Reshjet e dendura të shiut, vërshimi i përrenjve malore dhe dalja nga shtrati e kanaleve kulluese kanë bërë dëme në bashkinë e Kurbinit. Për shkak të rritjes së nivelit të ujit në Mamurras, raportohen prani uji në 50 banesa në Mamurras dhe 40 në Milot. 

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, 5 familje janë evakuuar, njëra me 5 anëtarë në fshatin Dukagjin i Ri, njësia administrative Thumanë, ndërsa 4 familjet e tjera në njësinë administrative Zejmen, në Lezhë të cilat janë akomoduar përkohësisht nga strukturat vendore pasi uji ishte futur në banesat e tyre. 

Në fshatin Zhejë të Kurbinit, kanalet e vaditjes dhe ato kulluese kanë dalë nga shtrati dhe vërshojnë në rrugët e fshatit, në oborre e toka bujqësore. Uji ka ardhur me furi duke marrë përpara dhe makinat që i ka përplasur nëpër pemë. Dëmet janë të mëdha si në banesa ashtu dhe biznese.

Report Tv pa nga afër dhe situatën në fshatin Shpërdhet të Kurbinit ku 80 familje jane izoluar, për shkak të shembjes së rrugës nga prurjet e shumta të lumit Droja.

Ndërkohë, në Manzë të Durrësit u raportua se në 48 banesa ka pasur prezencë të konsiderueshme të ujit, kryesisht në fshatrat Hamallas dhe Manzë, ndërsa situata është normalizuar shpejt ku dhe ujërat janë tërhequr. Gjithashtu në zonat periferike ka pasur dhe rrugë të bllokuara.

Ndërsa në fshatin Dritë të Matit u përmbyt banesa e familjes Neli. Uji i rrëmbyeshëm shkatërroi orenditë dhe detyroi zjarrfikëset të ndërhyjnë për te evakuuar 8 anëtarët e kësaj familje. Ata po strehohen tek të afërmit derisa situata të përmirësohet.

Për shkak të motit të keq, me shi dhe erë janë dëmtuar shtyllat elektrike dhe ka mungesë energjie në disa fshatra. Në aksin kombëtar Burrel–Milot është raportuar rënie gurësh dhe inertesh, duke krijuar rrezik për qarkullimin.

Rënie gurësh ka pasur dhe në Kukës–Bushtricë dhe Tropojë–Valbonë, por aktualisht janë të lira dhe të qarkullueshme për automjetet. Nënkalimi i rrugës në fshatin Ishull Lezhë është bërë i pakalueshëm nga prezenca e ujit. Në fshatrat e Krujës, si Bilaj, Murqine, Mallkuc ka prezencë uji në tokat bujqësore dhe rrugë.  

Qarkun Dibër situata paraqitet e qetë, përveç mungesës së energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë dhe pjesërisht në Arras e Fushë Çidhën, ndërsa po punohet për riparimin e defekteve.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:54
Moti i keq/ Ministria e Shëndetësisë njofton masat e marra në të gjithë vendin

1763495803_IMG20200223ËA0057768x5123.jpg

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar planin e masave të marra nga institucionet e kujdesit shëndetësor në vend për përballimin e pasojave të mundshme në njerëz nga moti i keq.

Në njoftim thuhet se struktura në varësi të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor janë në gatishmëri të plotë 24/7 dhe po monitorojnë situatën në kohë reale.

Masat e marra në institucionet shëndetësore:

Monitorim i vazhdueshëm i situatës nga operatorët rajonalë të kujdesit shëndetësor & njësitë vendore

Verifikim i infrastrukturës, pajisjeve dhe rezervave të medikamenteve

Koordinim i ngushtë me pushtetin vendor dhe strukturat e emergjencave civile

Aktivizim i plotë i shërbimeve spitalore të urgjencës

Spitalet rajonale e bashkiake raportojnë se rezervat kritike (medikamente, material mjekësor, ujë të pijshëm, karburant për gjeneratorë) janë të siguruara dhe gati për përdorim.

 Zonat me reshje më të dendura:

Kurbin, Mat, Lezhë, Shkodër, Malësi e Madhe, Tropojë, Kukës dhe Has aktualisht pa problematika në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe me funksionim normal të strukturave.

OSHKSH mbetet në komunikim të pandërprerë për çdo rast emergjent dhe situatë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Ora 19:58
Reshjet e shiut në Pukë dhe Fushë- Arrës, disa fshatra ende pa energji elektrike

 

Reshjet intensive të shiu kanë sjell probleme në shumë zona të bashkive Pukë e Fushë- Arrëz. Një pjesë e fshatrave janë ende pa energji elektrike si pasojë e bashkimit të përcjellësve, apo këputjes së tyre.

