Në një njoftim për shtyp, MPB bën të ditur se është në ndjekje të situatës së rënduar.
Për ketë MPB thotë se janë ngritur Komisionet e Emergjencave në çdo Prefekturë, në koordinim të vazhdueshëm nga Qendra e Emergjencave Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe subjektet private të kontraktuara për mirëmbajtjen e akseve rrugore nacionale dhe rurale kanë qënë në gadishmëri të plotë me forcat dhe mjetet e tyre për të ndërhyrë në segmentet problematike të këtyre akseve rrugore, për të hedhur kripë në rrugë, për të pastruar inertet dhe dherat që bien mbi rrugë, si dhe për të mbajtur hapur këto akse për qarkullimin normal të automjeteve.
Qarku Gjirokastër – Komisioni i Emergjencave Civile të Prefekturës Gjirokastër është mbledhur dhe ka përcaktuar detyrat për çdo strukturë përgjegjëse, si dhe ka punuar në terren së bashku me këto struktura për monitorimin e vazhdueshëm të situatës për përballimin e përmbytjeve të mundshme që mund të krijoheshin në territorin e këtij qarku nga reshjet. Në fshatin Vrisera të Komunës Dropull i Sipërm është dëmtuar nga prurjet e lumit Drino argjinatura e tij. Bordi i Kullimit Gjirokastër ka dërguar forcat dhe mjetet për riparimin e argjinaturës për të mos lejuar përmbytjen e banesave të fshatit Vrisera. Në segmentin rrugor Gjirokastër-Kardhoc të aksit rrugor nacional Gjirokastër-Kakavijë ujërat e përroit kanë vërshuar duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve në hyrje të fshatit Lazarat, si dhe përgjatë këtij aksi rrugor nacional. Qarkullimi i automjeteve të vogla është bëhet me vështirësi ndërsa automjetet e mëdha kanë qarkulluar normalisht. Bordi i Kullimit Gjirokastër ka dërguar forcat dhe një mjet për bllokimin e vërshimit të ujërave të këtij përroi dhe rënies së inerteve në rrugë. Autoritetiti Rrugor Shqiptar ka dërguar një mjet për pastrimin e inerteve në këtë segment rrugor dhe për normalizimin e qarkullimit të automjeteve në aksin rrugor nacional Gjirokastër-Kakavijë.
Në rrethin e Përmetit lumi Vjosë ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur një segment të aksit nacional Qilarishtë-Bablonjë. Për shkak të erës së fortë dhe reshjeve qyteti i Gjirokastrës ka qënë pa energji elektrike gjatë natës, pasi nënstacioni elektrik është i mbuluar nga uji. Rreth mesditës është rikthyer energjia në rreth 30% të qytetit dhe po punohet për normalizimin e situatës. Në qytetin e Memaliajt, është evakuuar me ndihmën e një helikopteri të Forcave të Armatosura një person i bllokuar nga uji, në taracën e një lokali. Në komunën Luftinjë në Tepelenë, nga vërshimi i ujit janë dëmtuar muret e 2 banesave, ndërsa policia ka evakuuar banorët e tyre. Në orët e mesditës, intesiteti i shirave ka rënë.
Qarku Vlorë – Komisioni i Emergjencave Civile të Prefekturës Vlorë ka punuar për monitorimin e vazhdueshëm të situatës për përballimin e përmbytjeve të mundshme që mund të krijoheshin nga Lumi Vjosë në territorin e Komunës Novoselë. Nga ky shtab emergjence dhe Komuna Novoselë janë marrë të gjitha masat përkatëse duke lajmëruar banorët, veçanërisht në fshatrat Poro dhe Bishan, për t`u larguar në rast përmbytje nga zonat e rrezikuara. Në orët e paradites është ndërhyrë me mjete lundruse nga forcat policore, për të evakuuar disa familje të bllokuara në banesat e tyre nga uji. Një mjet i Bordit të Kullimit Vlorë ka shkuar në zonën e këtyre fshatrave dhe ka kryer punimet mbrojtëse nga përmbytjet e mundshme.
