VAU I DEJËS-  Reshjet u rikthyen dhe bashkë me to edhe problemet. Shirat intensivë të 24 orëve të fundit kanë sjellë një situatë të rënduar, kryesisht në qarkun e Shkodrës. 100 shtëpi janë nën ujë në bashkinë e Vaut të Dejës. Vërshimi i ujërave të përroit të Glinës ka sjell dëmtimin e disa rrugëve, ndërkohë që unaza e Vaut të Dejës u përmbyt.

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli, thotë se situata mund të shkojë më keq, ndërsa prioritet për momentin është shpëtimi i jetëve njerëzore.

“Janë rreth 100 shtëpi që kanë prezencë të ujit, dëmet janë të mëdha në bagëti dhe shpendë, kosheret e bletëve, shpresojmë të mos rrezikojmë jetën e njerëzve sepse situata është mjaft e rëndë. Stafi i bashkisë është në terren, është përkrah njerëzve, besoj që çdo gjë do shkojë mirë në evakuim, por shpresoj të mos kemi nevojë për evakuim”, tha Shkreli.

Por ministria e Mbrojtjes thotë se niveli i ujit është ulur ndjeshëm dhe në disa banesa është tërhequr plotësisht.

Si pasojë e reshjeve intensive në territorin e bashkisë Vau i Dejës, janë shkaktuar edhe defekte në rrjetin energjetik, çka ka sjellë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

Në bashkinë Shkodër deri tani problematika ka vetëm në njësinë administrative Gur i Zi, ku ka pasur vërshim të prurjeve. Bashkia ka ndërhyrë me qëllim evitimin e bllokimit të urës dhe të prurjeve inerte.

Sipas informacioneve që përcjell Prefektura e Shkodrës, deri tani nuk janë shënuar probleme me kanalet e kullimit apo me argjinaturat mbrojtëse, funksionimi normal I të cilave, evitoj përmbytjet në bashkinë e Shkodrës.

Reshje të dendura ka pasur edhe në qarkun e Kukësit, të cilat kanë vështirësuar kalimin në Rrugën e Kombit dhe në disa akse të tjera.

Sipas parashikimeve meteorologjike, do të vijojnë edhe përgjatë 24 orëve në vijim, por me një intensitet në rënie.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:55
Përmbytjet/ Shtabi i Emergjencave: Në Vaun e Dejës evakuohet një familje, disa zona pa energji elektrike

1761505182_permbytjeneshkoder.jpg

Pas reshjeve të dendura të shiut dhe prurjeve të mëdha të ujërave në territorin e qarkut Shkodër, Shtabi i Emergjencave ka bërë bilancin e situatës dhe pasojave të shkaktuara nga moti i keq.

Nga komunikimi me strukturat vendore të Mbrojtjes Civile dhe njësitë përkatëse të qarkut, Prefekti i Qarkut Shkodër  bën me dije se:

Bashkia Shkodër

Pas intensitetit të lartë të reshjeve të shiut dhe prurjeve të jashtëzakonshme të përrenjve, situata në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet më e qetë në këto momente.

* Problematikat kryesore janë evidentuar në njësinë administrative Gur i Zi (fshatrat Gur i Zi, Juban, Verracak) dhe në njësinë administrative Bërdicë (Bërdicë e Sipërme, Mali Hebaj, Beltojë, Bërdicë e Madhe, Bërdicë e Mesme, Trush).

* Është konstatuar prezencë uji në rreth 25–30 banesa në njësinë Bërdicë dhe 10–15 banesa në Gur i Zi.

* Të gjitha strukturat vendore (Emergjencat Civile, NSHPP, IMT, Policia Bashkiake, MNZ dhe strukturat e tjera mbështetëse) janë angazhuar me burime njerëzore dhe mjete logjistike për zhbllokimin e nyjeve, pastrimin e kanaleve dhe inerteve, si dhe për ndihmë ndaj banorëve.

* Janë përdorur 3 eskavatorë, 3 fadroma, 2 kamionë, 3 kamionçina, pompa thithëse dhe mjete “pick-up” për normalizimin e situatës.

* Tokat bujqësore janë përmbytur në njësinë Gur i Zi dhe në zonën e Nënshkodrës (Bërdicë, Dajç, Velipojë, Ana e Malit) në masën rreth 70%.

* Theksohet se prurjet e ujit kanë prekur zona që nuk janë përfshirë as gjatë përmbytjeve të vitit 2010.

