Reshje dëbore e ngrica! Bllokohet një orë në mbrëmje bypassi në rrugën e Arbrit! Lëvizja e mjeteve me zinxhirë! Fshatra pa energji në disa qarqe

Reshjet e dëborës që përfshinë vendin ditën e djeshme, kanë shkaktuar probleme të shumta në qytete të ndryshme të vendit, kryesisht në veri, në qarkun e Dibrës, Kukësit, Shkodrës dhe Lezhës.

Pjesa më e madhe e qarkut të Dibrës qëndroi pa energji elektrike që prej pasdites së djeshme si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës që mësohet se kanë shkaktuar dëmtimin e disa shtyllave të rrjetit elektrik. Energjia u rikthye gjatë mesditës së sotme (26 nëntor). Problematika kryesore ka qenë në bypassim në rrugën e Arbrit që është bllokuar sërish këtë mbrëmje për rreth një orë për shkak të ngricave.

Ndërkohë sot, në Parkun Kombëtar të Qafështamës në Fushë Krujë dëbora ka arritur deri në 30 cm duke shkaktuar vështirësi në kalimin e rrugës Krujë-Qafështamë. Në fshatrat e malësisë, niveli i dëborës është më i ulët dhe nuk raportohet për rrugë të bllokuara apo problematika.

Në Malin e Krujës, niveli i dëborës shkon deri në 10 centimetra, ndërsa rruga është e kalueshme me vështirësi si pasojë e prezencës së akullit dhe dëborës në rrugë. Gjatë natës, ka rënë edhe niveli i lumit Ishëm i cili fatmirësisht nuk ka shkaktuar përmbytje në asnjë nga pikat kritike.

Kukës- Rrugët rurale janë të kalueshme me zinxhirë, përveç rrugëve të Njësisë Administrative  Arrën, Zapod, Grykë-Çajë dhe Kalis të cilat janë të bllokuara. Në Bashkinë Tropojë, furnzimi me energji eletrike aktualisht është ndërprerë në Njësitë Administrative Bytyq dhe Llugaj. Në bashkinë e Hasit, ky problem është në Njësitë Administrative Golaj dhe Gjinaj.

Korçë- Situata është normalizuar në pjesën më të madhe të akseve rrugore pas ndërprerjes së reshjeve të dëborës. Problem ka në furnizimin me energjinë elektrike të disa fshatrave në bashkitë e Pogradecit dhe Maliqit. Ndërsa në Voskopojë e Dardhë, janë shtuar rezervimet e turistëve për të kaluar fundjavën. 

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ekipe të OSHEE janë angazhuar për rikthimin e energjisë elektrike në zonat ku është ndërprerë por thekson se ndërhyrja është e vështirë për shkak të pranisë së lartë të akullit. Ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonat me prani të lartë akulli dhe që përdorin automjetet me goma dimërore e zinxhirë për të qarkulluar.

Mbrëmjen e djeshme, reshjet e dëborës shkaktuan bllokimin e rreth 300 automjeteve në bypassin e Qafë Murrizit në Rrugën e Arbrit dhe 100 automjeteve të tjera në aksin Maqellarë-Peshkopi. Pas ndërprerjes së reshjeve të dëborës, është bërë zhbllokimi dhe kriposja e rrugëve. Pjesa më e madhe e automjeteve që ishin nisur nga Tirana për në Dibër u kthyen mbrapsht.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:01
Mbrëmja sjell ngrica, bllokohet për rreth një orë bypassi në rrugën e Arbrit

Për shkak të ngricave që kanë ardhur si pasojë e uljes së temperaturave, bypassi në rrugën e Arbrit  është bllokuar sërish këtë mbrëmje për rreth një orë. Në orët e mbrëmjes dhe mëngjesit ky segment rrugor kalohet vetëm me zinxhirë.

Ora 15:27
U ndërpre prej motit të keq, rikthehet energjia elektrike në Dibër

Energjia elektrike është rikthyer në disa fshatra të Dibrës ku ishte ndërprerë për shkak të motit të keq. Pas shumë difektesh të shkaktuara nga dëbora OST dhe grupet e punës kanë rikthyer energjinë elekrike.

    Ora 11:48
    Reshjet e borës në Dibër, qytetari i revoltuar: Bashkia asnjë fadromë për të pastruar rrugët, me kaq pak dëborë u bllokuam

     

    Një prej qytetarëve në Dibër është shprehur i revoltuar për mungesën e pastrimit të rrugëve të cilat janë bllokuar nga dëbora. Ai u shpreh për Report Tv se pavarësisht faktit që reshjet e dëborës kanë pushuar që mbrëmjen e djeshme, ende bashkia nuk ka marrë masa për pastrimin e rrugëve, duke shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullimin e mjeteve.

