‘Motivacioni zyrtar për shkarkimin e Kadriut, do jetë ‘mungesë vigjilence’, se po të themi del në pension’/ Porosia e Enverit në Byro, 8 tetor ‘82

‘Motivacioni zyrtar për shkarkimin e Kadriut, do jetë ‘mungesë vigjilence’, se po të themi del në pension’/ Porosia e Enverit në Byro, 8 tetor ‘82

Memorie.al /publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”.

Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim.

Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh.

Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti.

Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut.

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                                        TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                            PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu

Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

VAZHDIM I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE NË ZYRËN E SHOKUT ENVER PAS PËRJASHTIMIT TË KADRI HAZBIUT MË 8 TETOR 1982

SHOKU ENVER HOXHA: Tani ne, duhet të marrim një vendim, në bazë të disa propozimeve tona. Ne të Sekretariatit, kemi punuar dhe i kemi marrë një nga një shokët që drejtojnë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, duke filluar që nga Veli Llakaj, dhe deri tek Alfred Moisiu, dhe kemi arritur në këto rezultate.

Ne, mendojmë të ndërrojmë ekipin e Shtatmadhorisë, e cila është e vjetruar pasi, ata që shërbejnë sot atje, kanë probleme të theksuara politike dhe dobësi morale.

Disa mund të kenë eksperiencë, por na bie detyrë që të çojmë atje, njerëz me moral të lartë, me vendosmëri në madhe, dhe me përvojë. Të tërë këta që propozojmë, janë ushtarakë që kanë mbaruar shkollat tona, dhe jo jashtë.

Konkretisht në vend të Veli Llakajt, të cilin do ta shkarkojmë dhe hë për hë do ta vëmë në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes, propozojmë që të vënë Kiço Jani Mustaqin.

Tani ky, është Drejtor i Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Mustaqi, pra mendojmë që të emërohet Zëvendësministër në këtë dikaster, si dhe Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. I ke gjë biografitë e tyre, Ramiz?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Ja, këtu i kam por, Kiçon e njohin shokët.

TË GJITHË SHOKËT: E njohim Kiçon, është djalë shumë i mirë.

SHOKU ENVER HOXHA: E dyta, Simon Konstandin Ballabani, tani Komandant i Grupimit të 6-të, të emërohet Zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, në vend të Maliq Sadushit i cili, të shkarkohet nga kjo detyrë dhe të nxirret në pension. Ky ka kaluar edhe moshën.

E treta, Jaçe Ali Lulaj, tani Komandant i Korpusit të 7-të, të emërohet Zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, në vend të Nazar Berberit i cili, të shkarkohet nga kjo detyrë dhe të mbetet në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes.

E katërta, Bajram Bilal Mane, tani Komandant i Korpusit të 3-të, të emërohet Zëvendësministër i Mbrojtjes Popullore në vend të Alfred Moisiut i cili, shkarkohet nga kjo detyrë dhe mbetet në dispozicion në Ministrisë së Mbrojtjes.

E pesta, Mendu Backa, të shkarkohet nga detyra e Zëvendësministrit të Mbrojtjes Popullore, dhe të nxirret në pension. Këto janë propozimet që bëjmë ne, për të forcuar më shumë Shtatmadhorinë. Jeni të bindur se kuadrot e rinj, do t’i marrin menjëherë në dorë funksionet që do ju ngarkohen, për të cilat janë të aftë.

Ata janë të gjallë, dhe puna me ta nuk do të na çalojë. Ata, do të jenë dhe një ndihmë e madhe dhe për shokun Prokop, derisa ky të ambientohet me çështjet ushtarake. Të tërë këta, e njohin ushtrinë. Këta kuadro janë nomenklaturë e Byrosë Politike, prandaj jeni dakord ?! Ta hedhim në votë ?!

TË GJITHË SHOKËT: Dakord.

SHOKU ENVER HOXHA: Prandaj këto, do t’i firmos menjëherë nesër në orën 10 dhe 11 pasi të marrë punën në dorëzim Prokopi, të tërë të vijnë këtu.