Punonjësit e OSHE kanë nisur nga puna për riparimin e defekteve edhe pse rrebeshi dhe terreni e bëjnë të pamundur.

Sonte u bë i mundur zëvendësi i transformatorit në fshatin Bardhet të Bashkisë Fushë- Arrëz, ku prej mbrëmjes së kaluar mungonte energjia si pasojë e djegies së transformatorit nga shkarkimet atmosferike.

Edhe në qytetin e Pukë e Fushë Arrëz ka takime të herë pas hershme, ndërsa gjatë kësaj mbrëmje të paqëndrueshme janë shënuar dhe në linjën e tensionit të lartë Firzë- Fushë Arrëz. 

Ora 19:36
Gjirokastër/ Reshjet e dendura bllokojnë rrugën hyrëse në Libohovë, probleme në qarkullimin e automjeteve

1763491152_aaa.JPG

Shirat e dendur gjatë orëve të fundit, kanë shkaktuar bllokimin e rrugës hyrese në qytetin e Libohovës.

Sikurse shikohet nga foto, inertet kanë pushtuar rrugën hyrese të këtij qyteti duke krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve.

Ora 18:48
Moti i keq/ Ministri Vengu mbledh Shtabin e Emergjencave në Lezhë

 

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi një takim me Shtabin e Emergjencave në Lezhë për të analizuar situatën e krijuar nga moti i keq dhe masat që do të merren në orët në vijim.

Pas mbledhjes, Vengu deklaroi se situata mbetet dinamike dhe se strukturat janë në angazhim maksimal. Ai theksoi se janë kërkuar mjete shtesë, ndërsa Forcat e ushtrisë janë dislokuar në Kurbin, zonën më të prekur nga reshjet, si dhe në Lezhë për t’i paraprirë përkeqësimeve të mundshme. Ndërkohë, po ndërhyhet në tre ura që kanë pësuar dëmtime.

Në Bashkinë e Lezhës janë evakuuar 4 familje, të strehuara në konviktin e shkollës profesionale. Në lagjen “Sake” disa banesa mbeten të rrezikuara, por ndërhyrja kërkon miratim nga Ministria, pasi zona është e mbrojtur. Situatë kritike paraqitet edhe në Kallmet, ku rezervuari ka arritur nivelin maksimal.

Probleme raportohen edhe në Dragushë e Dajç, ku kanalet e ujërave të larta mund të shkaktojnë përmbytje nëse reshjet vazhdojnë.Në Kurbin është evakuuar një familje në fshatin Gjorm, ndërsa në Mirditë situata është më e qetë, me rrëshqitje dhe prani inertesh në disa rrugë rurale, ku është ndërhyrë gjatë ditës.

Drejtoria Rajonale e Ujitjes dhe Kullimit njoftoi se hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe pa probleme. Ndërhyrje janë kryer në kanalet kulluese të Kurbinit dhe në ato të Zadrimës për të shmangur përkeqësimin e situatës.

OSHEE raportoi ndërprerje të energjisë mëngjesin e sotëm, por furnizimi është rikthyer pas ndërhyrjeve teknike. Ndërkohë, Policia e Lezhës ka shtuar patrullat në akset me rrezik për të kufizuar qarkullimin dhe për të siguruar mbarëvajtjen e lëvizjes.

Ora 18:40
Moti i keq/ 5 familje të evakuara, rrugë të bllokuara në disa qarqe, disa fshatra pa energji elektrike në Dibër, Kukës e Korçë

1763488062_aa.JPG

Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin prej orëve të para të ditës së sotme kanë krijuar problematika në disa zona, ku strukturat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë angazhuar për të ndihmuar qytetarët.

Evakuime

Për shkak të pranisë së ujit në banesa, është kryer evakuimi i një familje prej 5 anëtarësh nga ekipet e Forcave të Armatosura në fshatin Dukagjin i Ri, njësia administrative Thumanë.

Në njësinë administrative Zejmen, si pasojë e vërshimit të përrenjve të Prullit dhe Pllanës, ka prani uji në 4 banesa. Banorët janë akomoduar përkohësisht nga strukturat vendore.

Forcat e emergjencave kanë kryer tërheqjen e ujit dhe pastrimin fillestar të ambienteve të prekura.

Situata sipas qarqeve:

Qarku Durrës

Bashkia Durrës:

Vijon puna në terren për eliminimin e pasojave të reshjeve në njësitë Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm.

Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale.

Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.

Qarku Dibër

Situata paraqitet e qetë, përveç mungesës së energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë dhe pjesërisht në Arras e Fushë Çidhën.

Grupet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.

Qarku Lezhë

Bashkia Kurbin:

Vijon puna për normalizimin e situatës në Mamurras dhe fshatrat Gjorëm, Zhejë dhe Fushë Mamurras.