    “Ju duket sikur janë marrë masa? Shihni rrugën, kanë pushuar reshjet që mbrëmjen e djeshme, a ka një fadromë për ta hapur këtë rrugë, a ka pak kripë që është falas. Mirë unë që kam një makina 4x4 po tjetrit, po t’i bie ndonjë hall? Çfarë i kushton bashkisë të kalojë një fadromë këtu, nuk funksionon as shtet as bashki, asgjë. Me kaq borë, imagjinoni të bie pak më shumë”- shprehet qytetari.

    Ora 10:47
    Kukës/ Shishtaveci nën ‘pushtimin” e borës, mungon energjia elektrike, qytetarët thirrje bashkisë dhe OSHEE-së

    Bashkia Kukës është një ndër vendet më të prekura nga moti i keq gjatë ditës së djeshme, pasi reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar bllokim të rrugëve dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

    Në disa pamjet të siguara nga Report Tv, duket se si masive të borës kanë përfshirë rrugët e fshatit Shishtavec duke mbuluar tërësisht automjetet.

    Qytetarët bëjnë i bëjnë thirrje OSHEE-së për rikthimin e energjisë elektrike,e cila është ndërprerë që pej ditës së djeshme, si dhe kërkojnë reagim koherent të Bashkisë Kukës për pastrimin e rrugëve.

    "Situata pas reshjeve, nga Zoti jemi të kënaqur, nga populli jemi të pakënaqur. Rrugicat kanë mbetur të bllokuara. Në të gjithë fshatin Shishtavec nga dy pleq kanë ngelur. S’mund ta hapin për të dalë nga shtëpia në rrugën kryesore.

    Me dritat hiqja Lenës, vërja Prenës. Nuk kemi, fatkeqësi natyrore. Po është e mundur të punojë pak OSSHE, të na i lidhë se këmi ngelur pa u lidhur me fëmijët, janë bërë dyshim.

    I lutemi bashkisë t’i qëndrojë sa më afër rrugës kryesore, Pleq jemi, ndonjë sëmundje , ndonjë fatkeqësi,- është shprehur një qytetar i zonës për Report Tv.

    Ora 10:45
    ARRSH thirrje shoferëve: Përdorni goma dimërore dhe zinxhirë në segmentet me prezencë dëbore

    1700992055_arrshh.JPG

    Autoriteti Rrugor Shqiptar ka deklaruar se gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme dhe sot në mëngjes, intensiteti i reshjeve të borës dhe shiut është ulur në të gjithë vendin dhe se temperaturat kanë rënë deri në -6 në zonat malore.

    Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ARRSH thekson se është e domosdoshme që drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

    “Njoftim mbi gjendjen e akseve rrugore

    Gjatë orëve të natës dhe në mëngjes, intensiteti i reshjeve ka rënë në të gjithë territorin

    Temperaturat kanë qenë në ulje deri në -6 në zonat malore

    Grupet e punës të mirëmbajtjes kanë punuar pa ndërprerje në të gjitha akset me prezencë dëbore për pastrimin, zgjerimin dhe evitimin e ngricave

    Qarkullimi vijon pa probleme në të gjitha akset nacionale

    Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore’,- shkruan ARRSH.

    Ora 10:37
    Ministria e Mbrojtjes: Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike në zona të thella malore! Qytetarët të kufizojnë lëvizjet në zonat me prani akulli

    1700987708_WhatsAppImage20231126at09.24.19.jpeg

    Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përmbledhje të problematikave në qytete të ndryshme të vendit të shkaktuara si pasojë e reshjeve të dëborës. Në njoftimin e publikuar, bëhet me dije se akset kryesore të vendit, janë zhbllokuar por qarkullimi i mjeteve bëhet vetëm me zinxhirë për shkak të pranisë së akullit në rrugë.

    Gjithashtu ministria njofton për mungesën e energjisë elektrike në disa fshatra të Kukësit, Shkodrës dhe Dibrës. Bëhet me dije se grupet e punës së OSHEE janë në terren për të bërë të mundur rivendosjen e energjisë elektrike por ndërhyrja është e vështirë në disa prej zonave malore të Dibrës ku ka prani të lartë të akullit.

