Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë krijuar një situatë të rënduar në të gjithë territorin e Bashkisë Mat.
Dëme të konsiderueshme janë shënuar në rrugët rurale të njësive administrative Macukull, Derjan, Rukaj, Baz, Komsi, Ulëz dhe Lis, ku qarkullimi është vështirësuar ose bllokuar plotësisht. Prurjet e mëdha të ujërave kanë dalë nga shtrati i kanaleve dhe kanë përmbytur rrugë të qytetit dhe fshatrave.
Disa fshatra të njësive Macukull dhe Derjan janë aktualisht pa energji elektrike, ndërsa rezervuarët në zona të ndryshme janë tejmbushur.
Në aksin kombëtar Burrel-Milot është raportuar rënie gurësh dhe inertesh, duke krijuar rrezik për qarkullimin. Uji ka hyrë në oborret e disa shkollave, ndërsa në Baz dhe Lis disa banesa janë përmbytur ose paraqesin rrezik shembjeje.
Reparti i zjarrfikësve e nisi ditën me evakuimin e një familjeje prej 8 anëtarësh në zonën e Bazit dhe po vijon punën për largimin e ujërave të tepërta në zonat e bllokuara.
Kryefamiljari Hasan Neli shprehet se kjo është hera e parë që banesa e tij përmbytet ku uji hyri në shtëpi rreth orës 7 të mëngjesit të ditës së sotme.
Ndërkohë, ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike për të gjithë banorët e prekur. Edhe firma mirëmbajtëse e rrugës nacionale ka rritur kapacitetet me mjete dhe punonjës për të garantuar qarkullimin në aksin kryesor.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Përmbyten 90 banesa në Bashkinë Kurbin, tërhiqet uji nga 48 shtëpi në Durrës! 5 familje të evakuara










