Moti ka bërë një kthesë të fortë këtë të enjte. Ditët me diell ia kanë lënë vendin reshjeve të shiut e dëborës. Për shkak të detit të trazuar është pezulluar lundrimi i trageve Durrës-Bari e anasjelltas. Ndësa në veri dhe verilindje malet janë zbardhur nga bora e parë. Ndersa rrugen e re Qukës-Qafë Plloçë ka rreshqitje guresh.

***
Tragetet e linjës Durrës–Bari dhe Bari–Durrës nuk do të lundrojnë këtë të enjte për shkak të reshjeve të shiut me erë të fortë. Ndërkohë, trageti i linjës Ankona–Durrës nuk do të pezullohet, bën të ditur Autoriteti Portual.

Vetëm pak ditë pas inaugurimit, ka rrëshqitur një pjesë e masivit shkëmbor në aksin e ri Qukës-Qafë Plloçë për shkak të reshjeve të shiut.

Është bllokuar vetëm nje korsi, ndërsa drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes në dy korsitë e tjera që janë të hapura.

Në Kukës, reshjet e dëborës kanë zbardhur zonat malore mbi 1500 metra, si Shishtavec, Topojan, Arren dhe Kalis.

Në malin e Gjallicës, trashësia e borës ka arritur deri në 20 centimetra.

Fermeri Ekrem Onuzi, i cili ndodhet me tufën e tij në Gjallicë, në vendin e quajtur “Sasat” ku dhjetra banorë kanë stanet, tha se nuk janë shënuar probleme për bagëtinë apo jetesën e tyre të përdishme.

“Trashësia e borës këtu ka shkuar rreth 20 centimetra. Deri tani jemi mirë, bagëtitë i kemi në stane dhe nuk kemi pasur vështirësi të mëdha”.

Rruga e Kombit dhe aksi Kukës-Morinë janë të hapura, por shoferët këshillohen të tregojnë kujdes për shkak të lagështisë dhe prezencës së borës.

Tetë mjete borëpastruese janë në gatishmëri nga Morina deri në tunelin e Kalimashit.

Edhe zonat malore të Mirditës mbi 1000 metra lartësi, janë përfshirë nga reshjet e dëborës.

ARRSH-ja bën të ditur se mjetet borëpastruese dhe skuadrat e mirëmbajtjes janë në terren dhe qarkullimi në të gjitha akset nacionale vijon normalisht.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:28
Moti i keq përfshin edhe qarkun e Elbasanit, dëbora zbardh pikën turistike të Fushë-Studës në Librazhd (VIDEO)

Moti i keq ka përfshirë vendin tonë në 24 orët e fundit, ku nuk kanë munguar as reshjet e dëborës në disa zona malore si në Kukës dhe në bjeshkët e Mirditës.

Por duket se reshjet e dëborës kanë zbardhur edhe pikën turistike të Fushë-Studes në Librazhd.

Report Tv sjell pamjet nga Fushë-Studen, ku natyra duket si në mes të dhjetorit, ndonëse kalendari shënon ende 2 tetor.

Ndërsa për momentin nuk janë raportuar probleme në zonë.

Ora 12:15
Moti i keq/ Masivi shkëmbor bllokon një nga korsitë në aksin e ri Qukës-Qafë Plloçë

 

Një pjesë e një masivi shkëmbor ka rrëshqitur ditën e sotme si pasojë e shirave në aksin e ri nacional Qukës-Qafë Plloçë. Për pasojë është bllokuar njëra prej tre korsive.

Autoritetet e mirëmbajtjes së rrugëve ndodhen në terren për të pastruar rrugën.

Aktualisht nuk ka bllokim të aksit por, rekomandohet kujdes i shtuar për drejtuesit e automjeteve.

Ora 11:37
Moti i keq përfshin edhe qarkun e Lezhës/ Në bjeshkët e Mirditës dëbora arrin deri në 15 cm! Probleme me energjinë elektrike

Moti i keq me reshje shiu dhe dëbore ka përfshirë edhe Qarkun e Lezhës, duke sjellë probleme kryeisisht me furnizimin me energji elektrike.Sipas të dhënave zyrtare të Mbrojtjes Civile, në lartësitë mbi 1 mijë metra në bjeshkët e Mirdites ka rënë dëbora e parë, trashësia e së cilës ka arritur deri në 15 cm dhe temperaturat janë ulur ndjeshëm.

