Moti i keq në Pogradec ka shkaktuar probleme të shumta, ku prurjet e lumit të Vërdovës kanë dëmtuar rrugën duke e bërë të vështirë qarkullimin e mjeteve.

Drejtori i Emergjencave në Bashkinë e Pogradecit, Nexhmi Torra, deklaroi se lumi i Vërdovës prej vitesh mbetet një problem serioz për zonën, duke shkaktuar dëme në tokat bujqësore e banesa si pasojë e daljes nga shtrati nga reshjet.

Sipas Torrës, Bashkia e Pogradecit ka punuar prej kohësh për gjetjen e një zgjidhjeje, duke paraqitur kërkesa të shumta pranë institucioneve përkatëse. Megjithatë, për shkak të gjendjes së kufizuar financiare të bashkisë dhe komunitetit, është kërkuar ndihmë nga qeveria qendrore.

'Lumi i Vërdovës ka qenë një problem i hershëm. Bashkia e Pogradecit ka punuar prej kohësh për të zgjidhur këtë problem, kemi bërë edhe kërkesa në institucionet përkatëse. Gjendja e financiare e bashkisë është e vogël dhe i jemi drejtuar qeverisë për ndihmë. Kemi folur me të gjitha institucionet. Kryetari i bashkisë ka folur me institucionet dhe ato janë të gatshme, por ne jemi ende në fazën e aplikimit për financim.

Lumi i Vërdovës shkakton probleme në tokat bujqësore dhe në familje. Ka disa familje që kanë bërë raportime. Kemi informuar kompanitë e qarkullimit rrugor dhe të format e mirëmbajtjes që të tregojnë kujdes, sepse kjo rrugë mund të bllokohet herë pas here. Meqë një rrugë bllokohet, kemi dhënë paralajmërim edhe për tjetrën, sepse edhe ajo mund të bllokohet herë pas here’, tha ai.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Viktima e parë, 54-vjeçari humb jetën në Durrës! Evakuime në Katund të Ri, Sukth dhe 3 fshatra të Fierit e Vlorës (VIDEO)