Në fshatin Shpërdhe, rruga është dëmtuar nga ujërat e lumit Droje.

Puna vijon edhe në segmentin Skuraj–Gallatë–Vinjollë, i cili mbetet i bllokuar për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Vinjollë.

Nivelet e ujit në lumenjtë Drin dhe Mat janë brenda kuotave.

Qarku Kukës

Ka rënie inertesh në disa akse rrugore, dhe kompanitë kontraktore po punojnë për pastrimin e tyre.

Segmenti Vranisht–Fajza (njësia Fajza, bashkia Has) është dëmtuar si pasojë e reshjeve.

Qarku Shkodër

Bashkia Shkodër:

Vijon pastrimi i inerteve në segmentin Gimaj–Bregu i Lumit (njësia Shalë) nga trupat e FA dhe punonjësit bashkiakë.

Segmenti Ndërlysë–Breg Lumi mbetet i bllokuar; po punohet për hapjen e tij.

Qarku Elbasan

Nuk ka raportime për problematika, përveç rënies së inerteve në segmentet Elbasan–Librazhd dhe Elbasan–Rrogozhinë, të cilat po pastrohen nga operatorët e mirëmbajtjes.

Situata Energjetike

Ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë në:

•             disa fshatra të njësisë administrative Rubik (Mirditë),

•             fshatrat Torocish, Kukës, Berishë dhe Lekbibaj të Tropojës,

•             njësitë Kurvelesh, Zagori, Luftinjë dhe Dropull i Poshtëm (Qarku Gjirokastër),

•             disa njësi administrative të Qarkut Korçë.

Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e mbrojtjes civile dhe ekipet e emergjencave për marrjen e masave në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike.

Ora 17:38
Moti i keq në Vlorë/ Emergjencat të pozicionuara në terren, kreu i Novoselës: Vjosa ka kohë që nuk ka dalë nga shtrati, po monitorojmë situatën

 

Emergjencat pranë Bashkisë së Vlorës janë pozicionuar në terren pranë urës së Mifolit, në shtratin e lumit Vjosë, ku po kryhet përforcimi i argjinaturës me rreth 800 metra kub dhe për ta ngritur mbi nivel. Ndërhyrja po kryhet në ato pjesë ku ka pasur dëmtime të argjinaturës dhe qëllimi mbetet për të ndërhyrë në kohë, për të mos pasur rrezik.

Kanan Shakaj, kreu i Njësisë Administrative Novoselë, tha se Vjosa ka kohë që nuk ka dalë nga shtrati, megjithatë situata duhet mbajtur nën monitorim të vazhdueshëm. “Po hedhim dhe, dhe presim normalisht situatën që pritet në orët e mbrëmjes,”  u shpreh ai, referuar edhe parashikimeve për reshje intensive.

Ndërkohë, Shakaj ka theksuar se janë bërë edhe njoftimet për çdo emergjencë të mundshme, kryesisht te familjet që kanë banesat apo gjënë e gjallë pranë shtratit të lumit Vjosë, në mënyrë që strukturat të ndërhyjnë menjëherë nëse paraqitet nevoja. Për momentin nuk ka rrezik, megjithatë po merren të gjitha masat e nevojshme.

“Siç e shikoni jemi në krye të detyrës me gjithë stafin e bashkisë. Në bashkëpunim dhe me firmën e aeroportit dhe bordin e kullimit po vijojmë punën për mbrojtjen e argjinaturës. Po vazhdojmë punën me fadromë e do të vazhdojmë derisa të sigurojmë atë pjesë që është dëmtuar.

Sot po bëjmë përgjimet e argjinaturës për të cilën nga shirat e shumta i kanë ulur lartësinë. Me njoftimin që kemi marrë nga bashkia, kemi njoftuar të gjithë banorët e fshatrave dhe kemi marrë masat. Për momentin shumë shpejt për alarm, nuk kanë filluar reshjet akoma. Masat janë marrë të gjitha”, tha ai.

Vlora deri ditën e enjte në mëngjes, në bazë të parashikimeve, cilësohet me risk nga reshjet e pritshme intensive, teksa zona e Novoselës, edhe për shkak të lumit Vjosë dhe prurjeve të mundshme, mbetet më shumë e rrezikuar. Po ndërhyhet në argjinaturë, ndërsa për momentin nuk ka ende rrezik.

Ora 16:28
Reshjet e shiut/ Dibra dhe Lezha qarqet më të prekura, ndërprerje energjie dhe banesa të përmbytura

1763480058_aa.JPG

Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave civile në të gjithë vendin po vijojnë punën për normalizimin e situatës së krijuar nga reshjet e fundit. Në disa zona janë shënuar problematika, ndërsa në shumicën e qarqeve situata paraqitet e stabilizuar.

