Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë natës nxorën nga shtrati lumin e Bistricës dhe lumin e Kalasës. Uji ka vërshuar në banesa, rrugë dhe toka bujqësore. Përpos reshjeve kanë ndikuar dhe zjarret e verës, pasi janë djegur pyjet dhe lumenjtë janë bërë më të rrëmbyeshëm.

Katër familje janë evakuar në Delvinë dhe dy në Finiq, pasi uji në banesa shkoi në 50 cm. Rreth 10 fshatra janë aktualisht të izoluara në Mirditë për shkak të dëmtimeve të infrastrukturës rrugore dhe shembjes së urave. 

Situata vazhdon të mbetet kritike, tha në bisedë telefonike nënprefekti i Vlorës, Kristo Kico, pasi niveli i ujit është i lartë në argjinatura. Nga vërshimi i ujit është shembur ura në hyrje të Delvinës, duke lënë në izolim banorët e Lefterhorit dhe Kakodhiqit. Është shembur ura e Vanës, duke lënë në izolim banorët e Vanës. Aksi nacional Kranë–Muzinë është aktualisht i bllokuar nga përmbytja që ka shkaktuar Bistrica.

Ndërsa lumi i Kalasës ka dalë nga shtrati në fshatin Shelegar duke vështirësuar kalimin në rrugën nacionale Sarandë - Delvinë dhe Kardhiq. Kryeplaku i fshatit Shelegar tha se ura ishte e ngushtë, jashtë standardit.

Po kështu është ndërprerë furnizimi me ujë në qytetin e Sarandës dhe ne qytetin e Delvinës, pasi është turbulluar uji në burimet e Navaricës dhe puset në fushën e Vrionit.

Strukturat e emergjencave civile janë pozicionuar pranë Urës së Mifolit, për s ndërhyrë menjëherë në rast të daljes nga shtrati të lumit Vjosë, i cili aktualisht ka prurje te shumta.

Niveli i ujit në Urën e Mifolit në Novoselë ka arritur në 5 metra. Autoritetet paralajmërojnë se nëse Vjosa kalon mbi 6 metra, banorët do të njoftohen për evakuim të menjëhershëm.

POGRADEC

Reshjet intensive kanë përmbytur tregun industrial të Pogradecit. Dhjetëra biznese kanë pësuar dëme, ndërsa tregtarët përpiqen të shpëtojnë materialet e pakta që nuk janë lagur. Ata thonë se bashkia prej vitesh ka premtuar një treg të ri, por se ka mbajtur, ndaj cdo vit demtohen nga reshjet.

KURBIN

Edhe pse uji është tërhequr, qindra familje në Kurbin po përballen me pasojat e rënda të përmbytjeve të një dite më parë. Banesat, tokat bujqësore dhe kasollet e bagëtive kanë dëme të konsiderueshme, veçanërisht në zonat e Mamurrasit dhe Milotit.

MIRDITE

Përrenjtë malorë të fryrë nga reshjet kanë dëmtuar disa ura në fshatrat e Mirditës, duke izoluar banorë dhe duke krijuar vështirësi në lëvizje. Në fshatin Fan, nxënësit kanë mbetur pa mësim. Situata paraqitet problematike edhe në Orosh dhe Kacinar, ku është shënuar rrëshqitje dherash që rrezikojnë banesat dhe rrugët.

KUKËS

Në Kukës, 14 shkolla janë ende pa ngrohje, ndërsa temperaturat janë ulur dhe shiu e era vijojnë pa ndërprerje. Prefekti Dritan Baci i ka kërkuar kryebashkiakut Albert Halilaj nisjen urgjente të furnizimit me lëndë drusore.

Ndërkohë, në bashkinë Has është dëmtuar ura që lidh fshatin Dobrunë me Bardhoshin, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve. Disa fshatra në zonat verilindore te vendit vijojnë të jenë pa energji elektrike për shkak të avarive të shkaktuara nga moti i keq.

VLORË

Në fshatin Dermish, bashkia Finiq u krye evakuim i dy të moshuarve për shkak të pranisë së ujit në banesë. Kompania kontraktore po punon për pastrimin e rrugës Brataj-Kuç, në fshatin Brataj, bashkia Selenicë. Në bashkinë Vlorë janë nisur për mbështetje 12 efektivë nga FA, 4 motopompa dhe 1 gomone.

BERAT

Në qarkun e Beratit, ujërat e Osumit kanë sjellë përmbytjen e rreth 20 hektarëve me ullishte në fshatin Veterrik.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:24
Ministri Vengu monitoron situatën në Mifol: Vjosa është lumë i egër, do ndërhyjmë me investime afatmesme dhe afatgjata

 

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka folur nga ura e Mifolit për situatën e krijuar nga prurjet e larta të lumit Vjosë, ndërsa theksoi se monitorimi ka vijuar gjatë gjithë ditës në të gjithë basenin.

“Kemi ndjekur të gjitha prurjet e Vjosës, nga Përmeti e deri në Memaliaj, ku niveli i ujit ka arritur deri në 6.5 metra. Situata është drejt stabilizimit, por nuk është zgjidhur plotësisht, pasi reshjet vijojnë ende në Gjirokastër dhe Tepelenë,” u shpreh ministri.

Sipas Vengut, pritet një ndërhyrje e thelluar në argjinaturë, me synim forcimin e saj dhe përmirësimin e mbrojtjes së zonave të rrezikuara. Ai bëri të ditur se forcat e armatosura janë dislokuar në fshatrat me risk, ndërsa qendra lëvizëse e operacioneve do të qëndrojë në Mifol për sa kohë të jetë e nevojshme.

“Projeksioni ka qenë për një front të tretë prurjesh dhe nuk na ka ikur rreziku. Nëse duam një zgjidhje afatgjatë për Vjosën, duhet të pranojmë që është një lumë i egër. Kemi plane dhe projekte që parashikojnë rehabilitimin e këmbëve të urave. Do të ketë investime afatmesme dhe afatgjata,” deklaroi ai.

