Akuzat e ngritura nje ditë më parë nga kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha për dhënien me koncesion të targave, ose siç njihen ndryshe targat me çip që sipas tij qeveria do të japë është mohuar nga Ministria e Transporteve. Lulzim Basha tha se është njoftuar për një koncesion të ri që sipas tij pritet të ndërmarrë qeveria shqiptare dhe se qytetarët shqiptarë do të paguajnë 50 euro për targë, ndërsa vlera e koncesionit do të jetë 150 milionë euro.

Në deklaratën e saj Ministria e Transporteve sqaron se pranë ministrisë është paraqitur një ofertë e pakërkuar , e cila vjen nga kompania Porta Saber sh.p.k për të investuar në një sistem monitorimi të trafikut. Në deklarate theksohet me tej se për rastin në fjalë, MTI ka ndjekur thjesht dhe vetëm procedurën ligjore, ndërkohë që nuk ka asnjë vendim në lidhje me këtë propozim.

Duke marrë shkas nga interesimi i medias mbi një informacion të pasaktë të ditëve të fundit për një të ashtuquajtur “Konçension të targave me çip”, MTI sqaron opinion publik sa më poshtë:

Pranë ministrisë është paraqitur një ofertë e pakërkuar për të investuar në një sistem monitorimi të trafikut, midis të tjerave, edhe nëpërmjet vendosjes së një çipi në automjetet e riregjistruara në Republikën e Shqipërisë. Ky propozim është paraqitur nga kompania Porta Saber sh.p.k..

Jo vetëm që Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës nuk mund të ndalojë subjekte të ndryshme private për të paraqitur propozime të pakërkuara, por kjo Ministri ka detyrimin ligjor për të ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga ligji deri në marrjen e vendimit për vlerësimit për çdo propozim të pakërkuar. Edhe në rastin në fjalë, MTI ka ndjekur thjesht dhe vetëm procedurën ligjore, ndërkohë që NUK ka asnjë vendim në lidhje me këtë propozim.

MTI, sëbashku me pjesëmarrjen e institucioneve të tjera qendrore, ka ngritur një grup pune që në bazë të ligjit ka për qëllim të vlerësojë interesin publik të kërkesës së paraqitur, si dhe pranueshmërinë teknike dhe ekonomike të saj. Janë kontaktuar mes të tjerësh edhe Autoriteti i Konkurrencës dhe Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave Personale, të cilët gjithashtu duhet të shprehin opinionin e tyre.

Sot, NUK ka asnjë vendim për ofertën e paraqitur, as nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, as nga institucionet e tjera përgjegjëse. 

Sot, ka vetëm një procedurë për vlerësimin e propozimit së pakërkuar, vlerësim të cilin ligji e kërkon për çdo propozim të pakërkuar që dorëzohet në Ministri.

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës garanton çdo sipërmarrës se propozimet e tyre do të shqyrtohen me transparencë dhe profesionalizëm të plotë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, por gjithmonë në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe në shërbim të shtetasve të Republikës së Shqipërisë.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)