Gjykata e Kajros shfajësoi sot ish-presidentin Hosni Mubarak, i akuzuar për përfshirje në vrasjen e protestuesve gjatë kryengritjes së vitit 2011 që i dha fund sundimit të tij 30 vjeçar.

Në momentin që gjyqtari dha gjykimin që hodhi poshtë akuzat për vdekjen e qindra njerëzve, njerëzit në sallë brohoritën dhe duartrokitën vendimin. Në vitin 2012, Mubarak u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e demonstruesve dhe mungesën e ligjit dhe rendit gjatë revoltës 18 ditore, por më pas një gjykatë e apelit urdhëroi një rigjykim të çështjes.

Vendimi i sotëm e liron Mubarak edhe nga akuzat për korrupsion në lidhje me eksportin e gazit në Izrael. Ndërkaq, ai do të duhet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit me 3 vite burg për përvetësim të fondeve publike.

Mubarak i cili ka qenë në gjyq së bashku me djemtë e tij dhe zyrtarë të tjerë të lartë ka mohuar vazhdimisht akuzat për korrupsion duke thënë se kishte shërbyer me besnikëri vendit të tij.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)