Qarku Dibër

Në bashkinë Dibër raportohet mungesë e energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë si dhe pjesërisht në Arras e Fushë Çidhën. Grupet e OSHEE po punojnë për riparimit e defekteve. Intensiteti i reshjeve në qark është në rënie.

Qarku Durrës

Në Sukth janë prekur disa banesa në fshatrat Kullë, Hamallë dhe Rrushkull, ku ka edhe rrugë të bllokuara. Në Manzë raportohen rreth 48 shtëpi me prani uji. 
Në bashkinë Krujë, në Thumanë, Borizanë dhe Mazhë po punohet për hapjen e kanaleve dhe zhbllokimin e rrugëve, ndërsa në lumin e Drojës po forcohet argjinatura për të shmangur daljen nga shtrati. Niveli i ujit ka nisur të bjerë.

Qarku Lezhë

Në bashkinë Kurbin vijojnë ndërhyrjet për shkak të rritjes së nivelit të ujit në Mamurras, ku raportohen 50 banesa me prezencë uji dhe 12 të tjera në njësinë Milot. Po punojnë strukturat e bashkisë dhe mjetet e Drejtorisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve. Në bashkinë Mirditë ka ndërprerje të energjisë elektrike në disa fshatra të njësisë Rubik. Nivelet e lumenjve Drin dhe Mat janë brenda kuotave.

Qarku Kukës

Në disa akse rrugore ka pasur rënie inertesh, ndaj kompanitë kontraktore po punojnë për pastrimin. Në zona të thella malore ka mungesë energjie, dhe ekipet e OSHEE-së po punojnë për rikthimin e furnizimit.

Qarku Shkodër

Nuk raportohen problematika. Vijojnë punimet në kanalin e Gurit të Zi dhe në segmentin pranë urës së Dajçit për garantimin e qarkullimit të ujërave. Në zonën e “Harkut të Berdicës” po kryhet pastrim i depozitimeve që pengojnë rrjedhën. Bashkitë e tjera nuk raportojnë probleme.

Në qarqet e tjera si: Gjirokastër, Vlorë, Fier, Elbasan, Berat, Tiranë nuk raportohen problematika nga reshjet. Në Korçë po punohet për rikthimin e energjisë në disa njësi.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbeten në monitorim të vazhdueshëm dhe në kontakt me strukturat vendore të mbrojtjes civile, me qëllim marrjen e të gjitha masave të nevojshme në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike.

Ora 13:11
Shembet rruga kryesore e fshatit Shpërdhet në Kurbin, rreth 80 familje mbeten të izoluara

 

Rreth 80 familje në fshatin Shpërdhet të Kurbinit janë izoluar, për shkak te shembjes së rrugës nga prurjet e shumta te Lumit Droja. Segmenti rrugor ka pasuar shembje në një gjatësi rreth 100 metra, duke bllokuar lëvizjen e banorëve.

“Kjo situatë sa herë që bie shi këto problematika janë. Është ujë i rrëmbyeshëm. Kanë ardhur e kanë parë dhe para dy vitesh ato të bashkisë. Sot është pezulluar i gjithë fshati. Një fshat me 80 familje është bllokuar.”

“Këtu pra 2 vitesh e njëjta situatë. As nuk ka vendosur dorë njeri që nga ’97. Jemi bllokuar si lagje. Jemi 80 familje me rreth 350 banorë. Është shembur komplet rruga. Erdhi kryetarja në mëngjes nuk e di çfarë masash do të marrin. Ishalla shteti po vendos dorë.”

Ora 12:19
Reshjet e shiut dëmtojnë rrugën në fshatin Bilaj të Krujës, banorët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit

 

Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin kanë shkaktuar dëmtimin e një rruge në fshatin Bilaj të Krujës.

 Dy nga familjet që e përshkrojnë këtë rrugë thonë se kjo ishte e vetmja rrugë që përdornin për të kaluar.

“Ne jemi rreth 20 banorë qe kalojmë në këtë rrugë pasi nuk kemi akses tjetër për në banesat tona. Nga reshjet e mëdha rruga ka rrëshkitur pasi në të është hapur një gropë rreth 1.5 m e thellë dhe poshtë është akoma më e gjerë. Ne jemi familjarë, kemi fëmijë të vegjël, prindër të paralizuar dhe kemi frike të kalojme pasi rrezikojmë që të përfundojmë në lumë.

I kam dërguar video dhe i kam kërkuar ndihmë kryetarit të bashkisë dhe deputetes Milva Konomi, por as njëri as tjetri nuk kanë denjuar. Ne kërkojmë që shteti të ndërhyjë për të parandaluar një tragjedi te mundshme pasi nuk kemi rrugë tjetër”, shprehet Egli një ndër banorët e kësaj lagjeje.