* Nuk ka persona të evakuuar deri në këto momente.

* Ka mungesë energjie elektrike në pjesë të Bardhajve dhe Rrencit, për shkak të djegies së një transformatori.

* Situata është në monitorim të vazhdueshëm, pasi gjatë natës parashikohet vazhdim i reshjeve me intensitet deri në mesnatë.

Bashkia Vau Dejës

* Për shkak të reshjeve të dendura, situata në territorin e bashkisë është përkeqësuar ndjeshëm.

* Dalja nga shtrati e përroit Glina ka përmbytur rreth 100 banesa dhe disa hektarë tokë bujqësore.

* Në lidhje me përroin e Glinës, është e domosdoshme kryerja e investimeve rehabilituese për të shmangur pasojat e përmbytjeve.

* Strukturat operative të bashkisë janë në gatishmëri të plotë dhe kanë ndjekur situatën në terren që prej orëve të para të mëngjesit.

* Janë raportuar rrëshqitje dherash dhe përmbytje infrastrukture në rrugët kryesore dhe dytësore të qytetit dhe fshatrave.

* Deri tani është evidentuar një rast evakuimi.

* Strukturat operative vijojnë punën në terren në mbështetje të banorëve.

Bashkia Pukë

* Vijojnë reshjet intensive të shiut.

* Raportohen probleme në rrugët rurale të njësive administrative Gjegjan, Rrapë, Qelëz dhe Qetërr, me rrëshqitje dherash, rënie gurësh dhe vërshime ujërash.

* Furnizimi me energji elektrike është me ndërprerje të herëpashershme.

* Situata është nën monitorim të vazhdueshëm.

Bashkia Fushë Arrëz

* Reshjet e shiut vazhdojnë me intensitet të lartë.

* Ka prezencë të konsiderueshme ujërash në rrugë, si dhe rrëshqitje dherash e rënie gurësh në rrugët auto-rurale të njësive administrative të bashkisë.

* Furnizimi me energji elektrike ka pasur shkëputje periodike në disa fshatra të njësive Qafë-Mali, Iballë, Blerim dhe Fierzë.

* Deri tani nuk raportohen probleme të tjera nga Emergjencat Civile.

Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë

* Sasia e reshjeve në 24 orët e fundit në Qarkun Shkodër ka kaluar 200 mm, me reshje që vijojnë me intensitet të lartë.

* Veprat e mbrojtjes nga përmbytjet (argjinaturat, digat dhe diga e rezervuarit Shtodër) nuk paraqesin probleme.

* Kanalet kryesore të kullimit funksionojnë, por prurjet janë jashtë kapaciteteve përcjellëse.

* Si pasojë, në disa zona të banuara në Vau Dejës, Bushat, Melgushë dhe Gur i Zi, uji ka dalë jashtë seksioneve të kanaleve.

* Nivelet e lumenjve Buna, Drin dhe Kir aktualisht janë poshtë kuotave të rrezikimit.

Reshjet e shiut vijojnë në të gjithë territorin e qarkut me intensitet të ulët deri mesatar.

Strukturat vendore të Mbrojtjes Civile, bashkitë dhe institucionet mbështetëse janë në gatishmëri të plotë, duke ndjekur situatën në terren dhe ndërhyrë aty ku është e nevojshme.

Ora 17:06
Moti i keq/ Ministria e Mbrojtjes: Ulet ndjeshëm niveli i ujit në Vaun e Dejës

Teksa vendi është përfshirë nga moti i keq, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se në bashkinë Vau Dejës, është ulur ndjeshëm niveli i ujit dhe në disa banesa është tërhequr plotësisht.

Ndërsa probleme janë shkaktuar edhe në bashkinë Fushë Arrëz, ku në njësinë administrative Gur i Zi, ka pasur rrëshqitje inertesh, ku po punohet për heqjen e tyre.

Po ashtu sipas, Ministrisë së Mbrojtjes, nuk raportohen problematika në infrastrukturë apo banesa si pasojë e kushteve të motit.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrotjes:

Strukturat e mbrojtjes civile në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse janë në terren dhe po ndjekin nga afër situatën në të gjithë vendin si pasojë e reshjeve të shiut gjatë 24 orëve të fundit.

Qarku Shkodër rezulton më i prekur nga reshjet me intensitet të lartë.

Që nga mëngjesi i sotëm ekipet e AKMC dhe FA kanë ndjekur në terren situatën në, ku aktualisht situata është drejt normalizimit.

Niveli i ujit është ulur ndjeshëm dhe në disa banesa është tërhequr plotësisht.

Në zonat ku banesat rrezikoheshin nga prurjet e përroit, po ndërhyhet me eskavatorë për devijimin e rrjedhës dhe ngritjen e një argjinature mbrojtëse.

Gjithashtu po punohet në bashkinë Fushë Arrëz  dhe në njësinë administrative Gur i Zi për pastrimin e inerteve në akset ku ka patur rënie gurësh, për të garantuar qarkullimin normal.

Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika në infrastrukturë apo banesa si pasojë e kushteve të motit.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile,  Forcat e Armatosura të Shqipërisë, strukturat e emergjencave civile te bashkive dhe institucioneve në varësi janë në gatishmëri dhe vijojnë monitorimin e situatës në mënyrë të vazhdueshme.

Ora 15:11
Moti i keq, Benet Beci: Situata është e normalizuar në Bashkinë Shkodër (VIDEO)

Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci ka reaguar në lidhje me situatën e shkaktuar nga moti i keq në Shkodër.

Beci shkruan se situata është e normalizuar, ndërsa si pasojë e reshjeve, janë evidentuar problematika në dy njësi administrative në Bërdicë dhe në Gurin e Zi.

Ndërsa po ashtu, Beci thekson se janë angazhuar 35 punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, 18 efektivë të Policisë Bashkiake, si dhe punonjës të Ujësjellësit dhe të Emergjencave Civile.

Postimi i Becit:

Situata e normalizuar në Bashkinë Shkodër

Që prej orëve të para të mëngjesit, territori i Bashkisë Shkodër është përfshirë nga reshje intensive shiu.

Si pasojë e reshjeve, janë evidentuar problematika në dy njësi administrative në Bërdicë dhe në Gurin e Zi.

Menjëherë pas njoftimit, strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Shkodër, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Policia Bashkiake kanë qenë në terren për të ndërhyrë dhe zgjidhur problematikat e shkaktuara nga reshjet.

Në terren janë angazhuar 35 punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, 18 efektivë të Policisë Bashkiake, si dhe punonjës të Ujësjellësit dhe të Emergjencave Civile.

Sipas të dhënave nga terreni, situata është përmirësuar dhe aktualisht është drejt normalizimit. Ekipet e Bashkisë vijojnë të jenë në terren për monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen e menjëhershme në rast nevoje.

Ora 14:19
Përmbytjet, Bashkia e Vaut të Dejës apel banorëve: Tregoni kujdes të shtuar! Ekipet janë në terren

Teksa moti i keq ka përfshirë Vaun e Dejës, Bashkia iu ka bërë thirrje banorëve që të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos në zonat pranë lumenjve dhe përroskave ku niveli i ujit është rritur ndjeshëm.

Në një njoftim publik, shkruhet se ekipet e Emergjencave Civile të Bashkisë Vau Dejës janë në gatishmëri të plotë prej orëve të para të mëngjesit dhe po ndjekim nga afër situatën në terren.

Ndërsa ashtu theksohet se Bashkia Vau Dejës po bashkëpunon ngushtë me institucionet e tjera, për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Njoftimi i plotë:

Njoftim nga Bashkia Vau Dejës

Të nderuar banorë,

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë territorin e Bashkisë Vau Dejës përgjatë orëve të fundit situata ka agravuar. Dalja nga shtrati e përroit Glina ka përbytur toka e banesa.

Ekipet e Emergjencave Civile të Bashkisë Vau Dejës janë në gatishmëri të plotë prej orëve të para të mëngjesit dhe po ndjekim nga afër situatën në terren. Për çdo rast problematik — përmbytje, rrëshqitje dheu apo dëmtime infrastrukturore — ju ftojmë të njoftoni në numrat e emergjencës ose të kontaktoni drejtpërdrejt me strukturat e bashkisë.

U bëjmë thirrje të gjithë banorëve të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos në zonat pranë lumenjve dhe përroskave ku niveli i ujit është rritur ndjeshëm.

Bashkia Vau Dejës po bashkëpunon ngushtë me institucionet përgjegjëse për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e pronës publike e private.

Kujdesi juaj dhe bashkëpunimi me autoritetet është thelbësor për të përballuar me sa më pak pasoja këtë situatë

Ora 14:05
Kukësi përfshihet nga moti i keq, rënie gurësh dhe inertesh në disa rrugë! Mjegulla e dendur vështirëson qarkullimin në Rrugën e Kombit

Prej mëngjesit, qarku i Kukësit është përfshirë në mot të keq, me reshje shiu dhe mjegull të dendur. Për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve, janë raportuar problematika në disa rrugë rurale dhe nacionale.

Sipas informacioneve paraprake, në segmentet nacionale Kukës–Qafë Mali, Kukës–Bushtricë, Kukës–Shishtavec, Kukës–Kam–Tropojë dhe Kukës–Bushtricë–Peshkopi ka prezencë uji në sipërfaqe, ndërsa në disa pjesë të rrugës janë regjistruar rënie gurësh dhe inerteve. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.

Edhe Rruga e Kombit ka patur pasoja e motit të keq. Segmenti Kolsh–Tuneli i Kalimashit u përfshi nga mjegull e dendur, duke e vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Në dy pika të tjera, respektivisht në hyrje të qytetit të Kukësit dhe pranë Urës së vjetër mbi Drinin e Zi, janë shënuar rënie gurësh dhe dherash. Ekipet e Bashkisë Kukës kanë ndërhyrë për pastrimin e rrugës dhe largimin e materialeve, ndërsa segmenti hyrës në qytet u përmbyt përkohësisht nga uji.

Nga ana tjetër, reshjet e fundit janë të mirëpritura për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare pasi pritet të ndihmojnë në rritjen e nivelit të ujit në liqenin e Fierzës, ujëmbledhësin më të madh të kaskadës së Drinit, i cili ndodhej prej javësh në nivel kritik për shkak të mungesës së reshjeve.

Kjo situatë ka sjellë gjithashtu në sipërfaqe rrënojat e Kukësit të vjetër, që zakonisht mbeten nën ujërat e liqenit. Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet e shiut pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Ora 13:13
Reshjet e dendura të shiut, Policia Rrugore apel drejtuesve: Tregoni kujdes, zbatoni rregullat e qarkullimit

Si pasojë e motit të keq me reshje shiu, ku në disa akse rrugore ka prezencë uji apo edhe rënie inertesh, Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të zbatojnë udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.

“Strukturat e Policisë Rrugore janë në terren, për të ndihmuar dhe parandaluar ngjarjet rrugore. Ndërkohë, po bashkëpunohet me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve, me qëllim pastrimin në kohë të segmenteve ku, si pasojë e reshjeve, ka pasur rënie inertesh në rrugë”, thuhet në një reagim të Policisë Rrugore.

Ora 12:47
Moti i keq/ Kryebashkiaku i Vaut të Dejës: 100 banesa të përmbytura, lumi i Glinës ka dalë nga shtrati

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli thotë se lumi i Glinës ka dalë nga shtrati. Deri më tani Shkreli thotë se raportohet për prezencë uji në 100 banesa në këtë bashki.

“Vau i Dejës është më problematik, përroi i glinës ka dalë jashtë shtratit, po bën përmbytje. Janë rreth 100 shtëpi që kanë prezencë të ujit, dëmet janë të mëdha në bagëti dhe shpendë, kosheret e bletëve, shpresojmë të mos rrezikojmë jetën e njerëzve sepse situata është mjaft e rëndë. Stafi i bashkisë është në terren, është përkrah njerëzve, besoj që çdo gjë do shkojë mirë në evakuim, por shpresoj të mos kemi nevojë për evakuim. Problemi kryesor është përroi i Glinës, me fondet e bashkisë së Vaut të Dejës është i pamundur realizimi i këtij projekti”, tha Shkreli.

SI.E./K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Viçidoli: 26/10/2025 16:17

    O kryetar po pse nuk u ankove që në qershor,korrik për këtë përruan e glinës...po tani që të erdhi veza në bithë e të djeg bitha ....sa mirë do qe të të merrte ene ty me vete përroi i glinës....

    Përgjigju
  • Beni: 26/10/2025 15:31

    Rezultati permbyset, toka permbytet

    Përgjigju
  • ylli: 26/10/2025 14:55

    MOS U MERZISNII SE JUA RREGYLLON RAMA ..

    Përgjigju
  • Alb: 26/10/2025 13:02

    He m se ua zgjidh diella

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?