Ndërsa në zonat fushore ka reshje shiu me itensitet mesatar dhe ere të fortë, duke sjellë dëmtim të linjave elektrike kryesisht në fshatrat e Zadrimës, Shëngjinit dhe Bregut të Matës.

Në një pjesë të këtyre zonave prej mesnate mungon energjia elektrike, ndërsa grupet e punës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndodhen në terren për riparimin e defekteve.

Moti i keq ka sjell dhe dallgëzim të lartë në brigjet e Shëngjinit dhe autoritetet portuale kanë kërkuar ndalim të lundrimit për mjetet e vogla, deri në përmiresimin e kushteve atmosferike.

Ora 10:39
Reshje dëbore, rënie gurësh dhe inertesh/ Moti i keq përfshin qarkun e Kukësit (VIDEO)

 

Temperaturat e ulëta kanë sjellë reshjet e para të borës në verilindje të vendit. Në lartësitë 1500 metra mbi nivelin e detit, bora ka mbuluar Shishtavecin, Zapin, Topojanin, Gryk-Qajin, Arrenin dhe Kalisi, duke krijuar pamje tipike dimërore. Edhe mali i Gjallicës është zbardhur nga dëbora e parë.

Fermeri Ekrem Onuzi, i cili ndodhet me tufën e tij në bjeshkët e Gjallicës, në vendin e quajtur “Sasat” ku banorët e zonës kanë stanet, tregon se trashësia e borës ka arritur deri në 20 centimetra.

Sipas tij, deri më tani nuk janë shënuar probleme për bagëtinë apo jetesën e përditshme.

Ndërkohë Komisioni i Mbrojtjes Civile i Prefekturës Kukës ka njoftuar se në disa segmente rrugore janë shënuar rënie gurësh dhe inertesh, por ndërhyrja e kompanive kontraktore ka rikthyer normalitetin.

Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk raportohen emergjenca. Rrugët drejt pikave doganore, përfshirë Rrugën e Kombit, janë të qarkullueshme, megjithëse nën ndikimin e reshjeve të shiut.

Drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes për shkak të lagështisë dhe prezencës së dëborës në disa segmente.

Në stacionin e mjeteve të rrugës së Kombit në gatishmëri janë vendosur 8 mjete borëpastruese, për t’u përdorur në rast përkeqësimi të kushteve të motit për pastrimin e bores dhe hedhjen e kripës nga Morina deri tek Tuneli i Kalimashit.

Ora 10:29
Moti i keq/ Pezullohen lundrimet Durrës - Bari dhe anasjelltas (VIDEO)

Si pasojë e kushteve atmosferike të paqëndrueshme, lundrimi i trageteve Durrës-Bari dhe anasjelltas është pezulluar.

Në një njoftim  Autoriteti Portual Durrës bën me dije gjithashtu se trageti i linjës Ankona- Durrës do të vijojë lundrimim sipas programit.

"Autoriteti Portual Durrës informon se, për shkak të kushteve të motit në Detin Adriatik, lundrimet e parashikuara për ditën e sotme në linjën Durrës–Bari dhe Bari–Durrës janë anuluar.

Ndërkohë, trageti i linjës Ankona–Durrës do të niset sipas programit pasditen e sotme nga Ankona, me mbërritje në Portin e Durrësit ditën e nesërme. Autoriteti Portual Durrës do të vijojë të informojë publikun dhe udhëtarët në kohë reale për çdo ndryshim të orareve të lundrimeve", njoftoi Autoriteti Portual Durrës.

Ora 08:18
VIDEOLAJM/ 'Erdhi' dimri, bie bora e parë në Kukës! Zbardhet Shishtaveci

Temperaturat kanë pësuar një rënie të ndjeshme në zonat verilindore të vendit, duke sjellë edhe reshjet e para të borës në Kukës.

Nga pamjet e siguruara për Report Tv shohim se dëbora ka zbardhur njësinë administrative të Shishtavecit të duke dhuruar një pamje fantastike.

Aktualisht nuk janë raportuar probleme në qarkullimin e makinave.

Megjithatë, drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, për shkak të lagështisë dhe mundësisë së akullit në rrugë.