    Njoftimi i ministrisë:

    Grupet e punës, nga emergjencat civile vendore në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, forcat e Policisë së Shtetit, Autoriteti i Rrugëve, OSHEE kanë ndjekur me vëmendje situatën e krijuar gjatë ditës së djeshme dhe vijojnë të jenë në terren për të shmangur të gjitha problematikat e krijuara si pasojë e reshjeve të dendura të borës në disa zona në veri të vendit dhe reshjeve të shiut në pjesën tjetër të territorit.

    Në qarkun e Kukësit, trashësia e borës në zonat e thella malore ka kaluar mbi 20 cm, por rrugët nacionale kanë qenë të qarkullueshme me zinxhirë. Nga subjektet kontraktore është punuar gjatë gjithë kohës për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të rrugëve që kanë kontratë. Në disa rrugë në zona të thella rekomandohet lëvizja me zinxhirë. Furnizimi me energji elektrike është normal në të gjithë territorin e Qarkut Kukës, përveç njësive administrative Shishtavec, Topojan, Zapod, Malzi, Kolsh, Surroj, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Çajë, Kalis dhe Arrën, bashkia Kukës; njësive administrative Golaj dhe Gjinaj, bashkia Has; njësive administrative Tropojë e Vjetër, Bytyç dhe Llugaj, bashkia Tropojë.

    Në qarkun e Shkodrës, reshjet e borës të rëna në zonat malore të bashkisë së Shkodrës, Malësi e Madhe dhe Fushë-Arrëz kanë bërë që në disa akse të kalohet me vështirësi dhe me zinxhirë për shkak të prezencës së dëborës dhe ngricave. Të hapura janë akset Kir-Shosh në Malin e Shoshit, ku ka patur një trashësi të dëborës rreth 30 cm. Po ashtu është hapur me shpejtësi edhe aksi rugor  Bogë-Theth, ku kanë vijuar punën mjetet borëpastruese.

    Në qarkun e Dibrës sasia e reshjeve të borës ka qenë më e madhe. Është arritur të zhbllokohet pas një pune të palodhshme nga forcat në terren rruga e  Arbrit, bypassi-Qafë Murrizë, e cila ditën e djeshme u bllokua për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.

    Gjithashtu të kalueshme janë dhe akset  rrugore Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë;  Bulqizë - Ura Vashës-Klos; Klos-Burrel-Ulëz.

    Po punohet nga grupet në terren në disa akse të zonave të thella të qarkut, për kthimin në normalitet të rrugëve, por edhe të energjisë elektrike, por për shkak të pranisë së akullit ndërhyrja bëhet më e vështirë.

    Në qarkun e Lezhës ka patur reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar si dhe dhe erë të fortë deri 35 km/orë. Në lartësitë mbi 500 m kanë rënë reshje dëbore, ku trashësia ka arritur deri 10 cm në njësinë administrative Fan, bashkia Mirditë. Sasia e reshjeve të rëna ka qenë 40 mm. Akset rrugore kanë qenë të kalueshme dhe pa probleme.

    Grupet po vijojnë monitorimin e situatës në ato zona kryesisht malore për rikthimin e energjisë elektrike dhe pastrimin e akseve rrugore.

    Në qarkun e Durrësit, në njësinë administrative Cudhi ka patur prezencë bore dhe erë të forte, por është ndërhyrë me mjete borëpastruese. Aksi rrugor Krujë-Qafështamë është i kalueshëm, por të gjithë drejtuesit duhet të ndjekin rregullat e parashikuara për qarkullimin në motin me dëborë. Të gjitha akset rrugore në bashkinë Durrës, Shijak dhe pjesa fushore e bashkisë Krujë, kanë qenë të kalueshme pa problem.

    Reshje periodike shiu ka patur edhe në qarkun e Elbasanit. Kjo ka shkaktuar fryrje të Përroit të Zaranikës, por pa rrezik për dalje nga shtrati. Në akset rrugore Elbasan-Qafë Thanë, Gramsh-Moglicë, Elbasan-Gjinar, Librazhd-Steblevë ka patur prani inertesh që janë pastruar vazhdimisht nga firmat kontraktuese.  Nuk ka patur asnjë ndërprerje të qarkullimit të automjeteve në të gjithë qarkun.