Ministri shtoi se sa herë është ndërhyrë në argjinaturë dhe në pastrimet e saj, situata është përmirësuar ndjeshëm, ndaj këto ndërhyrje do të vijojnë. Po ashtu, do të investohet edhe në kanalet kulluese, për të krijuar kushte optimale të kalimit të prurjeve.

Ora 20:34
Moti i keq/ Dëmtohen 1.2 ha sera me luleshtrydhe në Cakran, fermerët bëjnë apel për ndihmë

1763580947_aa.JPG

1.2 ha sektarë sera janë dëmtuar nga përkeqësimi i kushteve të motit në Buzmadh të njësisë administrative Cakran.

Sipas fermerëve të prekur nga stuhia, serat janë të kultivuara me luleshtrydhe, kulturë kryesore në ekonomitë e tyre familjare.

Edhe pse dëmshpërblimet janë një histori e hidhur për shumë fermerë të dëmtuar ndër vite të kësaj zone, pasi nuk kanë përfituar asnjëherë, ata i bëjnë apel institucioneve përgjegjëse t'i ndihmojnë për të përballuar dëmet nga pasojat e motit të keq.

Ora 19:28
Reshjet në Qarkun Korçë, situata drejt normalizmit, disa ura të dëmtuara, 148 abonentë pa energji elektrike

1763577276_aa.JPG

Situata e reshjeve në qarkun e Korçës është drejt normalizmit. Strukturat vendore kanë ndërhyrë në akset dhe zonat më problematike, ku ka pasur vështirësi në qarkullim, dëmtime urash dhe dalje të ujit në rrugë.

Po monitorohet situata në pikën e bashkimit të lumit Dunavec e Devoll në fushën e Maliqit, pasi ka prurje shumë të larta uji.

Në disa fshatra banorët janë pa energji elektrike, ndërsa strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në të gjitha zonat problematike. 

1. Bashkia Korçë

Kalueshmëria e aksit Denas–Lekas u vështirësua për shkak të rritjes së nivelit të ujit. Nga strukturat e bashkisë Korçë është punuar për normalizimin e situatës.

Në Voskopojë, ujëmbledhësi arriti nivele të larta, por nga ndërhyrja me mjet fadromë për hapjen e kanalit shkarkues, situata është drejt normalizimit.

Në afërsi të fshatit Lubonjë, ka prezencë të shtuar të ujit dhe ura është vështirësisht e kalueshme dhe nga strukturat e bashkisë Korçë është punuar për normalizimin e situatës. Ka edhe rrugë alternative për t’u lidhur me pjesën tjetër të njësisë.

2. Bashkia Pogradec

Në fshatin Gështenjas pati ngarkesë me rrjedhjen e ujërave, por u ndërhy nga strukturat e nuk pati problematika.

3. Bashkia Maliq

Po monitorohet situata në pikën e bashkimit të lumit Dunavec e Devoll në fushën e Maliqit, pasi ka prurje shumë të larta uji.

4. Bashkia Devoll

Në fshatin Çetë, mbi Miras, urën e këtij segmenti është dëmtuar dhe strukturat vendore kanë marrë masat për ndalimin e qarkullimit, pasi situata paraqet rrezik për kalimtarët. Për këtë rast, do të përcjellim kerkesën për mbështetje nga Ministria e Mbrojtjes.

Është dëmtuar gjithashtu ura e Arrzës, por aksesi në fshat mundësohet nga një rrugë alternative dhe strukturat vendore të bashkisë në vazhdim do të marrin masa për rehabilitimin e saj.

Në fshatin Ziçisht u sinjalizuam për bllokimin nga inertet dhe strukturat vendore po marrin masat përkatëse.

5. Bashkia Pustec

Në segmentin Lajthizë–Liqenas ka pasur dalje uji në rrugë, sektori i shërbimeve ka ndërhyrë dhe situata është drejt normalizimit.

6. Bashkia Kolonjë

Fshati Mesiçkë: Rritje të prurjeve të lumit, rrezikim i urës së fshatit dhe i disa shtyllave të energjisë. Grupet kanë qenë në terren për normalizimin e situatës.

Fshati Mollas: Rruga pati prezencë uji dhe nga strukturat në terren u punua për normalizimin e plotë të situatës.

Rezervuari i Rotit ishte në prag të nivelit maksimal, u hapën shkarkuesit dhe po monitorohet situata.

Janë marrë masa gjithashtu për sigurimin e rezervuarit të vogël të Kodrës.

Në zonën e Shelegurit, pati prurje të shumta të përroit të cilat tejkaluan kapacitetet e urës, por situata u normalizua dhe po monitorohet nga kontraktori dhe inspektorët e Drejtorisë Rajonale Qendër-Lindje (ARRSH).

6. Nga Drejtoria Rajonale Qendër-Lindje (ARRSH) situata në akset rrugore kryesore paraqitet e normalizuar.

Aksi Ersekë–Leskovik: Kontraktori dhe inspektorët raportojnë situatë të menaxhueshme; ndërhyrjet po vijojnë.

Aksi Maliq–Lozhan, pranë kryqëzimit të fshatit Kolanec u kryhen punime për sistemimin e ujërave të përroit.

Aksi Qafë e Qarrit – Ersekë është i pastruar dhe i kalueshëm.

Aksi Qafa e Qarrit–Ersekë (rruga e vjetër) - U realizua pastrimi i urës nga pemët dhe materialet e sjella nga prurjet.

7. Ekipet e OSHEE-së po punojnë për rregullimin e defekteve dhe situata aktualisht është;

-Fideri Nst Gjanc pjesërisht në punë - 10 abonentë pa energji në Shipskë e Krushovë.

