1763542195_dritaaa.JPG

Moti i keq ka shkaktuar probleme në disa zona të qarkut Lezhë. Në bashkinë Kurbin, fshatrat Skuraj, Gallatë dhe Vinjollë kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të një dëmtimi të linjës përgjatë lumit Vinjollë. Në njësinë Mamurras janë dislokuar 7 efektivë të Forcave të Armatosura me një varkë, për të qenë gati për ndërhyrje në raste evakuimi. Mësimi zhvillohet normalisht, me përjashtim të nxënësve të fshatit Shpërdhet, të cilët nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të dëmtimit të rrugës.

Në bashkinë Lezhë situata është përmirësuar pas ndërhyrjeve të strukturave bashkiake, të cilat punuan deri natën vonë dhe në mëngjes për pastrimin e ujërave të mbledhura në oborrin e shkollës “Nënë Tereza”. Puna vazhdon me pastrimin e rrugëve dhe pusetave. Familjet e evakuuara janë sistemuar në konviktin e shkollës “Kolin Gjoka”, ku Kryqi i Kuq do t’u ofrojë ndihma ushqimore.

Në bashkinë Mirditë, problem kryesor mbetet aksi rrugor Rrëshen–Bukmirë, ku ka rënie gurësh dhe gërryerje të bazamentit. Edhe akset rurale janë dëmtuar nga dalja e përrenjve malorë, ndërsa në zonat Kaçinar dhe Fan disa ura automobilistike dhe ura pasarela janë dëmtuar dhe po mbahen nën monitorim deri në qetësimin e situatës për të nisur riparimet. Në fshatin Tarazh ka pasur dalje të përroit në tokat bujqësore, ndërsa në fshatin Jezull janë dëmtuar dërrasat e një ure tip Bejli. Në këtë bashki nuk ka probleme me furnizimin me energji.

Sa i takon lumenjve, niveli i Drinit është ulur me rreth 50 centimetra nga mbrëmja e djeshme dhe aktualisht qëndron në kuotën 1.10 metra. Lumi Mat nuk paraqet probleme, ndërsa lumi Drojë vazhdon të jetë në kuota të larta për shkak të reshjeve të natës.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Përmbytje në Delvinë e Finiq, evakuohen 6 familje! Izolohen 10 fshatra në Mirditë! Vjosa rrezikon të dalë nga shtrati