Ora 12:18
Moti i keq/ Begaj mesazh qytetarëve: Bashkëpunimi juaj mundëson parandalimin e dëmeve të mëdha

Përballë motit të keq që ka përfshirë Shqipërinë, Presidenti Bajram Begaj, ftoi sot qytetarët që të bëjnë kujdes e të bashkëpunojnë me institucionet që janë në gatishmëri.

 “Të dashur qytetarë, mot i keq dhe me shira ka përfshirë vendin.

Kujdesi i çdonjërit prej jush vlen!

Institucionet janë në detyrë, por bashkëpunimi juaj mundëson parandalimin e dëmeve të mëdha”, shprehet Begaj.

Ora 11:58
Moti i keq/ Reshjet e dendura bllokojnë rrugët në Mat, uji futet në banesa! Evakuohet një familje në Baz (VIDEO)

 

Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë krijuar një situatë të rënduar në të gjithë territorin e Bashkisë Mat.

Dëme të konsiderueshme janë shënuar në rrugët rurale të njësive administrative Macukull, Derjan, Rukaj, Baz, Komsi, Ulëz dhe Lis, ku qarkullimi është vështirësuar ose bllokuar plotësisht. Prurjet e mëdha të ujërave kanë dalë nga shtrati i kanaleve dhe kanë përmbytur rrugë të qytetit dhe fshatrave.

Disa fshatra të njësive Macukull dhe Derjan janë aktualisht pa energji elektrike, ndërsa rezervuarët në zona të ndryshme janë tejmbushur.

Në aksin kombëtar Burrel-Milot është raportuar rënie gurësh dhe inertesh, duke krijuar rrezik për qarkullimin. Uji ka hyrë në oborret e disa shkollave, ndërsa në Baz dhe Lis disa banesa janë përmbytur ose paraqesin rrezik shembjeje.

Reparti i zjarrfikësve e nisi ditën me evakuimin e një familjeje prej 8 anëtarësh në zonën e Bazit dhe po vijon punën për largimin e ujërave të tepërta në zonat e bllokuara.

Kryefamiljari Hasan Neli shprehet se kjo është hera e parë që banesa e tij përmbytet ku uji hyri në shtëpi rreth orës 7 të mëngjesit të ditës së sotme.

Ndërkohë, ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike për të gjithë banorët e prekur. Edhe firma mirëmbajtëse e rrugës nacionale ka rritur kapacitetet me mjete dhe punonjës për të garantuar qarkullimin në aksin kryesor.

Ora 11:53
Moti i keq në qarkun e Lezhës/ Më problematike situata në Kurbin, 50 shtëpi në Milot të përmbytura

1763463212_lezhe.jpg

Qarku i Lezhës që prej mesnatës, është dominuar nga reshje të dendura shiu duke shkaktuar përmbytje në banesa e biznese. Deri më tani situata paraqitet problematike disa njësi administrative të Kurbinit, Mamurras, Fushë Mamurras, Drojë, Zhejë, Shpërdhet, Sh’mëri si pasojë e prurjeve të mëdhaja nga lumi Drojë.

Ndërkohë në Milot, në rreth 50 banesa ka prezencë të ujit. Deri më tani bashkia e Lezhës po pastron akset kryesore nga inertet ndërsa situata po mbahet nën monitorim.

SITUATA NË QARKUN LEZHË DATË 18.11.2025, ORA 10:45

Situata në Qarkun Lezhë aktualisht paraqitet si më poshtë:

Teritori Qarkut Lezhë duke filluar nga orët e mesnatës është përfshirë nga reshje shiu me intensitet mesatar në të lartë, e shoqëruar me erë të fortë, ku sipas të dhënave të marra nga stacioni meteorologjik ushtarak Gjadër kanë rënë 46mm shi deri në orën 06:00. Pas kësaj ore kanë rënë 12mm shi.

- Nga strukturat e MC të bashkisë Kurbin si pasojë e situatës së rënduar shkaktuar nga rreshjet masive, të rëna prej orës 1 të mëngjesit dhe në vazhdim.

Sasia e rreshjeve të rëna deri ne orën 09:00, 80 mm shi.

Situata ne bashkine Kurbin paraqitet si më poshtë.

Në Njësitë administrative Mamurras, Fushë Mamurras, Drojë, Zhejë, Shpërdhet, Sh’mëri , ka  problematikë serioze si pasojë e prurjeve të mëdhaja nga lumi Drojë, KUL-të dhe kanaleve në të cilat kanë fryrje.  Momentalisht janë rreth 50 banesa kane prezence uji.

Nevoja per evakuime nuk ka patur.

Mjetet e rënda janë dislokuar  për ndërhyrje në afërsi të KUL -së dhe kanaleve në të cilat kanë fryrje.

