TIRANË - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka reaguar ndaj aktit të rrahjes barbare të nxënësve shqiptarë dhe përshkallëzimit të dhunës gjatë ditës së djeshme e të sotme në disa rajone të Shkupit në Republikën e Maqedonisë duke deklaruar se ato " përbëjnë pamëdyshje jo vetëm akte kriminale të patolerueshëm, por edhe një tronditje serioze për vlerat themelore të një shoqërie multietinike dhe demokratike".

Ministria e Punëve të Jashtme duke uruar shërim të shpejtë dhe të plotë të nxënësve e të rinjve shqiptarë të lënduar,  ka shprehur "solidaritet me familjet e tyre, ka dënuar pa ekuivok dhe me forcë çdo incident e akt dhune dhe ka apeluar që autoritetet e vendit të ndërmarrin masa të menjëhershme për zbulimin dhe dënimin e autorëve, si dhe të përkujdesën që këto raste mos të përsëritën. Forca e ligjit duhet të veprojë ndaj kujtdo që kryen apo mbështet akte të tilla dhune".

Më tej, në deklaratë shprehet "shqetësimi se rishfaqja e incidenteve me sfond etnik dhe rritja artificiale e tensioneve e në Republikën e Maqedonisë, është sinjal alarmi për të gjithë ata që të ardhmen e rajonit tonë e shohin në famijlen e Bashkimit Evropian dhe jo në një rikthim tek e shkuara e tensioneve apo konflikteve etnike, ndaj ajo u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë në Maqedoni dhe veçanërisht faktorëve politikë shqiptarë të tregojnë maturi, pjekuri dhe veprim politik të përgjegjshëm".

"Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se dialogu konstruktiv, fryma e tolerancës, mirëkuptimit, si dhe bashkëpunimit efektiv mes të gjitha forcave të shoqërisë, për gjetjen e zgjidhjeve për çdo problem a situatë të brendshme të vështirë",- thuhet në përfundim të deklaratës, - " është rruga e vetme në shërbim të stabilitetit të vendit, të integrimit të tij në strukturat evropiane dhe euroatlantike si interes madhor i të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, dhe rajonit gjithashtu".

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)