinë Pustec, po mbahet nën kontroll situata në fshatin Shulin, ku uji herë pas here depërton në katet përdhese të banesave.
Në Pogradec, ka prurje të larta nga lumenjtë e Vërdovës, Rëmenjit dhe qytetit, ndërkohë që po punohet për pastrimin e dherave në Dardhas, Proptisht, Çërravë.
Në të gjithë qarkun Lezhë, ka patur ndërhyrje të përqendruar të forcave, për shkak edhe situatës më komplekse, të krijuar si pasojë e reshjeve të shumta. Deri tani janë llogaritur rreth 220 ha sipërfaqe nën ujë; (90 ha në Zejmen,70 në Shënkollë dhe rreth 60 ha Barbulloje nga dëmtimi i argjinaturës në Tale). Në bashkinë Kurbin Prezencë uji, ka vetëm pjesërisht, në zonën e ulët të Gjormit. Në bashkinë Mirditë, vazhdojnë ndërhyrjet për rehabilitimin e rrugëve të dëmtuara nga reshjet e shirave.
Situata është në përmirësim në qarkun Dibër, ndërsa po punohet me mjete për thellimin e kanalit kullues dhe largimin e ujit në bashkinë Bulqizë, ku ka patur probleme në aksin rrugor mes qytetit të vjetër dhe qytetit të ri, te terminali.
Edhe në Berat, situata është në përmirësim. Ka rënie të theksuar të nivelit të lumit Osum, i cili është brenda shtratit të vet dhe ujërat në tokat bujqësore ne fshatrat përreth. Po ashtu edhe lumi Devoll ka shënuar rënie të nivelit.
Sa I përket qarkut Gjirokastër, në bashkinë Dropull, ura që lidh aksin rrugor Kombëtar me fshatrat Glinë, Peshkëpi e Poshtme, Peshkëpi e Sipërme dhe Radat të bashkisë Dropull dhe fshatin Nepravishtë të bashkisë Libohovë, ka pësuar ulje si pasojë e reshjeve të shiut. Policia e Shtetit ka ndaluar qarkullimin mbi urë dhe nga bashkitë dhe bizneset private po merren masa për vënien në funksion të një rruge alternative, e cila do të mundësojë kalimin e mjeteve dhe banorëve.
Në Bashkinë Gramsh po punohet në segmetin e rrugës, në njërin krah të urës së Shëmrizës. Punohet edhe në aksin rrugor Kodovjat -Mashan, ku ishte shembur një masiv dheu si dhe në aksin nacional Gramsh-Moglicë, në vendin e quajtur Mashan, ku pas ndërhyrjes, kalimi është I lirë. Po punohet edhe në aksin rrugor nacional Elbasan-Peqin, tek vendi i quajtur kthesa e Broshkes për pastrimin e gurëve të rënë.
Report TV sjell pamjet me dron nga përmbytjet e shkaktuara në Maliq si pasojë e motit të keq.
Prefektura thotë në një njoftim se po vijojnë punimet për mbylljen e çarjeve në argjinaturat e lumit Devollit dhe lumit të Dunavecit. Lumi Devoll është ulur në disa centimetra në fshatin Sheqeras dhe nuk ka më rrezik për banesa apo përmbytje në tokat bujqësore.
Situata e krijuar nga përmbytjet në zonën e bregut të Matës në Lezhë vijon të jetë problematikë. Pavarësisht mbylljes se argjinaturës niveli i ujit vijon të jetë i lartë, kryesisht në Barbullojë dhe Myltë. Banorët janë të izoluar dhe nuk kanë mundësi lëvizje, ndërsa nevojë kanë për bazë ushqimore për bagëtitë. Banorët thonë se kanë nën 4 ditë nën ujë.
“Kemi 4 ditë nën ujë. Ku me lëviz, ja ku e kam makinën. Niveli i ujit mbi 70 cm në rrugë. 1 m e 30 cm është në oborr. Pulat kanë mbaruar, derrat janë duke mbaruar, janë në ujë. Ka ardhur kryeplaku, por ca do bëjë. Punëtorët e hidrovorit bllokojnë tubat dhe plas argjinatura.
Problem është aq shumë, sa bëjnë vetëm politikë, Pavarësisht se kemi rënë në ujë. Ka 20 vite që kam ardhur këtu, jam përmbytur gjithmonë, faji është i hidrovorëve. Shteti nuk merr masa. Po porosis një varkë, të kalojmë”, shprehen banorët.
Lumi Seman ka dalë nga shtrati në zonën e urës së Mbrostarit, duke shkaktuar përmbytje në disa sipërfaqe bujqësore dhe në të paktën një stallë me bagëti. Niveli i ujit është rritur ndjeshëm si pasojë e prurjeve të mëdha nga reshjet e ditëve të fundit.
Strukturat e emergjencave civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën, ndërsa ka nisur verifikimi i dëmeve tek fermerët. Për momentin nuk raportohet për rrezik për banesat, por autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë zonave të përmbytura.
75-vjeçarja Flora Hoxha është mbytur në përroin e fshatit Proger në Devoll. I biri kallëzoi në Polici se ka humbur kontaktet me të ëmën. Ajo kishte dalë nga banesa pas përmbytjeve në fshat, ndërsa dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit dhe është mbytur. Ushtria dhe emergjencat nisën që dje kërkimet, ndërsa sot pritet të nxirret edhe trupi i saj. 76-vjeçarja vuante nga demenca e plotë dhe fatkeqësisht ka humbur jetën.
"Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, për shtetasen F. H., 75 vjeçe, e cila ishte larguar nga banesa dhe dyshohej se mund të ishte mbytur për shkak të prezencës së ujit në fshatin Progër, pas kontrolleve të kryera, sot rreth orës 08:30, kjo shtetase është gjetur në dalje të fshatit, në anë të një përroi, pa shenja jete", informoi Policia.

Rruga Suhë-Poliçan në Bashkinë Libohovë është ende e bllokuar. Po ashtu edhe Glinës në Bashkinë Dropull. Në territorin e qarkut ka patur reshje me intensitet të larte.
Niveli ujit në lumin Vjosa në Përmet është 3.4 m, prurjet 292.7 m3/s kurse në Memaliaj 4.8 metër. Ngelen pa energji 20 fshtra ne Memaliaj.
Komente