Ka vështirësi  kalimi në disa akse rrugore ( nën kalimi Fushë Mamurras), ish rruga nacionale në Gjorëm,dhe Sh’meri.

Në njësinë administrative Milot, akset rrugore në fshatin Skuraj, Vinjollë dhe Gallatë jane të pakalueshme.

Momentalisht, janë rreth 50 banesa me prezencë uji.

Të gjitha strukturat dhe grupet e shërbimeve janë në terren për tu ardhur në ndihmë çdo banori për të siguruar jetën e tyre.

- Nga strukturat e MC të bashkisë Lezhë raportohet se nga forcat bashkiake është pastruar aksi rrugor nacional Lezhë-Shkodër në pjesën ku lidhet me lagjjen “Nënë tereza” nga inertet që ishin në trupin e rrugës, si dhe është bërë evadimin I ujrave në oborret e 2 shkollave 9 vjeçare “Kosova” dhe “Nënë tereza

Aktualisht është rikthyer energjia elektrike në fiderin nr.9 që furnizon fshatin ishull Lezhë, si dhe është rikthyer ernergjia elektrike në fideri nr.12 që furnizon fshatrat Gjadër, Torovicë, Kakarriç, Mabë, vetëm në fshatin Dajç jo pasi aty po punohet akoma nga grupet e OSHEE , fideri nr.7 që furnizon lagjjen “Nënë Tereza”, fshati Ishull Shëngjin dhe Rrëzë Mali është rikthyer energjia elektrike. Në  fiderin nr.4 që furnizon Shënkollin dhe Talen po punohet për rikthimin e energjisë elektrike.

Situata në këtë bashki për momentin paraqitet normale. Proçesi mësimor vazhdon normalisht në shkollat në teritorin e bashkisë Lezhë.

Nënkalimi i superstradës në fshatin Ishull Lezhë është bërë i pakalueshëm nga prezenca e ujit.

- Nga strukturat e MC të bashkisë Mirditë raportohet se nuk ka problem deri në këto momente.

- Furnizimi me ujë të pijshëm ka vazhduar rregullisht.

- Hidrovorët janë në gadishmëri dhe po punojnë sipas prurjeve

- Lumi Drin e  Mat janë rritur por brenda parametrave normal.

Prefekti Qarkut z.Taulant Malshi, përgjegjësi I sek PPMC&K si dhe përfaqësuesi I AKMC Tonin Prendi  janë në monitorim të situatave  në bashkinë Kurbin

Ora 11:32
Moti i keq/ Përfaqësues të pushtetit vendor takim në prefekturën e Fierit, Ymeraj: Jemi në gatishmëri të plotë

 

Përfaqësues të pushtetit vendor dhe Drejtorive Rajonale janë mbledhur paraditen e sotme në një takim urgjent në prefekturën e Fierit për të raportuar situatën e emergjencës për shkak të reshjeve të shiut.

Problematika kryesore për të cilën janë angazhuar të gjitha strukturat në qark janë kanalet kulluese dhe sistemi i argjjnaturave, për të përballuar vërshimet e mundshme të katër lumenjve, Shkumbini në Lushnjë, Vjosa në Fier dhe Mallakstër, Semani në Rroskovec dhe Gjanica në qytetin e Fierit.

“Gjatë ditës së sotme është realizuar një takim pune mes drejtuesit të strukturave vendore nga ku është marrë një informacion për situatën e përgjithshme në terren. Në orët në vijim priten që të ketë reshje shiu me intensitet të lartë në qarkun e Vlorës dhe Gjirokastrës që mund të ndikojnë prurjet e lumit Vjosa, megjithatë nuk ka ndonjë rrezik që lumi të dalë nga shtrati. Kemi kërkuar që strukturat vendore të jenë në gatishmëri të plotë”, thotë Kreshnik Ymeraj, Përgjegjës i Emergjencave Civile, Prekfektura Fier.

Më herët inxhinieri i Bordit të Ujitjes dhe Kullimit në Fier, Evarist Koliçi, bëri të ditur se sistemi kullues është në gjendje optimale dhe se të gjithë punonjësit e Bordit kanë kaluar në gjëndje gatishmërie.

Reshjet në Qarkun e Fierit kanë qenë me intensitet të ulët gjatë natës por era e fortë ka shkaktuar defekte në rrjetin e furnizimit të energjisë elektrike për riparimin e të cilave po punohet nga punonjësit e OSHEE.

"Aktualisht janë riparuar 13 fidera dhe po punohet për riparimin e 7 të tjerëve" ka pohuar Ymeraj.

Prefekti i Qarkut Fier, Anduel Xhindi ka kërkuar gatishmëri maksimale dhe reagim të shpejtë dhe të koordinuar në rast përkeqësimi të situatës.

