Prefekti i Korçës Nertil Jole thekson që është tejkaluar rreziku për përmbytjen e fshatit Sheqeras, aktualisht nuk ka rrezik që të bëhet shkak për evakuimin e banorëve pasi lumi Devoll në orët e fundit ka pësuar një ulje në 1 metër.
Jole thekson që janë 15 ura të dëmtuara në të gjithë qarkun e Korçës për të cilën pritet që të ndërhyjë Ministria e Mbrojtjes.
'Kemi bërë bisedime me banorët dhe shqetësimet që ata kanë, nuk ka rrezik për evakuim të banorëve. Në kushtet e motit aktual që jemi nuk ka ndonjë rrezik. Kemi pasur një numër të caktuar banesash që kanë pasur prani të ujit. Po ashtu është duke u asistuar për çdo banesë të prekur dhe më pas do të bëhet edhe evidentimi i dëmeve. Kemi 15 ura të dëmtuara në nivel qarku dhe do të bëhet një vlerësim', tha ai.
Ndërkohë, reshjet e dendura të shiut kanë shtuar prurjet në rezervuarin e Çemerricës në Njësinë Lekas të Bashkisë Korçë. Sipas banorëve niveli i ujit në basenin e Hidrocentralit të Marjanit ka arritur në pikë kritike, ndërsa rrezikohet të çahet diga.
Autoritetet vendore kanë udhëzuar banorët e fshatrave Lekas, Xerje, Denas, Marjan, Gurrëmujas dhe Fshati i Ri të lajmërojnë për çdo situatë rreziku. Siç shihet përmes këtyre pamjeve të siguruara përgjatë ditës deri në këto orë të mbrëmjes po punohet për pastrimin e rrjedhës së lumit dhe rezervuarit.
Lajmi kryesor:
Shqipëria nën ‘pushtetin’ e ujit! Mbyllet argjinatura e çarë në Rrile të Lezhës, banorët evakuohen me gomone! Përmbyten banesa, një e zhdukur në Korçë