-Fideri nr.17, Nst Korçë 1 kabinë jashtë funksionit  - 6 abonentë pa energji.

-Fideri nr.6 Nst Mollas pjesërisht në punë - 90 abonentë pa energji.

-Fideri Vithkuq, Nst Rehovë pjesërisht në punë  - 42 abonentë pa energji.

Në total 148 abonentë pa energji. Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në të gjitha zonat problematike. Deri në këto momente nuk raportohen situata të tjera që paraqesin rrezik për qytetarët apo banesat.

Ora 18:48
Maliq/ Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje në sipërfaqe bujqësore, fermeri: Kam 7 hektarë me patate të zhytur nën ujë

 

Fusha bujqësore e Maliqit është përfshirë nga përmbytje të mëdha pas motit të keq që ka goditur juglindjen e vendit. Lumenjtë Dunavec dhe Devoll kanë pësuar rritje të ndjeshme të prurjeve, duke shkaktuar daljen e tyre nga shtrati dhe përmbytjen e tokave përreth.

Fermeri Agron Guri bën të ditur se situata ka sjellë dëme serioze për ekonominë e tij familjare. Sipas tij, 7 hektarë të mbjellë me patate janë zhytur nën ujë, ndërsa 8 hektarë me grurë ndodhen në prag përmbytjeje.

'Kam 7 hektarë patate që janë mbytur fare. Kam grurin 8 hektarë është i rrezikuar, pas patateve, jemi në hallë të madh. Nuk ka pasur reshje këto vite, se po të kishte pasur do të ishim përmbytur çdo vit. Duhet të na ndihmojë shteti', tha ai.

Ndërkohë, edhe fermeri Bashkim Guri përballet me pasoja të rënda. Ai thotë se 15 dynymët me misër janë dëmtuar totalisht nga uji.

'Unë kam misër, qepën e kam në magazinë pa shitur. Shteti të vijë të shoh situatën, unë kam 15 dynym misër që më është përmbytur', tha ai.

Përmbytjet kanë shkaktuar shqetësim të madh në Maliq ndërsa banorët presin ndërhyrjen e autoriteteve për të vlerësuar dëmet dhe për të marrë masa për normalizimin e situatës.

Ora 18:29
Moti i keq/ Niveli i ujit në Vjosë ka rënë, Subashi: Qendra Operacionale e Emergjencave Civile është në gatishmëri

Qendra operacionale e emergjencave civile të bashkisë Fier vijon të jetë në gatishmëri të plotë edhe pse rreziku mund të themi që ka kaluar.

Kështu është shprehur në një prononcim për mediat kreu i bashkisë Fier, Armando Subashi teksa ka pohuar se nga të dhënat e marra nga hidromatësi në Memaliaj niveli i ujrave të Vjosës ka filluar të bjerë ndjeshëm.

'Kishte një rritje të ujit në lumin Vjosë dhe kulmi arriti rreth mesditës. Besoj se nuk kemi rrezik dhe me siguri rreziku ka kaluar dhe s'do të kemi problem sonte për daljen e lumit Vjosa nga shtrati. Jemi këtu, do të vijojmë që të monitorojmë situatën, Qendra Operacionale e Emergjencave Civile është në gatishmëri', tha ai. 

Maksimumi i prurjeve është regjistruar rreth orës 14:30 në nivelin 7 çka do te thotë që ai nivel prurjesh pritet të vijë rreth orës 19:00- 20:00 në fshatrat fundorë të njësive Levan dhe Novoselë. Por duke patur parasysh përvojen e viteve të kaluara ky nivel nuk përbën rrezik për daljen e lumit Vjosa nga shtrati.

Lajm i mirë është që niveli i ujrave të Vjosës ne zonën Tepelene - Memaliaj ka filluar të bjerë dhe krahasuar me mesditën rënia është rreth 70-80 cm, ç'ka do të thotë sipas Subashit që rreziku ka kaluar dhe orët e natës do të jenë orë të qeta dhe pa probleme.

Subashi ka pohuar gjithashtu se situata do të monitorohet dhe mjetet dhe forcat e emergjencës do të qëndrojnë në gatishmëri edhe për disa orë për çdo eventualitet të mundshëm.

Ora 17:27
Pamjet me dron/ Vjosa në pikë kritike, rrezikon të dalë nga shtrati

 

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, prurjet në lumin Vjosë janë rritur. Ministria e Mbrojtjes thotë se lumi Vjosë është në pikën kritike dhe po mbahet nën monitorim pasi rrezikon të dalë nga shtrati. Këto pamje me dron tregojnë edhe situatën me lumin Vjosa, të filmuara në Novoselë pranë Urës së Mifolit.

Ora 17:21
Moti i keq/ Pirro Vengu: Rreziku nuk ka kaluar, jemi pranë banorëve në zonat me probleme

 

Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, ka mbërritur pasditen e sotme në urën e Mifolit, ku po monitoron nga afër situatën e prurjeve të lumit Vjosa.

Reshjet e shiut nuk kanë pushuar ende dhe situata vijon të jetë kritike, pasi edhe në orët në vijim pritet të ketë reshje në gjirin e Vlorës si edhe në jug të vendit.

Autoritetet kanë njoftuar të gjithë banorët dhe bizneset përgjatë vijës lumore të tregohen të kujdesshëm dhe të qëndrojnë në gadishmëri për çdo zhvillim të mundshëm.

‘Vojsa ka qenë në monitorim të rreptë. Duhet një alert maksimal, nuk ka kaluar rreziku. Do të kemi edhe një diskutim të forcave në terren nëse duan që të kryejnë avakuime. Jemi pranë banorëve dhe bizneseve. U prek Lezha dhe Kurbini, jemi në kushtet ku situata është normalizuar dhe forcat e armatosura kanë qenë në dispozicion të bashkive ku ka pasur probleme’, tha ai.