Ora 11:27
Moti i keq/ Kryetarja e bashkisë Kurbin: Po ndërhyjmë me mjetet e bashkisë! Qytetarët: Ajo e ka fajin, 30 vite nuk ka pastruar kanalet

 

Moti i keq ka shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në disa zona të qarkut të Lezhës, ndërsa më e goditura rezulton të jetë zona e Zhejës në Kurbin. Vërshimi i ujërave malorë ka përmbytur banesa dhe biznese, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Raportohet se edhe një numër i konsiderueshëm automjetesh janë dëmtuar si pasojë e prurjeve të mëdha të ujit.

Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Mailinda Cara, ka deklaruar se mjetet dhe ekipet e bashkisë ndodhen aktualisht në terren për të menaxhuar situatën dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur.

“Reshjet kanë qenë me intensitet të lartë. Reshje të shumta në kohë shumë të shkurtër. Një ndër zonat problematike është në fshatin Zhej ku po bëjmë dhe ndërhyrje për shkak të prurjeve të menjëhershme të përrenjve nga malet. Në koordinim me bordin e kullimit në Lezhë, po ndërhyjmë dhe me mjetet e bashkisë. Problem kemi pasur argjinaturën e lumit Droji. Dhe atje kemi mjete që po ndërhyjmë. Këto janë pikat kryesore. E kemi nën monitorim gjithë situatën”, tha Majlinda Cara.

Ndërkohë banorët e zonës, fajsojnë kryetaren Cara për mospastrimin e kanaleve duke sjellë kështu dhe këtë nivel përmbytjesh me dëme të mëdha.

“Shihi si janë bërë makinat. Kanë hyrë 1 metër ujë brenda. Vetëm faji i bashkisë. Kjo 50 milionë merr me të një ramë lapsit dhe ka 30 vite që nuk e ka pastruar kanalin. Kryetarja thotë që kam dalë në lëvizje që në orën 7. Mjeti ka 10 minuta që ka ardhur, çfarë do bëjë mjeti pasi është përmbytur. Kryetarja e bashkisë nuk bën pastrimet e kanaleve.”

“Dëme kolosale. Uji 1 metër brenda në lokal. Kanalet vite pa pastruar. Çdo gjë ka ndodhur për 1 orë. I ka marr uji makinat përpara.”

Ora 11:03
Moti i keq/ Policia Rrugore, apel drejtuesve të mjeteve: Respektoni rregullat e qarkullimit

 

Teksa vendi ynë po përballet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, Policia Rrugore ka shtuar prezencën në rrugë.

Në një njoftim, policia iu bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit në rrugë.

Njoftimi i plotë

Nisur nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe stuhi, që ka përfshirë disa zona të vendit, Policia e Shtetit ka shtuar prezencën e shërbimeve policore dhe apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjet e panevojshme, si dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në rrugë, me automjete, motomjete apo me këmbë.

Shërbimet e Policisë janë planëzuar me shërbim në të gjithë vendin dhe janë të angazhuara maksimalisht për të ndihmuar përdoruesit e rrugës, në raste nevoje, dhe për të parandaluar aksidentet rrugore.

Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Emergjencat Civile, Ministrinë e Mbrojtjes dhe institucionet e tjera, janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast që paraqet rrezik për përdoruesit e rrugës dhe për banorët në zonat ku është parashikuar që të ketë reshje të dendura shiu.

Firmat kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve po punojnë për të pastruar inertet e rëna si pasojë e reshjeve të dendura dhe për zbllokimin e disa segmenteve të bllokuara nga shkarja e dherave dhe e gurëve.

KUJDES‼

Shmangni lëvizjet e panevojshme dhe lëvizjet në akset që paraqesin rreziqe;

Respektoni sinjalistikën rrugore;

Moderoni shpejtësinë, mbani distancën e duhur me mjetet e tjera, mos kryeni parakalime të gabuara, vendosni rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.

Ora 10:42
Moti i keq/ Trageti i linjës Brindisi-Vlorë nuk ankorohet në port, shkak erërat e forta dhe dallgët e larta

 

Prej më shumë se tre orë e gjysmë, trageti i linjës Brindisi-Vlorë, pasi ka mbërritur rreth orës shtatë të mëngjesit në gjirin e Vlorës, nuk ka mundur dot të ankorohet për shkak të erërave të forta, dallgëve të larta, si dhe rrezikut të përplasjes me kalatën e portit të Vlorës.

Nga ora 07:00 deri në orën 10:30, trageti, i cili ka 174 pasagjerë në bord, vijon të qëndrojë në radë, deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Ora 09:47
Malësi e Madhe/ Rrufeja shkakton zjarr në një banesë dykatëshe, shtëpia shkrumbohet tërësisht nga flakët

Një banesë dykatëshe është përfshirë nga flakët në fshatin Preknicaj të Shkrelit, Malësi e Madhe.