Në Delvinë është mbledhur Komisioni i Emergjencave Civile të Nënprefekturës Sarandë për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet dhe rritjes së nivelit të ujit nga Lumi Kalasë. Për arsye të grryerjes së madhe të tij të rrugës që të çon tek pularia një eskavator i Bordit të Kullimit Vlorë ka punuar për devijimin e prurjeve të lumit në shtratin e vjetër të tij. Gjithashtu, mjetet kanë hedhur gurë në lumë për devijimin e prurjeve. Si rezultat i kësaj pune të kryer është evituar rreziku eminent për dëmtimin e rrugës së pularisë dhe është bërë devijimi i ujërave të lumit për në shtratin e vjetër të tij.
Qarku Fier – Komisioni i Emergjencave Civile të Prefekturës Fier ka qënë në terren së bashku me këto struktura për monitorimin e vazhdueshëm të situatës për përballimin e përmbytjeve të mundshme që mund të krijoheshin në zonat problematike të qarkut. Lumi i Vjosës ka dalë nga shtrati në fshatin Çerven, komuna Levan. Autoritetet e komunës kanë marrë masat duke evakuuar disa nga familjet më problematike. Gjithashtu lumi Seman ka dalë nga shtrati në fshatin Arapaj, të komunës Strumë dhe ka përmbytur toka bujqësorë. Edhe lumi Gjanicë ka dalë nga shtrati duke përmbytur disa banesa dhe biznese. Hidrovorët kanë qënë të gjithë në punë dhe me kapacitet të plotë.
Qarku Shkodër – Të gjithë akset rrugore nacionale dhe rurale janë të kalueshme dhe pa probleme.
Në fshatin Shkozë të Komunës Gjegjan, rrethi Pukë, është dëmtuar nga rrëshqitja masive e tokës dhe një banesë 2 katëshe, si dhe janë rrezikuar 6 banesa të tjera. Familjet e këtyre dy shtetasve janë evakuar nga banesa e tyre dhe janë strehuar përkohësisht tek familjet e fshatit Shkozë. Familjet e 6 banesave të rrezikuara nga rrëshqitja masive e tokës nuk janë evakuar por situata është mbajtur në monitorim të vazhdueshëm nga Komuna Gjegjan. Trashësia e saj në qytetin Pukë është 15 cm ndërsa në shkallë rrethi dhe në Qafë Mali trashësia e dëborës është rreth 30 cm. Komuna Iballë është bllokuar nga reshjet e dëborës.
Qarku Kukës – Trashësia e dëborës në qytete është 10-15 cm, kurse në lartësitë mbi 500-700 m, trashësia e dëborës varion nga 30-60 cm. Autostrada e Kombit e qarkullueshme pa zinxhirë. Trashësia e dëborës tek Tuneli në Kalimash 50 cm. Po punojnë në pikat kritike 6 borëpastruese. Domaj-Drajreç e qarkullueshme pjërisht me zinxhirë. Trashësia e dëborës 30 cm, punojnë 2 mjete, 1 borëpastruese e 1 fadromë. Aksi rrugor Domaj-Bushtricë është i qarkullueshëm pa zinxhirë, punon 1 borëpastruese dhe 1 eskavator. Trashësia e borës 40 cm. Kukës-Ura e Zapodit e qarkullueshme pjësërisht me zinxhirë, punon 1 mjet borëpastruese, trashësia e borës 30 cm. Kukës-Q.Shllak pa zinxhirë, punon 2 borëpastruese e 1 eskavator, trashësia e borës 30 cm. Kukës-Krumë e qarkullueshme pa zinxhirë, trashësia e borës 30 cm. Punon 1 mjet borëpastruese. Plepa-Kam e qarkullueshme pa zinxhirë. Ka punuar 1 borëpastruese 1 eskavator, trashësia e borës 35 cm. B.Curri-Valbonë e qarkullueshme pa zinxhirë, punon 1 borëpastruese e 1 eskavator, trashësiae dëborës 60 cm. Aksi B.Curri-Qafë Morinë, lartësia e dëborës 30 cm, qarkullimi pa zinxhirë, punon 1 borëpastruese. Aksi B.Curri-Kam e qarkullueshme pa zinxhirë, kanë punuar 2 mjete 1 borëpastruese e 1 fadromë, lartësia e dëborës 35 cm. Në qëndrat e komunave Surroj, Zapod, Topojan, Malzi, qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë. Në këtë rreth janë të bllokuara qëndrat e komunave Grykë-Çaj, Kalisë e Arrën. Në rrethin e Hasit janë të qarkullueshme të gjitha akset që lidhin qëndrat e komunave. Në rrethin e Tropojës, me përjashtim të komunës Lekbibaj, e cila është e bllokuar si pasojë e rreshqitjes të mëdha të dherave akset e tjera janë të qarkullueshme.