Ora 17:09
Moti i keq/ Mbrojtja: Prurjet në lumin Vjosë në pikë kritike, rrezikohet një banesë në Rrëshen, evakuohen dy të moshuar në Finiq

1763568961_aa.JPG

Prej orësh strukturat vendore dhe ato të mbrojtjes civile janë në gatishnëri të plotë, në ndjekje të situatës së krijuar nga reshjet e shiut që kanë vijuar në pothuaj të gjithë territorin e vendit.

Situata sipas qarqeve

Qarku Lezhë

Vijon puna për normalizimin e situatës në, fshatrat Gjorm , Zhejë, Fushë Mamurras, njësia administrative Mamurras, bashkia Kurbin dhe në njësitë ku për shkak të reshjeve të djeshme janë evidentuar probleme.

Punonjësit në terren po monitorojnë situatën në fshatin Jezull, Njësia Administrative Rrëshen, në fshatin Kodër Rrëshen, ku nga rrëshqitja r tokës rrezikohet një banesë. Nivelet e ujit në lumenjtë Drin dhe Mat janë brenda kuotave.

Qarku Durrës

Situata në njësitë administrative Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm, drejt normalizimit, ujërat janë tërhequr nga zonat e prekura.

Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale. Hidrovorët në Porto Romano dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.

Qarku Kukës

Situata është nën monitorim të plotë nga autoritetet vendore dhe subjektet kontraktore, të cilat kanë bërë pastrimin e të gjitha akseve rrugire nacionale, duke garantuar aksesin e tyre për automjetet

Qarku Shkodër

Pas një pune të palodhur të forcave në terren është zhbllokuat rruga në segmentin Theth- Ndërlysaj në njësinë administrative Shalë.

Po punohet gjithashtu edhe në segmentin Ndërlysaj- Breg-Lumi.

Qarku Vlorë

Bashkia Delvinë: Në Kalasë dhe Bistricë lumenjtë janë terhequr në shtrat, duke liruar rrugën nga uji. Tashmë qarkullimi është i normalizuar në Shelegar dhe Krane.

Në fshatin Dermish, bashkia Finiq u krye evakuim i dy të moshuarve për shkak të pranisë së ujit në banesë. Kompania kontraktore po punon për pastrimin e rrugës Brataj-Kuç, në fshatin Brataj, bashkia Selenicë. 

Në bashkinë Vlorë janë nisur për mbështetje 12 efektivë nga FA, 4 motopompa dhe 1 gomone.

Qarku Fier

Referuar të dhënave mbi prurjet e lumit Vjosë, në pik matjet Përmet - Memaliaj, konstatohet një shtim me intensitet të shpejtë i prurjeve në lumin Vjosë, në pikëmatjen e Urës së Mifolit. Ndaj është rritur gatishmëria e strukturave operacionale për menaxhimin e çdo situate të mundshme.

Pranë pikave kritike, janë vendosur mjete te tonazhit të rëndë, 5 skrepa/fadroma dhe mjete të larta transporti.

Qarku Elbasan

Vijojnë punimet për pastrimin e inerteve në segmentin rrugor Elbasan-Peqin, në vendin e quajtur “Murraç” dhe në segmentin  Elbasan-Librazhd.

Në fshatin Kerpicë te nj.adm. Kushovë, bashkia Gramsh po monitorohet situata në lumin e Kerpicësrezikon të dalë nga shtrati lumi i Kërpicës, duke krijuar mbrojtje për 8 banesa që mund të rrezikohen nga ujërat e lumit.

Qarku Berat

Rreth 20 hektarë parcela me ullishte në lagjet “Lopari” dhe “Selamaj”, në fshatin Veterrik, njësia administrative Velabisht, Bashkia Berat kanë prani të ujit, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Osum.

Qarku Korçë

Në fshatin Sanjollas, njësia administrative Barmash, bashkia Kolonjë u normalizua situata, me zhbllokimin e tombinove dhe pastrimin e inerteve u shmang rreziku për banesat.

Qarku Gjirokastër

Në rrugët urbane te qytetit ka prezencë të ujit, por pa shkaktuar bllokime të trafikut. Liqeni i Viroit po i afrohet pikës kritike, por po mbahet në monitorim. Në njësinë adm. Lazarat, fshati Lazarat, në lagjen e poshtme të fshatit ka vërshim të ujërave nga përroi që zbret nga mali i Sopotit si dhe në Kordhoce në aksin rrugor Gjirokastër- Kakavijë ka prezencë të shtuar të ujit. Po punohet nga ekipet në terren. Në aksin Gjirokastër-Valare ka prezencë të ujit në vendin e quajtur Aznak, ku kalueshmëria bëhet vetëm me mjete të larta.

Në bashkinë Libohovë problematik mbetet bllokimi i aksit rrugor Suhë-Poliçan, në vendin e quajtur Shkëmbi Dallëndyshes. Gjithashtu përroi i fshatit Labovë ka shtuar prurjet. Në terren po punojnë forcat bashkiake.

Qarku Dibër

Në të gjithë qarkun është punuar për të stabilizuar situatën e krijuar nga reshjet e shumta, veçanërisht në njësinë admnistrative Zall-Dardhë, në njësinë admnistrative Luzni, për shkak të prurjeve të përroit të Kusares, në njësinë admnistrative Tomin fshati Zdojan, në Arras, në fshatin Ketë të njësisë Xibër, në fshatin Bershi në Klos, në fshatin Kujtim, në fshatin Kurdari etj., ku ka patur probleme me rrugët.

Në bashkinë Mat po punohet për largunin e ujit në katet e para të shkollave; “Mustafa Gjestila” dhe “28 Nëntori” si edhe në disa banesa. Puna vijon në Fushë Baz, lagja “Nelaj” ku prurjet e përroit kanë bllokuar rrugët.

