ROME - Edhe veriu i Italisë po përballet me pasojat e motit të keq. Reshjet e borës kanë rënë gjatë gjithë natës në pjesën veriore të vendit duke shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve, veçanërisht në autostradën që lidh Firencen me Bolonjën.

Edhe transporti hekurudhor ndodhet në vështirësi pasi dëbora ka shkaktuar problem në qarkullimin e trenave veçanërisht në veri të Bolonjës. Vonesa dhe anulime ka pasur për të gjithë trenat rajonalë por edhe për ata të shpejtësisë së lartë.

Qarkullimi është ngadalësuar edhe në Lombardi me një ndërprerje të disa linjave. Në Bolonjë, shkollat janë hapur por autoritetet këshillojnë të evitohet përdorimi I makinave dhe kush e ka të mundur ti mbajë fëmijët në shtëpi.

Kështu autostrada A13 që lidh Padovën me Bolonjën është mbyllur plotësisht në dyja drejtimet pas reshjeve intensive të borës që ranë gjatë natës. Shirat e rrëmbyeshëm kanë përfshirë edhe disa zona të Ankonës duke rritur nivelin e lumenjve.

Autoritetet kanë vendosur mbylljen e shkollave dhe disa urave hekurudhore. Ndërkaq ka pasur përmbytje në rajonin e Emilja Romanja ku Mbrojtja Civile ka aktivizuar tashmë alarmin për gjendjen e detit.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)