Për të pestin vit radhazi Shijaku u kthye në kryeqendrën e motoristëve të cilët erdhën nga mbi 50 vende të ndryshme të botës dhe diasporës duke krijuar një atmosferë elektrizuese të shoqëruar nga muzika Rock, një koncert me festime të ndryshme dhe shumë qytetarë dhe turistë.

Grupe kombëtare dhe ndërkombëtare të shoqatave të motoristëve nga vende si Shqiptëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia, Italia, Franca, Gjermania, Hollanda, Suedia, Danimarka dhe Zvicra, mbërritën në Shijak pasditen e sotme për këtë event që tashmë Bashkia Shijak e ka kthyer në një traditë të përvitshme çdo fillim qershori.

Parada e motoristëve nisi sot, me pjesëmarrjen e 50 grupeve ndërkombëtare dhe mbledhjen e tyre në orën 15:00 nga sheshi i Shijakut, nisjen e paradës nga ora 17:30 prej sheshit të Shijakut drejt shëtitores “Taulantia” Durrës, për t’u rikthyer më pas në qendër të Shijakut me vazhdimin e eventit të hapur ku pritet një koncert Rock n’Roll dhe jo vetëm.

'Moto Fest' është parë gjithnjë jo thjesht si një paradë, por si një festë e vërtetë ku ndahet histori, përvojë dhe miqësi të reja.

Axhenda e plotë:
17:30 – Nisja e paradës nga qendra e Shijakut
18:00 – Kthimi i paradës në qendër
18:45 – Hapja zyrtare e programit dhe performancë e grupit të valleve popullore me drejtuesen Gabriela Rama
19:00 – Fjala përshëndetëse nga Kryetari i Bashkisë Elton Arbana dhe Presidenti i Albania Bikers
19:20 – Performancë artistike nga grupi i tupanave Manaj Dance
19:45 – Performancë muzikore nga grupi Magic 4
20:30 – E ftuara speciale Biker Sister of Rock
21:30 – Ceremonia e 5-vjetorit të Albania Bikers, prerja e tortës dhe spektakël me fishekzjarre
21:50 – Performancë muzikore nga Fjoralb Dedja
22:15 – Performanca e radhës nga grupi Magic 4
22:50 – Shorteu festiv me dhurata për pjesëmarrësit
23:15 – Mbyllja e aktivitetit.