Uji nisi paraditen e sotme të tërhiqet në Qarkun e Korçës, aty ku u regjistrua viktima e parë nga reshjet në vend. 75-vjeçarja Flora Hoxha u gjet e pajetë në prroin e fshatit Progër të Devollit, ku prej më tepër se 24 orë ishte denoncuar e zhdukur nga i biri i saj. E moshuara e cila vuante nga demenca, duket se ka dalë jashtë banesës së saj ne momentin e vërshimit të ujit në fshatin Progër ku ka gjetur dhe vdekjen.
Në Pogradec mbi 50 banesa janë dëmtuar nga vërshimet e ujit, dy prej tyre të cilave janë të pabanueshme, ndërsa 8 familjarët janë akomoduar përkohësisht nga bashkia e qytetit në banesa me qira. Dëme në banesa janë evidentuar në të gjithë qarkun, ku në Sovjan të Maliqit, 15 familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.
Në të gjithë qarkun mbi 15 ura janë dëmtuar nga rrjedhat e lumenjve dhe prrenjve, më kritikja ndodhet në fshatin Çetë të Devollit aty ku është ndaluar qarkullimi i automjeteve. Sipas informacioneve nën ujë janë mbi 300 hektarë tokë e mbjellë me grurë, misër, patate etj, në Maliq dhe 35 hektarë në Pogradec.
Një pulari në Maliq dhe një stallë delesh në Lëshnje u përmbyt duke shënuar dëme të mëdha në blegtori, gjithashtu edhe një park bletësh në Gështenjas të Pogradecit. Dëmtimet ë shumta në argjinaturën e lumenjve Devoll dhe Dunavec bënë që të rritej ndjeshëm rreziku për përmbytjen e fshatit Sheqeras të Maliqit, por sot situata shihet në kontroll.
Hidrocentrali i Moglicës hapi portat e emergjencës sot për shkak të prurjeve të cilat arritën maksimumin e nivelit. Aktualisht janë mbi 800 familje pa energji elektrike. Grupet e emergjencave te prefekturës dhe bashkive po vlerësojnë dëmet në banesa, blegtori dhe bujqësi, ndërsa më herët të zgjedhurit vendor kanë premtuar që objektet e banimit do të riparohen plotësisht dhe do të kompensohen dëmet.
Lajmi kryesor:
Viktima e parë nga moti i keq, 75-vjeçarja mbytet në përroin e Devollit! Evakuohen 50 familje në Sarandë e Korçë, 1500 hektarë tokë nën ujë (VIDEO)