Nga ana e bashkisë Mat janë vënë në dispozicion 2 mjete zjarrfikëse, 3 fadroma dhe 5 mjete transporti gjithashtu mbi 40 forca të bashkisë për menaxhimin e situatës. Akset e rrugëve nacionale janë të kalueshme në normalitet.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në monitorim dhe kontakt të vazhdueshëm me strukturat e mbrojtjes civile dhe ekipet e emergjencave për marrjen e masave në çdo rast.

Ora 17:02
Moti i keq/ Izolohen 10 fshatra në Mirditë, shembje urash dhe rrugësh në disa fshatra

 

Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë shkaktuar fryrjen e përrenjve malorë në Mirditë, duke krijuar probleme të shumta infrastrukturore në disa zona të bashkisë.

Shembja e urave, rrëshqitjet e dherave dhe segmentet e dëmtuara rrugore kanë izoluar disa fshatra, ndërsa ekipet e emergjencave civile janë angazhuar në terren që prej mëngjesit për të vlerësuar situatën.

Në fshatin Jezull, banorët janë bllokuar pas rrëzimit të urës që lidh zonën me pjesën tjetër të territorit. Ata thonë se nuk kanë qenë kurrë më parë përballë një situate të tillë dhe kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë sa më shpejt.

Kryebashkiaku i Mirditës, Albert Melyshi, dhe prefekti i Lezhës, Taulant Malshi, inspektuan nga afër zonat më të dëmtuara, duke marrë informacion nga stafet teknike dhe banorët e prekur.

Në zonë ishte edhe deputeti Gjin Gjoni, i cili, në prag të diskutimeve për buxhetin në Parlament, kërkoi rritjen e fondeve për emergjencat civile dhe sektorin e bujqësisë, duke theksuar se bashkitë malore, si Mirdita, janë lënë jashtë mbështetjes së duhur.

Sipas të dhënave paraprake, rreth 10 fshatra janë aktualisht të izoluara për shkak të dëmtimeve të infrastrukturës rrugore dhe shembjes së urave. Situata mbetet kritike edhe për ujësjellësin e qytetit, pasi përroi i Tarazhit vazhdon të gërryejë zonën ku kalojnë tubacionet kryesore.

Gjatë një mbledhjeje të posaçme me emergjencat civile në Mirditë, u diskutuan problematikat kryesore dhe u vendos që për zonat e izoluara të mbahet gatishmëri e plotë për çdo ndërhyrje të nevojshme, duke garantuar mbi të gjitha sigurinë dhe jetën e banorëve.

Ora 14:13
Sërish rrëshqitje dherash në aksin Qukës-Qafë Plloçë, bllokohet një nga korsitë (VIDEO)

 

Në segmentin e ri rrugor Qukës-Qafë Plloçë janë shfaqur sërish vështirësi, pasi për të disatën herë janë regjistruar rrëshqitje dherash të cilat kanë rikthyer edhe njëherë vëmendjen mbi sigurinë dhe cilësinë e ndërtimit të këtij projekti të kushtueshëm.

Rruga, me një kosto rreth 260 milionë euro dhe me një periudhë ndërtimi që zgjati afro 14 vite, është prezantuar si një nyje e rëndësishme lidhëse midis lindjes dhe perëndimit të vendit por përsëritja e problemeve ka ngritur dyshime serioze mbi qëndrueshmërinë e saj.

Rrëshqitja e fundit ka sjellë grumbullim të madh inertesh mbi asfalt, duke bllokuar njërën prej korsive.

Firma përgjegjëse pritet të ndërhyjë për pastrimin dhe normalizimin e qarkullimit.

Ora 13:39
Reshjet e shiut shkaktojnë rrëshqitje dherash në Librazhd, grupet e punës në terren për zhbllokimin e rrugëve

Pas reshjeve të dendura që prekën territorin e Bashkisë Librazhd, ekipet e OSSH-Librazhd dhe shërbimet publike të bashkisë kanë ndërhyrë për normalizimin e situatës.

Sipas informacioneve zyrtare, energjia elektrike është rikthyer në pjesën më të madhe të zonave të prekura, ndërsa grupet e punës po vijojnë punën për furnizimin e plotë me energji në të gjithë bashkinë.

Paralelisht, po kryhen pastrime dhe zhbllokime të akseve rrugore ku reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje dherash dhe pengesa në qarkullim, me qëllim rikthimin e lëvizjes normale për banorët.

Autoritetet njoftojnë se situata është drejt stabilizimit dhe se po monitorohet nga afër deri në rikthimin e plotë të normalitetit.

Ora 13:21
Vlorë/ Kreu i emergjencave civile Çako në urën e Mifolit: Është pika më nevralgjike e shkarkimit të lumit Vjosa! Jemi në gatishmëri

 

Kreu i emergjencave civile Haki Çako ka inspektuar situatën në urën e Mifolit në zonën e Novoselës, kjo edhe referuar situatës në lumin Vjosë dhe rrezikut për daljen nga shtrati.

Çako ka theksuar se kjo zonë mbetet pikë nevralgjike referuar prurjeve te lumit Vjosë ndërsa situata është nën monitorim edhe në jug të vendit si Gjirokastër e Memaliaj për prurjet e lumit dhe situatat që mund të krijohen.

Kreu i emergjencave preku edhe situatën në qarkun e Vlorës ku në Delvinë e Finiq ka patur banorë të evakuuar. Sipas tij synohet stabilizimi i situatës ndërsa ka theksuar edhe se të gjitha strukturat janë gati nëse do të kërkohen evakuime edhe në fshatrat e Novoselës

“Informojmë se i gjithë sistemi i mbrojtjes civile është në gatishmëri. Momentalisht jemi në urën e Mifolit, pika më nevralgjike e shkarkimit të lumit Vjosa. Jemi në një situatë në kontroll, por vlerësimi bëhet në bazë të matjeve të prurjeve.  Në Përmet kemi një ulje të prurjeve.