SHOKU RAMIZ ALIA: Dakord, dakord, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Ne, do të marrim dhe disa masa të tjera për forcimin e aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes, drejtorëve e nëndrejtorëve, me qëllim që kjo ministri të jetë në duar të sigurta. Të gjithë brenda javës, të marrin detyrën dhe të tjerët të gjejnë vendin që meritojnë. Duhet të ecet drejt, shpejt, dhe mirë. Kaq kisha unë për t’ju thënë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Nesër, duhet të bëjmë dhe atë që duhet të dërgojë Adili në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Vendimin e Byrosë Politike për Kadriun, e kemi formuluar kështu: “Byroja Politike e Komitetit Qendror në datën (këtu nuk po e vendosim datën) vendosi: Kadri Hazbiu, të shkarkohet nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes Popullore, për mungesë të theksuar vigjilence dhe për gabime të rënda në kundërshtim me vijën e Partisë, dhe me interesat e shtetit gjatë kohës që ka punuar si Zëvendësministër e Ministër i Punëve të Brendshme”.

Pra këto dy motivacione po vëmë tani, “Mungesë të theksuar vigjilence dhe gabime të rënda në kundërshtim me vijën e Partisë dhe Shtetit”. Prokop Murra, deri tani Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë për rrethin e Tiranës, të emërohet Ministër i Mbrojtjes Popullore. Ky do të jetë dokument i Byrosë Politike, kurse nga Presidiumi i Kuvendit Popullor për publikun do të themi se Kadriu, shkarkohet për arsye shëndetësore, apo si ta mendojmë, ose thjesht shkarkohet nga detyra.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Pse të mos e themi, që shkarkohet nga detyra si Ministër i Mbrojtjes Popullore dhe në vend të tij, emërohet shoku Prokop Murra?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Domethënë të mos vëmë asnjë motivacion, thjesht shkarkohet si Ministër i Mbrojtjes.

SHOKU ENVER HOXHA: Po edhe nuk është nevoja që ta shtypim ne atë, pse do ta shtypim?! Kur të dalë gazeta zyrtare e Presidiumit, atje le të dalë, përse ta botojmë në shtypin qendror.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mund edhe të mos e botojmë. S’ka gjë se do të dalë në gazetën zyrtare.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Për efekt të brendshëm, të gjithë do ta marrin vesh këtë vendim. Çështja është për botën e jashtme, s’ka pse të botohet mendoj.

SHOKU RAMIZ ALIA: Për brenda, të merret vesh ky vendim menjëherë.

SHOQJA LENKA ÇUKO: Ja, që nesër vjen ministri i ri në dikaster, dhe përnjëherë merret vesh nga të gjithë.

SHOKU ENVER HOXHA: Mund të vëmë shprehjen se Kadri Hazbiu u shkarkua, që të vinte ministri i ri Prokop Murra?! Po mirë, le të merret vesh jashtë, përse duhet të kemi frikë?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Po edhe për jashtë, përse të mos e vëmë?! Kështu edhe llafeve ju mbyllim gojën.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Atëherë të botojmë që shkarkohet Kadriu, dhe emërohet Prokopi. Drejt, më mirë duhet të botohet.

SHOKU RAMIZ ALIA: Çështja është tani që ta vëmë ne që Kadriu del në pension, apo të mos e vëmë?! Unë mendoj, që të mos e vëmë hiç, por të themi vetëm që shkarkohet si Ministër i Mbrojtjes Popullore, dhe në vend të tij emërohet Prokop Murra.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu, ashtu, se po të themi del në pension, e kuptojnë sesi është puna.

SHOKU HEKURAN ISAI: Atë interpretim, do bëjnë njerëzit sido që të botohet.

SHOKU ENVER HOXHA: Tani këto që u miratuan, duhet të kthehen në vendime dhe pastaj, t’i firmosë Komandanti i Përgjithshëm.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, dakord.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Nesër në orën 10, t’i thërrasim ne Zëvendësministrat dhe Drejtorët?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, jo, ata do ti thërrasë vetë këtu shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Zëvendësministrat e rinj, do t’i thërras unë prandaj, të jenë të tëra gati atje ku janë, që të vijnë menjëherë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë