Edhe pse prej ditësh moti me reshjet e dendura të shiut në zonat e ulëta dhe rënia e dendur e dëborës ka përfshirë zonat malore të Tiranës, deri ma tani asnjë pjesë e territorit të kryeqytetit nuk ka shfaqur deri më tani probleme me përmbytjet apo bllokimin e akseve rrugore.
Bashkia e Tiranës ka marrë masa për të përballuar dhe parandaluar situatat problematike në disa nga pikat kryesore, siç është sistemimi i Lumit Tirana.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale garantoi se janë marrë të gjitha masat dhe punonjësit e bashkisë janë në gatishmëri të plotë. Ai u bën thirrje të gjithë banorëve të Tiranës që të jenë bashkëpunues dhe të kërkojnë ndihmën e strukturave bashkiake për çdo emergjencë.
“Sot është një ditë jo e lehtë për menaxhimin e qytetit! Jemi në terren në Tiranë-qytet, për të shmangur përmbytjet dhe në zonat Tiranë-rrethina, me kripë e skorje për borën! Nëse bashkëpunojmë, të gjithë do t’ia dalim me sukses! 112 për çdo emergjencë! FORCA”, shkruan Veliaj.