Të gjitha strukturat janë në dispozicion, forcat në nivel kombëtar edhe bashkitë Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë gjitahshtu. Shpresojmë që prurjet të jenë në nivel të kontrollueshëm.

Ka pasur intensitet të lartë reshjesh në Delvinë. Ekipet kanë zhvendosur disa banorë. Forcat e emergjencave dhe ato të armataosura ndodhen në terren. Shpresojmë se situata të përmirësohet” tha ndër të tjera Çako.

Aktualisht niveli i lumit është rreth 5 metra.

Ora 12:52
Moti i keq, nënprefekti i Vlorës për Report Tv: Gjashtë familje të evakuuara në Delvinë e Finiq! Disa ura të shembura

1763552702_evakuim.jpg

Moti i keq që ka përfshirë vendin tonë ka sjellë mjaft problematika sidomos në jug të vendit.

Për Report Tv, Kristo Kiço, nënprefekt i Vlorës thotë se katër familje janë evakuuar në Delvinë, teksa dy familje të tjera janë evakuuar në Finiq.

“Si pasojë e reshjeve intesive gjatë natës kanë dalë nga shtrati lumi i Bistricës dhe lumi i Kalasës. Përpos reshjeve kanë ndikuar dhe zjarret e verës, pasi janë djegur pyjet. Dëmet janë kolosale në bashkitë Delvinë e Finiq.

Uji ka vërshuar në rrugë, toka bujqësore dhe banesa. Katër familje janë evakuar në Delvinë. Situata vazhdon të mbetet dhe tani kritike. Niveli i ujit është i lartë në argjinatura. Është shembur ura në hyrje të Delvinës, duke lënë në izolim banorët e Lefterhorit dhe Kakodhiqit.

Është shembur ura e Vanës, duke lënë në izolim banorët e Vanës. Aksi nacional Kranë–Muzinë është aktualisht i bllokuar nga përmbytja që ka shkaktuar Bistrica. Niveli i ujit në rrugë shkon në 50 cm”, ka thënë ai për Report Tv.

Ora 12:08
Reshjet në vend/ Në qarkun e Kukësit rrugët të kalueshme! Rritet niveli i ujit në liqenin e Fierzës

 

I gjithë territori i Qarkut të Kukësit vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa ekipet e emergjencave civile të tre bashkive po vijojnë angazhimin maksimal për koordinimin e punëve dhe menaxhimin e pasojave nga reshjet intensive të orëve të fundit.

Si pasojë e reshjeve, rrugët nacionale vijojnë të jenë nën trysninë e rënies së gurëve, inerteve dhe vërshimeve të ujërave. Subjektet kontraktore kanë punuar pa ndërprerje për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të këtyre akseve.

Të gjitha rrugët nacionale aktualisht janë të qarkullueshme.Në bashkinë Has, gjatë orëve të natës është shënuar dëmtimi i një ure që lidh fshatin Dobrunë me fshatin Bardhosh.

Bashkitë Kukës dhe Tropojë nuk raportojnë problematika emergjente. Deri tani nuk është raportuar asnjë aksident rrugor, ndërsa patrullat e policisë janë në terren duke këshilluar drejtuesit e mjeteve për kujdes të shtuar në rrugë.

I gjithë qarku furnizohet me energji elektrike, me përjashtim të disa njësive administrative dhe fshatrave: Shishtavec dhe Topojan (Bashkia Kukës), fshatrat Myç Has, Pus i Thatë, Domaj dhe Gjinaj, Metaliaj.

Si pasojë e reshjeve të dendura, në Liqenin e Fierzës janë rritur prurjet e ujërave nga lumenjtë kryesorë që furnizojnë kaskadën e Drinit.

Sipas KESH, HEC-i i Fierzës aktualisht nuk është në punë për shkak të kapacitetit më të madh të basenit, duke krijuar hapësirë operimi për HEC-in e Komanit.

Sasia e reshjeve në 24 orët e fundit ka arritur në 150- 200 mm në Fierzë. KESH njofton se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe operimi në kaskadë kryhet brenda kushteve teknike dhe kuotave të lejuara nga rregulloret në fuqi.

Ora 11:38
Moti i keq/ Zjarrfikësit shpëtojnë qenin në Dërmish të Finiqit! Ishte bllokuar në kolibe (VIDEO)

 

Që prej ditës së djeshme vendi ynë është përfshirë nga moti i keq. Në disa zona veçanërisht në jug të vendit situata paraqitet mjaft problematike.

Në fshatin Dërmish, bashkia Finiq shërbimi zjarrfikës ka shpëtuar një qen nga mbytja.

Qeni kishte mbetur i bllokuar në koliben e tij si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Ora 11:22
Bllokohet qarkullimi në Shelegar të Sarandës, kryeplaku: Përmbytjet shkak i ngushtimit të urës! E kam ngritur si problem po asnjë nuk e ka vënë ujin në zjarr

 

Moti i keq ka sjellë bllokimin e qarkullimit në fshatin Shelegar të Sarandës. Sipas kryeplakut të këtij fshati shkak i përmbytjeve të tilla është ngushtimi i urës.

Ilmi Beduli thekson edhe pse e ka ngritur disa herë si problem asnjë nuk e ka marrë në konsideratë.

“Kemi përmbytje tej mase, për shkak të ngushtimit të urës. Ndërtohen objekte mbushen me baza lumi nga të dyja anët dhe shiko si është situata sot. E kam ngritur disa herë si problem zgjerimin e rrugës dhe asnjëri nuk e ka vendosur ujin në zjarr”, thotë Ilmi Beduli.

Ora 10:26
Gjirokastër/ Përroi i Sopotit del nga shtrati, izolohen banorët (VIDEO)

 

Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin kanë shkaktuar probleme edhe në qarkun e Gjirokastrës.

Përroi i Sopotit në Lazarat ka dalë nga shtrati si pasojë e prurjeve të shumta.

Per rrjedhojë banorët në lagjen e sipërme veriore të Lazaratit janë izoluar.

Ora 10:02
Rritet niveli i prurjeve në lumin Vjosë, disa fshatra të Fierit rrezikojnë përmbytjen

 

Prurjet e lumit Vjosë po rriten me shpejtësi dhe rrezikojnë të sjellin përmbytje në disa fshatra të bashkisë Fier me shtrirje gjatë rrjedhës së lumit.

Në një prononcim për mediat kreu i bashkisë Fier, Armando Subashi ka pohuar se niveli i prurjeve në Memaliaj është në kuotën e 6 metrave, dhe ndërsa po shtohen.

Nga përvoja e viteve të mëparshme, teksa i afrohen kuotës 6.5 metrave, fillon dhe shfaqet rreziku për zonën tonë thotë ai, ndërsa nënvizon se të gjitha këto zona të rrezikuara po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme.

Përballë kësaj situate, Subashi u ka bërë apel banorëve të fillojnë evakuimin fillimisht të bagëtive në stanet e ndërtuara pranë lumit.

Emergjencat pranë bashkisë Fier janë pozicionuar në terren pranë Urës së Mifolit me qëllim për të ndërhyrë në kohë në rast të daljes nga shtrati të lumit.

Ndërkohë hidrovorët janë duke punuar me kapacitet të plotë ndërsa nuk ka patur probleme me furnizimin me energji elektrike.

“Hidrovorët janë në punë, kanë ditë që janë në punë, sepse kjo situatë është lajmëruar ditë më parë. Fatmiërsisht nuk kemi pasur probleme me energjinë elektrike, siç kanë pasur disa zona të vendit”, thotë ai.

Ora 09:44
Moti i keq në Lezhë/ Pa energji disa fshatra në Kurbin, problematikë mbetet aksi rrugor Rreshen - Bukmirë! Në Kaçinar dhe Fan janë dëmtuar disa ura

1763542195_dritaaa.JPG

Moti i keq ka shkaktuar probleme në disa zona të qarkut Lezhë. Në bashkinë Kurbin, fshatrat Skuraj, Gallatë dhe Vinjollë kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të një dëmtimi të linjës përgjatë lumit Vinjollë. Në njësinë Mamurras janë dislokuar 7 efektivë të Forcave të Armatosura me një varkë, për të qenë gati për ndërhyrje në raste evakuimi. Mësimi zhvillohet normalisht, me përjashtim të nxënësve të fshatit Shpërdhet, të cilët nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të dëmtimit të rrugës.

Në bashkinë Lezhë situata është përmirësuar pas ndërhyrjeve të strukturave bashkiake, të cilat punuan deri natën vonë dhe në mëngjes për pastrimin e ujërave të mbledhura në oborrin e shkollës “Nënë Tereza”. Puna vazhdon me pastrimin e rrugëve dhe pusetave. Familjet e evakuuara janë sistemuar në konviktin e shkollës “Kolin Gjoka”, ku Kryqi i Kuq do t’u ofrojë ndihma ushqimore.

Në bashkinë Mirditë, problem kryesor mbetet aksi rrugor Rrëshen–Bukmirë, ku ka rënie gurësh dhe gërryerje të bazamentit. Edhe akset rurale janë dëmtuar nga dalja e përrenjve malorë, ndërsa në zonat Kaçinar dhe Fan disa ura automobilistike dhe ura pasarela janë dëmtuar dhe po mbahen nën monitorim deri në qetësimin e situatës për të nisur riparimet. Në fshatin Tarazh ka pasur dalje të përroit në tokat bujqësore, ndërsa në fshatin Jezull janë dëmtuar dërrasat e një ure tip Bejli. Në këtë bashki nuk ka probleme me furnizimin me energji.

Sa i takon lumenjve, niveli i Drinit është ulur me rreth 50 centimetra nga mbrëmja e djeshme dhe aktualisht qëndron në kuotën 1.10 metra. Lumi Mat nuk paraqet probleme, ndërsa lumi Drojë vazhdon të jetë në kuota të larta për shkak të reshjeve të natës.

Ora 09:42
Moti i keq/ Ministria e Mbrojtjes: Situata në Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm është drejt normalizimit! Vijon puna për rikthimin e energjisë elektrike

1763541763_delvine.jpg

Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim mbi situatën e reshjeve të shiut në vend.

Qarku Lezhë

Vijon puna për normalizimin e situatës në fshatrat Gjorm, Zhejë dhe Fushë Mamurras në njësinë administrative Mamurras, bashkia Kurbin. Rruga në fshatin Shpërtheth mbetet e dëmtuar nga ujërat e lumit Droje, por po punohet nga forcat në terren.

Gjithashtu po vijon puna për sigurimin e kalueshmërisë në segmentin rrugor Skuraj-Gallatë, njësia administrative Milot, por edhe në njësinë administrative Kaçinar, ku ura në fshatin Shpërdhezë u dëmtua nga reshjet me intensitet.

Qarku Durrës

Situata në njësitë administrative Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm është drejt normalizimit, ujërat janë tërhequr nga zonat e prekura.

Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale.

Hidrovorët në Porto Romano dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.

Qarku Kukës

Të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme.

Qarku Shkodër

Është zhbllokuar segmenti rrugor Theth-Ndërlysaj në njësinë administrative Shalë.

Mbetet i bllokuar segmenti Ndërlysaj-Breg-Lumi, ku punimet do të vijojnë gjatë ditës së sotme.

Qarku Gjirokastër

Aksi rrugor Sofratikë-Libohovë është kthyer në normalitet.

Aktualisht ka prani të shtuar ujërash në segmentin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në urën e Kardhiqit dhe në rrethrrotullimin e urës së lumit në qytetin e Gjirokastrës.

Qarku Elbasan

Vijojnë punimet për pastrimin e inerteve në segmentin rrugor Elbasan–Peqin, në vendin e quajtur “Murraç”, si dhe në segmentin Elbasan–Librazhd.

Qarku Korçë

Në fshatin Sanjollas, njësia administrative Barmash, bashkia Kolonjë, situata është normalizuar falë zhbllokimit të tombinove dhe pastrimit të inerteve, duke u shmangur rreziku për banesat.

SITUATA ENERGJETIKE

Ekipet e OSHEEE po vijojnë punën për rikthimin e furnizimit me energji

Në fshatrat Skuraj, Vinjollë dhe Gallatë, në qarkun e Lezhës

Në njësitë administrative Topojan, Shishtavec, Zapod, Bytyç dhe Lekbibaj në qarkun e Kukësit

Në njësitë administrative Hajmel dhe Vig–Mnelë (bashkia Vau-Dejës), si dhe në Iballë dhe Qafë-Mali (bashkia Fushë-Arrëz) në qarkun e Shkodrës

Në zonën Maricaj, Memaliaj, në qarkun e Gjirokastrës

Ora 09:29
Lumi i Kalasës del nga shtrati, vështirëson qarkullimin në rrugën Sarandë - Delvinë (VIDEO)


Uji i lumit të Kalasës ka dalë nga shtrati në Shijan duke vështirësuar kalimin në rrugën Sarandë - Delvinë dhe Kardhiq. 

Ora 09:27
Rrugë të bllokuara dhe rrëshqitje dherash në qarkun e Vlorës! Del nga shtrati lumi Bistricë! Përmbytet një banesë në Nivicë (VIDEO)

 

Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë krijuar disa vështirësi në disa zona të Qarkut Vlorë, ndërsa strukturat vendore dhe emergjencat civile janë në gatishmëri dhe po punojnë për normalizimin e situatës.

Nivicë, Bashkia Himarë

Në fshatin Nivicë është përmbytur banesa e shtetasit S.DH . Shërbimet vendore janë njoftuar dhe po monitorojnë situatën nga afër.

Vishe, Bashkia Himarë

Në këtë fshat, njëra anë e rrugës është bllokuar nga inertet e rrëshqitura. Ekipet e Bashkisë Himarë ndodhen në terren dhe po punojnë për hapjen e plotë të aksit.

Brataj, Bashkia Selenicë

Rrëshqitje dherash dhe inertesh kanë bllokuar njërën anë të rrugës. Shërbimet e Bashkisë Selenicë po kryejnë pastrimin dhe normalizimin e qarkullimit.

Aksi rrugor Virion-Muzinë, pranë fshatit Mesopotam

Lumi Bistricë ka dalë nga shtrati dhe niveli i ujit ka arritur rreth 50 cm, duke e bërë rrugën të pakalueshme. Shërbimet e emergjencave në Prefekturë, bashkitë dhe Policia Rrugore janë vënë menjëherë në dijeni dhe po ndjekin situatën.

Ora 08:52
Situata nga moti i keq në Korçë, rënie inertesh në disa rrugë! Pa energji elektrike mbi 770 abonentë në disa zona

1763536617_energjielektrike.jpg

Në qarkun e Korçës, situata nga moti i keq paraqitet e qetë. Reshjet kanë sjellë prezencë inertesh dhe grumbullime ujërash në disa segmente rrugore, por ARRSH njofton se të gjitha akset janë të hapura.

Sipas OSHEE, për shkak të erës dhe reshjeve aktualisht janë pa energji 776 abonentë në këta fidera: Fideri Vithkuq – N/St Rehovë: 289 abonentë; Fideri Potgozhan – N/St Gur i Kuq: 130 abonentë; Fideri 3 – N/St Ersekë: 100 abonentë; si dhe Fideri JO6 – N/St Leskovik: 257 abonentë. 

Grupet operative të OSHEE dhe strukturave vendore janë në terren dhe po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike dhe garantimin e normalitetit në të gjitha zonat.

Ora 08:51
Elbasan/ Rënie gurësh dhe inertesh në disa akse rrugore, probleme me energji elektrike në disa zona

1763538730_elbasan.jpg

Në qarkun e Elbasanit, reshjet e shiut kanë qenë me intensitet më të lartë gjatë natës. Autoritetet thonë se ka pasur rënie gurësh dhe inertesh në disa akse rrugore. Më konkretisht, në aksin nacional Elbasan- Qafë Thanë ka pasur rënie gurësh dhe rënie pemësh në dy raste. Në Elbasan-Peqin, ka pasur dalje aluvionesh. 

Në aksin Elbasan-Gjinar në Derstilë dhe në aksin Gramsh-Moglice në Bersnik ka pasur rënie inertesh e aluvionesh. Por në të gjitha akset është ndërhyrë shpejt dhe janë të hapura për qarkullim. Në qytetin e Elbasanit, ka pasur prani uji në sasi tëmëdha por pa shkaktuar probleme me qarkullimin. 

Po ashtu, strukturat njoftojnë se ka pasur ndërprerje me energji elektrike në zonat malore të njësive administrative Orenje Linik, Polis, Hotolisht të bashkisë Librazhd, Qukës neë bashkinë Prrenjas, fidri i Banjës ne bashkinë Gramsh, dhe Labinot Fushe në bashkinë Elbasan. Po punohet për riparimin e defekteve.

Ora 08:36
Moti i keq/ Vërshojnë ujërat në Delvinë, izolohen banorët në fshatin Vanë dhe lagjen Xhermëhallë (VIDEO)

 

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Delvinën kanë shkaktuar problematika. Ujërat kanë vërshuar dhe kanë izoluar banorët e fshatit Vanë dhe ato të lagjes Xhermëhallë. Raportohet për dëme nëpër banesa.