Mulliqi: Shkeljet e tjera të Shimës
përveç monumentit të pavarësisë

Mulliqi: Shkeljet e tjera të Shimës <br />përveç monumentit të pavarësisë
Nuk është vetëm problemi i Ministrit të Kulturës, por është një shfaqje e mbrapshtë e një shtëpie të rrënuar", reagon skulptori i njohur Genc Mulliqi pas shpalljes së veprës fituese të Pavarësisë. Pasi pohon ashtu si shumica e skulptorëve të njohur, Arben Bajo, Sadik Spahia,Hektor Dule, Muntaz Dhrami, etj., se është absurde të aprovosh një monument pa ditur vendin se ku do të ngrihet, skulptori Mulliqi deklaron se: "Nuk mora pjesë për arsye se nuk na thanë vendin se ku do të vendosej ky monument". Por ai është shprehur edhe sesi përfundojnë këto konkurse që bëhen shpejt e shpejt dhe sesi sipas Mulliqit "çdo gjë mbyllet në një rreth aferash e shpërblimesh".

Ju jeni vlerësuar prej vitesh si një nga skulptorët më të njohur. Pse nuk morët pjesë në konkursin për monumentin e Pavarësisë?
-Nuk mora pjesë për arsye se nuk na thanë vendin se ku do të vendosej ky monument. Për një artist është absurde të krijojë një vepër që nuk e di se në cilën pjesë të qytetit ose në ç' marrëdhënie me të vendoset. Nuk mund të bësh një vepër në një vend që nuk dihet se ku, dhe mendoj se kjo është jo profesionale nëse i referohesh një vepre të rëndësishme. Por arsyeja e dytë pse nuk mora pjesë në këtë konkurs është edhe se mënyra e propozimit për pjesëmarrjen në këtë konkurs u bë tepër amatoreske. Kështu që s'mund të merrja pjesë.

Po a kishit dëshirë që të ishit pjesëmarrës?
-Kisha qejf të merrja pjesë, sepse është një vendim i rëndësishëm për artet vizuale, por mënyra sesi organizohet është joprofesionale, por është e dyshimtë edhe zgjidhja sido që do dalë.

Për sa i përket ngjashmërisë me veprën e Serrës, keni ndonjë kontestim?
-Unë nuk kam ndonjë gjë konkrete për fituesit. E shoh që boceti është me frymën e një modernizmi "ala Serra", por nuk mund të them me siguri që është kopje e saj. Faktikisht është me atë frymë. Artistët kanë jetuar në Gjermani ku Serra ka vepra, por ai ka vepra në gjithë botën. Punë të tij ke në Francë, në Zvicër në Gjermani. Është shumë i njohur. Nuk është puna se duhet të jesh patjetër në Gjermani ose Amerikë për ta kopjuar atë. Nëse çdo artist mund të imtojë, ose të frymëzohet nga vepra të tij, kjo nuk sjell shumë vlera, sepse edhe vetë Serra e kreu procesin e artistik, ai është autor i viteve '80. Në kohën e vet bëri tendencë. Tani nuk ka më kuptim të përsëritet qoftë edhe si koncept ose inspirim, është rrymë që i kaluar koha. Por edhe çështja tjetër është se kur bëhet fjalë për monumentin e pavarësisë nuk bëhet fjalë se na duhet një skulpturë si e Serrës. Serra ishte më shumë i shquar për skulpturat urbane. Pavarësia nuk mund të shndërrohet në një skulpturë parqesh urbane. Duhet të ketë datimin historik dhe idenë e qartë.

Ju mendoni se përfaqësimi me një vepër për pavarësie duhet të ishte më origjinal?
-Unë nuk mund të flas dot sesi është ajo si punë e konceptit, pa e ditur sesi dhe ku do të do të vendoset. Vendi përcakton një lidhje e varësi të madhe me konceptin. Për mua kjo është kryesore. Nuk duhet injoruar.

Por, vetë ministri i kulturës, zoti Aldo Bumçi dhe këshilltari i Kryeministrit, i njoftuan në ditën e shpalljes se gjetja më parë e vendit nuk ka rëndësi, siç kontestojnë artistët?
-Është fatkeqësi e madhe që Ministri i Kulturës të thotë e të mendoje një gjë të tillë. Unë ka dëgjuar fjalë shumë të mira për të, se është një njeri i kulturuar, por ja që s'merr vesh hiç nga këto punë. Kjo është e qartë pas asaj që ka thënë. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut. Kur bëhet fjalë për punët e kulturës këtu, nuk është vetëm problemi i ministrit të Kulturës por është një shfaqje e mbrapshtë e një shtëpie të rrënuar, sa nuk ka ku të vejë më. Hidhet ndonjë kockë ndonjëherë, bëhet ndonjë gjë e vogël, ashtu shpejt e shpejt sa për të thënë dhe çdo gjë mbyllet në një rreth aferash e shpërblimesh.

Boceti fitues është shpërblyer me 35 mijë euro sipas burimeve zyrtare.
-E Besoj dhe po më duket pak lirë, mund të ishte edhe më shtrenjtë, kur bëhet fjalë për një vepër të karakterit kombëtar, por këtu nuk bëhet fjalë se sa do të marrë një fitues, por në të gjitha detajet çdo hap i këtij konkursi është strukturuar keq. Dhe ky lloj strukturimi flet shumë për mënyrën si organizohet një aktivitet kulturor, si ngrihet një juri dhe si shpërndahen disa çmime...

Çfarë di ti nga përvoja jote edhe si një ish drejtor i galerisë së Arteve sesi përzgjidhen, përzgjedhin dhe organizojnë konkursin këto juri?
-Duke qenë se bëhet fjalë për një administratë e cila ka emër për mëkate korruptive, në rastin konkret, drejtori i Galerisë është i njohur si një person i korruptuar thjesht para disa vjetësh janë botuar faksimile të dhënies së parave gjoja disa emrave që ai ia jete vetes së vet.

Jeni i sigurt për këtë që thoni?
-Unë për këtë konkurs nuk di shumë fakte të reja, por është normale kur kemi të bëjmë me një drejtues të korruptuar, sigurisht që do të ngrihet një juri e korruptuar.

Domethënë ju dini fakte të vjetra korrupsioni?
-Po. Janë thënë edhe ne gazeta lajme për një seri aktesh korruptive të drejtorit aktual Shima në atë kohë që ka qenë drejtor dhe unë isha drejtori i tij. Unë i kapa vetë këto fakte. Kisha në dorë dokumentet dhe si drejtor kërkova shkarkimin e tij nga puna. Në atë kohë ishte ministër i kulturës Zoti Ylli Pango, i cili ju e dini mirë se sa i përlyer ishte vetë ai me akte korruptive. Dhe çfarë bëri ai thoni ju. Më shkarkoi mua si drejtor, dhe Rubensin në vend që ta pushonte e ngriti në detyrë dhe e bëri drejtor. Pra ju e dini cili ka qenë ministri Pango, ju e dini si i merrte në punë njerëzit. Merret mend se cilat kanë qenë motivet që ai bëri drejtor Rubens Shimën. Unë duke ditur që Pango ishte i Korruptuar, duke ditur që bëri drejtor një të korruptuar kemi të bëjmë me një trashëgimi lidhjesh korruptime dhe marrëdhënie pisanjozësh në kulturë.

Mendoni se mund të jetë përsëritur kjo histori?
-Unë në atë kohë kam pasur fakte. Ju i keni edhe nëpër gazeta. Sot nuk kam si i zbuloj, por atëherë mbeti një rast unikal që kur drejtori i një institucioni shkarkohet nga detyra, sepse kërkonte shkarkimin e nëndrejtorit te institucionit për akte korruptive dhe ndërkohë dhe mua më kaluan si vartës të tij. U detyrova të japë dorëheqjen. Duke e parë sesi ka punuar Shima, unë nuk kisha asnjë dyshim se ky konkurs do ët ishte një farsë e anës estetike të Problemit. Për mua nuk problem se duhet apo s'duhet monumenti, kjo është diçka që e dimë më mirë historianët akademikët. Unë si artistët do të ndërtoja me plot dëshirë një monument pavarësie, por mënyra si u bë konkursi dhe koha e shkurtër e tij kanë një arsye, sepse kur bëhen projektet emergjente mund të luhet shumë mirë me lëvrimin e fondeve, s'ka kohë për analiza dhe ekononomizim. Kjo gjë jo vetëm që humbet vlerën e projektit, siç po ndodh, por lë pas një faturë të dyshimtë financiare.

Sa vite mendoni se vijon kjo histori korrupsioni në juritë e konkurseve?
-Duke qenë se e njoh korrupsionin e drejtuesit Shima, ai ka një histori të gjatë korrupsioni, një histori të lëvrimit të fondeve siç ka bërë në Bienalen e Venecias në 2007-n, një sërë aktesh korruptime. Merret me mend që duke qenë një person i njohur publikisht si njeri korruptuar edhe këto situata do të kthehen në situatat korruptive

Me çfarë po merreni kohët e fundit në fushën e artit?
-Unë kam pasur dy ekspozita personale vitin e kaluar. Të dyja kanë qenë në skulpturë. Njëra ka qenë në Londër dhe tjera ka qenë në Itali. Jam duke parë për një hapësirë të re për një ekspozitë jashtë shtetit dhe në të njëjtën kohë jam duke punuar për të shkuar në Angli përsëri. Në të njëjtën kohë jam duke punuar për një seri punësh si kurator me artistë të rinj, për një ekspozitë të hapur në Galerinë e Vogël. Janë studentë që i përkushtohen vetëm skulpturës.

(dhh/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza