Muharrem Xhafa: Pse duhet
të dekorohet Mehmet Shehu

Muharrem Xhafa: Pse duhet<br />të dekorohet Mehmet Shehu
TIRANE - Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Muharrem Xhafa, mendon se Mehmet Shehu është një prej figurave më të shquara të LANÇ-it. Sipas tij, të dekorosh Mehmet Shehun do të thotë të jesh në anën e luftës.

“Unë nuk di nëse ka ndonjë institucion që të ketë propozuar të dekorohet Mehmet Shehu! Sidoqoftë, ai ka qenë një prej figurave më të shquara të LANÇ-it, komandant i Brigadës së Parë Sulmuese, Hero i Popullit. Këto e të tjera, historia e LANÇ-it nuk mund t'i injorojë e as t'i harrojë! A duhet të dekorohet! Këtu ka tri gjëra me rendësi: Së pari, kush është organi, organizata apo grupi i njerëzve, që kanë propozuar dekorimin e Mehmet Shehut dhe me ç'motivacion? Së dyti, pavarësisht faktit që ai u vetëvra më 1981, mbetet një hero i luftës antifashiste dhe, duke qenë kështu, të dekorosh Mehmet Shehun do të thotë të jesh në anën e saj! Se treti, ky pushtet i borgjezisë është kundër LANÇ-it, pra edhe kundër dekorimit të Mehmet Shehut! Po të ishte gjallë, jam i bindur se Mehmet Shehu nuk do të pranonte të dekorohej prej një presidenti ballist”, tha Xhafaj për Shqiptarja.com.

Muharrem Xhafa ka komentuar edhe vendimin e kreut të shtetit, i cili dekoroi 67 ballistë në Lushnje. “Unë e vlerësoj si një vendim në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë! Një akt i tutshëm i tij në prag të largimit nga detyra! Një dëshmi e qartë se po të mos kishte mbështetjen e plotë të PD-së, të ballistëve e të bashkëpunëtorëve të tjerë të nazifashizmit, pra po të mos kishte marrë urdhër prej këtyre, Nishani nuk do të merrte një vendim të tillë didkreditues për funksionin e personin e tij! Në këto rreshta unë nuk do të flas gjatë përse Nishani është kundër LANÇ-it e mbështetës i flaktë i ballistëve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të nazifashizmit, as nuk do të shtjelloj perse ai ka nostalgji për pushtuesit e huaj dhe ndjehet borxhli ndaj "llumit të socializmit", mbasi kjo kërkon analizë të plotë”, tha ai.
 
Sipas Xhafës, dekorimi i ballistëve është një akt besnikërie i Nishanit për ata që e vunë në atë karrige. “Por do të theksoj se, në prag të largimit të tij nga detyra e kreut të shtetit, Nishani nuk mund të mos u "falte", një herë tjetër më shumë, besnikërinë e tij atyre që e vunë në karrigen e presidentit! Ashtu si në një kor gjigant, Nishani është cilësuar këto ditë si presidenti i ballistëve dhe pëdëistëve! Disa i thonë se kjo që ke bërë është një çmenduri, të tjerë se ky frikacak është urdhëruar për dekorimin e 67 ballistëve nga ballistët e Amerikës, të tjerë shprehen me sarkazëm që t'i japë një dekoratë edhe Xhaferr Devës ose që e ka mbërthyer nostalgjia për pushtuesit nazifashistë! Madje shumë vetë thërrasin "ik se nuk të njohim për president"!”, tha Xhafa.
(er.nu/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Australi, program kundër izolimit social

Australi, program kundër izolimit social