Qarku Dibër – Gjatë 24 orëve të kaluara në të gjithë qarkun ka patur reshje të normale shiu të cilat nuk kanë shkaktuar probleme.
Akset rrugore nacionale dhe rurale janë të kalueshme dhe pa probleme.
Qarku Lezhë – Gjatë 24 orëve të kaluara në të gjithë qarkun e Lezhës ka patur reshje të dobëta shiu.
Të gjithë akset rrugore nacionale dhe rurale janë të kalueshme dhe pa probleme.
Komisioni i Emergjencave Civile të Prefekturës Lezhë ka monitoruar në vijueshmëri situatën për përballimin e përmbytjeve të mundshme që mund të krijoheshin në këtë qark. Hidrovorët kanë qënë të gjithë në punë dhe me kapacitet të plotë.
Qarku Tiranë – Për shkak të motit me reshje aksi rrugor nacional Tiranë-Elbasan është bllokuar në fshatin Ibë pasi ka patur rënie të dherave dhe inerteve në rrugë. Ky aks rrugor nacional do të qëndrojë i bllokuar deri në një njoftim tjetër për shkak të punimeve që do të kryejë firma që po ndërton autostradën. Drejtuesit e automjeteve duhet të kalojnë nga aksi rrugor nacional Tiranë-Durrës-Elbasan.
Qarku Elbasan – Autoriteti Rrugor Shqiptar ka punuar ditën e djeshme, më datë 31.01.2015, për riparimin e aksit rrugor nacional Elbasan-Gjinar të dëmtuar për shkak të kushteve të motit dhe fenomeni i rrëshqitjes masive të tokës. Autoriteti i Rrugëve Nacionale ka bllokuar përkohësisht këtë aks rrugor deri në riparimin e tij pasi është dëmtuar trupi i rrugës nga rrëshqitja masive e tokës që vazhdon të riaktivizohet nga reshjet.
Qarku Korçë – Në fshatin Psar të Komunës Qendër Ersekë, rrethi Kolonjë, janë rrezikuar të përmbyten tre banesa nga prurjet e përrejve që vijnë nga Mali Gramoz. Janë evakuar 3 familjet nga komuna dhe ato janë strehuar përkohësisht tek të afërmit e tyre. Nënprefektura Kolonjë ka dërguar një eskavator për devijimin e përrejve. Stacioni i PMNZSH-së Ersekë ka dërguar forcat dhe mjetet për normalizimin e situatës. Në ndihmë të tyre kanë shkuar dhe forcat e policisë.
Qarku Berat – Si pasojë e reshjeve lumi Osum ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur rreth 25 banesa në Bashkinë e Urës Vajgurore. Komisioni i Emergjencave Civile të Prefekturës Berat ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka dhënë ndihmën për evakuimin e banorëve së bashku me bashkinë. Në ndihmë të shtabit të emergjencave kanë shkuar edhe forcat e ushtrisë të Batalionit të Poshnjes.
Marrë nga ATSH
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)