    Në qarkun e Korçës, reshjet e borës filluan në orët e mbrëmjes së djeshme, por më pas intensiteti i tyre ka rënë. Reshjet janë shoqëruar dhe me erë të fortë. Trashësia e dëborës ka arritur 5-10 cm. Ka patur lëvizje të shtuar të automjeteve në rrugën turistike Boboshticë-Dardhë, ku dhe është përqendruar vëmendja e Drejtorisë Qendër-Lindje, subjektit përkatës dhe strukturave të policisë.

    Nga era e fortë ka patur ndërprerje të energjisë elektrike në bashkinë Pogradec, Devoll dhe Maliq, por grupet e punës së OSHEE janë në terren, për të rivendosur lidhjet.

    Nga të gjitha qarqet e tjera të vendit nuk janë raportuar probleme nga kushtet e motit.

    Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Mbrojtjes Civile u bëjnë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet në zonat ku ka prani akulli dhe të qarkullojnë të pajisur me goma dimërore e zinxhirë, sipas udhëzimeve të autoriteteve.

    Ora 10:24
    Shkodër/ Zonat e thella pa energji elektrike, zhbllokohet segmenti Bogë-Theth

     

    Reshjet e dendura të borës nuk kanë ndalur gjatë mbrëmjes së djeshme në Qarkun e Shkodrës, sidomos në Bashkinë Shkodër.

    Fatmirësisht të gjithë akset nacionale janë të hapura, por situata ka qënë kritike në zonat e thella malore, ku është ndërprerë energjia elektrike.

    Autoritetet vendase kanë bërë të mundur zhbllokimin e rrugës Bogë-Theth nga bora, duke e bërë atë të aksesueshme, por këshillohet përdorimi i zinxhirëve dhe gomave dimërore.

    Ora 10:08
    Elbasan/ Në disa segmente rrugore bora arrin trashësinë 20 centimetër, ka fshatra pa energji elektrike

    1700922317_elbasanbore.jpg

    Në Qarkun Elbasan reshjet e shiut janë ndërprerë që prej orëve të mbrëmjes së djeshme dhe situata paraqitet pa shumë problematika.

    Rrugët nacionale dhe rurale janë të gjitha të hapura.

    Në segmentin e Qafë Thanës të aksit Elbasan-Qafë Thanë, dhe Lunik-Stebleve të aksit Librazhd-Sterbleve ka pasur reshje bore, që në disa pjesë ka arritur trashësinë 20 centimetër.

    Ndërprerja e reshjeve te shiut ka ulur nivelin e prurjeve te përroit të Zaranikës në Bashkinë Elbasan.

    Por nuk kanë munguar ndërprerjet e energjisë elektrike, të cilat kanë ndodhur në Njësinë Administrative Orenjë të bashkisë së Librazhdit dhe Njësinë Administrative Qukës të bashkisë së Prrenjasit.

    Mësohet se autoritetet përkatëse po punojnë për riparimin e defekteve dhe kthimin e energjisë elektrike.

    Ora 09:51
    Mbrëmjen e djeshme u bllokuan 300 automjete, rihapet qarkullimi në aksin e rrugës së Arbrit, bypass-Qafë Murrizë! Kalohet me zinxhirë

    1700988961_diber.PNG

    Është rihapur për qarkullim aksi i rrugës së Arbrit, bypass-Qafë Murrizë ku ditën e djeshme u bllokuan rreth 300 automjete për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.

    Mbrëmjen e djeshme, policia e dibrës u erdhi në ndihmë drejtuesve të bllokuar në automjetet e tyre në bypassin e Qafë Murrizit, duke i evakuuar një pjesë të tyre derisa u bë zhbllokimi i rrugës.

    Gjithashtu dhe akset  rrugore Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë;  Bulqizë - Ura Vashës-Klos;  Klos-Burrel-Ulëz,  janë të hapura.

    Ora 09:32
    Kukës/ Shumë fshatra pa energji elektrike, rrugët e kalueshme vetëm me zinxhirë

     

    Situata në Qarkun e Kukësit, këtë të dielë duket se është më e qetë, pasi dhe intensiteti i borës është ulur ndjeshëm.

    Pavarësisht kësaj, reshjet e denduara të borës gjatë ditës së djeshme kanë krijuar disa problematika, që vazhdojnë edhe sot.

    Raportohet se në Bashkinë Kukës rrugët rurale janë të kalueshme me zinxhirë,  përveç rrugëve të Njësisë Administrative  Arrën, Zapod, Grykë-Çajë dhe Kalis të cilat janë të bllokuara.