Zjarri mësohet se ka rënë rreth orës 02:00 të natës në shtëpinë në pronësi të Zef Preknicaj.

Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit janë shkarkesat elektrike për shkak të kushteve atmosferike të përkeqësuara në 24 orët e fundit.

Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrëfikësve banesa është shkrumbuar plotësisht duke shkaktuar dëme të mëdha materiale ndërsa nuk raportohet për njerëz të lënduar.

Ora 09:32
Moti i keq/ Ministria e Mbrojtjes: Situatë meteorologjike e qetë, pa probleme serioze! Në Lezhë dhe Fushë Arrëz ka ndërprerje të energjisë

 

Ministria e Mbrojtes njofton se situata meteorologjike në vend paraqitet e qetë dhe pa probleme serioze në nivel kombëtar. Ministria raporton ndërprerje të energjisë elektrike në Lezhë dhe Fushë Arrëz. Në Lezhë, ndërprerja e energjisë u shkaktua pas rrëzimit të një peme në aksin Lezhë-Shëngjin, e cila dëmtoi linjat elektrike. Ndërsa në Fushë-Arrëz, problematikat me energjinë u shkaktuan nga era e fortë.  

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes: 

Situata meteorologjike në vend paraqitet kryesisht e qetë, me reshje me intensitet të ulët deri mesatare dhe pa probleme serioze në nivel kombëtar. 

Në qarkun e Shkodrës, reshjet intensive që ranë dje, pasdite dëmtuan segmentin rrugor Breg Lumi–Theth, ku 9 persona dhe 5 mjete mbetën të bllokuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave bashkiake, Policisë së Shtetit dhe efektivëve të FA, personat u evakuuan me sukses. Rruga mbetet e bllokuar dhe po pastrohet nga inertet, me mbështetjen e 10 efektivëve të FA. 

Në bashkinë Fushë Arrëz janë raportuar ndërprerje të energjisë për shkak të erës së fortë.

Në qarkun e Lezhës, në aksin Lezhë–Shëngjin është rrëzuar një pemë, e cila ka dëmtuar linjat elektrike dhe ndërprerë energjinë. Në rrugën Lezhë–Balldren ka prezencë inertesh dhe forcat operacionale po punojnë për pastrimin e saj.

Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika nga moti.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 24 orët e ardhshme priten reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të intensifikohen në formë shtrëngatash. Nga pasditja deri në orët e para të mëngjesit, reshje të shumta priten edhe në Lezhë, Durrës dhe Tiranë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Parashikohet mjegull dhe shikueshmëri e reduktuar në zona luginore.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë, në koordinim të strukturave për përballimin e pasojave të mundshme nga moti i keq. Ju lutemi banorëve të zonave, ku mund të paraqiten probleme të kontaktojnë me autoritetet vendore!

Ora 09:23
Moti i keq/ Era e fortë rrëzon pemë në zonën e Skelës dhe pyllin e Sodës në Vlorë! Në qarkun e Fierit disa zona pa energji elektrike (VIDEO)

 

Vendi ynë që prej orëve të natës është përfshirë nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Kështu si pasojë e erës së fortë disa pemë janë rrëzuar në zonën e Skelës dhe në zonën e pyllit të Sodës.

Ndërkohë në disa zona rurale të qarkut të Fierit ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Problemet me furnizimin janë paraqitur në nënstarcionin e Poçemit në Mallakastër, fideri i Matkës në Roskovec, në Mbrostar dhe Gorishovë.

Grupet e punës ndodhen në terren për rikthimin e energjisë.

Ora 09:05
Reshjet në vend/ Situatë problematike edhe në disa fshatra të Krujës, tokat nën ‘pushtetin’e ujit (VIDEO)

 

Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin tonë këtë të martë kanë sjellë një situatë mjaft problematike në të gjithë ultësirën e bashkisë Krujë, kryesisht në fshtarat Bilaj, Murqinë, Mallkuc etj.

Në fshatin Murqinë, uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha arash.

Nëse reshjet do të vijojnë me të njëjtin intensitet, përveç arave rrezikojnë që uji të futet në biznese e banesa, për shkak se kanalet e kullimit nuk funksionojnë.

Ora 08:33
Lezhë/ Kanali i ujërave të larta në Zadrimë del nga shtrati, përmbyt disa hektarë tokë bujqësore (VIDEO)

 

Moti i keq ka shkaktuar probleme në Lezhë. Nga prurjet e shumta të ujit ka dalë nga shtrati kanali i ujërave të larta të Zadrimës në zonën e Kallmetit, duke përmbytur disa hektarë tokë bujqësore.