Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë krijuar disa vështirësi në disa zona të Qarkut Vlorë, ndërsa strukturat vendore dhe emergjencat civile janë në gatishmëri dhe po punojnë për normalizimin e situatës.

Nivicë, Bashkia Himarë

Në fshatin Nivicë është përmbytur banesa e shtetasit S.DH . Shërbimet vendore janë njoftuar dhe po monitorojnë situatën nga afër.

Vishe, Bashkia Himarë

Në këtë fshat, njëra anë e rrugës është bllokuar nga inertet e rrëshqitura. Ekipet e Bashkisë Himarë ndodhen në terren dhe po punojnë për hapjen e plotë të aksit.

Brataj, Bashkia Selenicë

Rrëshqitje dherash dhe inertesh kanë bllokuar njërën anë të rrugës. Shërbimet e Bashkisë Selenicë po kryejnë pastrimin dhe normalizimin e qarkullimit.

Aksi rrugor Virion-Muzinë, pranë fshatit Mesopotam

Lumi Bistricë ka dalë nga shtrati dhe niveli i ujit ka arritur rreth 50 cm, duke e bërë rrugën të pakalueshme. Shërbimet e emergjencave në Prefekturë, bashkitë dhe Policia Rrugore janë vënë menjëherë në dijeni dhe po ndjekin situatën.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Përmbytje në Delvinë e Finiq, evakuohen 6 familje! Izolohen 10 fshatra në Mirditë! Vjosa rrezikon të dalë nga shtrati