    Ndërsa, furnizimi me energji elektrike është normal në gjithë territorin e Qarkut Kukës, përveç në Njësitë Administrative Shishtavec, Topojan, Zapod, Malzi, Kolsh, Surroj, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Çajë, Kalis dhe Arren, në bashkinë e Kukësit.

    Në Bashkinë Tropojë, furnzimi me energji eletrike aktualisht është ndërprerë në Njësitë Administrative Bytyq dhe Llugaj.

    Në bashkinë e Hasit, ky problem është në Njësitë Administrative Golaj dhe Gjinaj.

    Ora 09:28
    Situata nga reshjet e borës në Korçë, disa fshatra në Maliq e Pogradec, pa drita! Turistët shtojnë rezervimet në Voskopojë dhe Dardhë

     

    Reshjet e dëborës në qarkun e Korcës janë ndërprerë gjatë natës. Më së shumti nga rreshjet u përfshi zona e Dardhës,ne aksin Kryq.Boboshtice-Dardhe, por situata tashmë ëshë normalizuar.

    Ka pasur reshje intensive dëborë edhe në Qafë Thanë edhe në këtë aks është punuar me 4 borëpastruese për të shmangur cdo lloj problemi në qarkullimin e automjeteve aktualisht situata paraqitet e normalizuar ndërsa në të gjitha akset e tjera të juglindjes së vendit nk ka patur probleme.

    Janë segmentet e fshatrave malore ato që po rishikohen sot në mëngjes për kriposje.

    Bashkitë e qarkut nuk raportojnë probleme nga moti i keq ndërsa sa i përket mungesës së enërgjisë elektrike ka në fshatra të bashkive Maliq dhe Pogradec por po punohet per riparimin e tyre nga grupet e punës të cilat ndodhen në terren.

    Policia Rrugore apelon për rritje të kujdesit gjatë drejtimit të mjeteve sidomos në segmentet rrugore që të cojnë në fshatrat turistike në segmentin e Dardhës duhet të përdoren gomat dimërore.

    Ndërsa bëhet me dije se ka patur shumë rezervime nga turistët gjatë fundjavës.

    Njoftimi nga Autoritetet:

    Situata në qarkun e Korçës sot paraqitet normale në të gjitha akset rrugore dhe territorin e çdo bashkie, megjithatë reshjet priten të ndikojnë në disa pjesë të qarkut tonë edhe në ditët në vazhdim.

    Parashikimi nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave 'IGJEO' tregon se deri në datë 29.11.2023 parashikohen reshje të tjera në formën e dëborës të herëpashershme në lartësim mbi 700-800 m, kryesisht nga dita e nesërme.

    Strukturat e emergjencave civile në çdo bashki, ekipet dhe mjetet borëpastruese të tyre dhe subjekteve të kontraktuara, kanë vijuar punën për heqjen e borës dhe shpërndarjen e kripës dhe qëndrojnë në monitorim të vazhdueshëm të çdo aksi, si dhe qarkullimi po kryhet pa probleme.

    Në kushtet e borës dhe temperaturave të ulta, drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit në këto zona dhe të pajisen me goma dimërore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore!

    Ndërkohë, qarku ynë edhe gjatë këtij sezoni ngelet destinacion shumë i preferuar, dhe kjo u dëshmua edhe këtë fundjavë ku shumë qytetarë të vendit kanë hyrë për të qëndruar në Korçë, Voskopojë, Dardhë, Kolonjë etj, dhe strukturat mikëpritëse kanë patur shumë rezervime.

    B.V/B.K/Shqiptarja.com
    Komento

    KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

    Komente

    • Scutari: 26/11/2023 15:27

      Shtet i falimentuar! Luftojnë e bombardojnë në Ukrainë dhe nuk ikin dritat ndonjëherë.... Duhet të japë dorëheqjen shefi i OSHEE për paaftësi në menaxhim!

      Përgjigju
    • Turi: 26/11/2023 10:51

      Vendi jone eshte fare i papergatitur per situata emergjente , duke e ditur qe do te binte debore dhe nuk eshte mare asnje mase . Dua te shikoj cfare do te thone ata drejtues dhe ata lepiresa qe cdo dite postojne ne rrjetet sociale punet e tyre gjoja po bejne namin kur ne te vertete me fare pak debore bllokohet gjithcka , nuk punohet nga kompjuterat apo nga zyrat por ne terren

      Përgjigju
    • Sondazhi i ditës:
      23 Dhjetor, 23:33

      Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



    ×

    Lajmi i fundit

    Planet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Gazë

    Planet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Gazë