'Mund të nxisë zemërimin e Putinit', Turqia i shet drone Ukrainës, si po forcon industrinë turke të mbrojtjes Erdogan

'Mund të nxisë zemërimin e Putinit', Turqia i shet drone Ukrainës, si po forcon industrinë turke të mbrojtjes Erdogan

STAMBOLL – Vizita e Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Ukrainë të enjten thelloi bashkëpunimin e industrive të mbrojtjes të dy vendeve. Forcimi i marrëdhënieve është pritur me kritika nga Moska, ndërkohë që forcat ruse vazhdojnë të grumbullohen pranë kufirit ukrainas.

Pasi nënshkroi tetë marrëveshje me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy deklaroi se industritë e mbrojtjes dhe të aviacionit shërbyen si nxitja kryesore për këtë partneritet strategjik mes dy vendeve.

Gjatë vizitës së zotit Erdogan në Kiev, u shpreh angazhimi për të zgjeruar prodhimin e droneve turke në Ukrainë dhe për të ngritur një qendër trajnimi të pilotëve të dronëve dhe një fabrikë.

Moska ka kritikuar me forcë shitjen nga Ankaraja të droneve turke për Ukrainën, të cilat u përdorën në tetor kundër rebelëve të mbështetur nga Rusia në rajonin Donbas. Por Asli Aydintasbas, studiues me Këshillin Evropian, thotë se edhe Turqia fiton së tepërmi nga thellimi i marrëdhënies me Ukrainën.

“Turqia i shet drone Ukrainës. Kjo është e vërtetë, megjithë rrezikun se ndonjëherë mund të zemërojë Vladimir Putinin”, tha zoti Aydintasbas. “Por tashmë ajo përfiton edhe njohuri shumë domethënëse nga industria ukrainase e mbrojtjes, në veçanti për prodhimin e motorëve. Kjo është diçka që i mungon industrisë shumë ambicioze të mbrojtjes së Turqisë, ndërkohë që Ukraina ishte një bazë e rëndësishme prodhimi gjatë epokës sovjetike”.

Ukraina është ndër vendet kryesore në botë për prodhimin e motorëve ushtarakë që përdoren për dronët, avionët reaktivë dhe për raketat, një trashëgimi kjo e kohës kur Ukraina ishte pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik, thotë Petro Burkovskiy, studiues në Fondacionin për Iniciativat Demokratike në Kiev. Zoti Burkovskiy thotë se qasja tek kjo ekspertizë është vendosur në epiqendër të përplasjes mes fuqive ndërkombëtare.

“Kemi një fabrikë shumë të madhe, e cila gjatë epokës sovjetike dhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik, prodhonte motorë. Kinezët u përpoqën ta blinin këtë fabrikë dhe kontrata u pezullua nga Ukraina, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kundërshtuan pasi kjo do të rriste aftësitë ushtarake të Kinës”, thotë zoti Burkovskiy. “Po kjo fabrikë është pjesë kyçe e partneritetit Turqi-Ukrainë për të prodhuar drone dhe për të siguruar furnizimin me motorë për këto drone”.

Turqisë gjithashtu i nevojitet ekspertiza për të prodhuar avionët e saj luftarakë dhe dronët me motorë reaktivë. Një marrëveshje e rëndësishme Turqi-Pakistan për helikopterët ushtarakë dështoi rishtazi pasi Uashingtoni ka vendosur kufizime për përdorimin e motorëve amerikanë. Analisti i mbrojtjes Arda Mevlutoglu thotë se Ankaraja e shikon Ukrainën si një alternativë thelbësore përkundër furnitorëve perëndimorë të produkteve ushtarake.

“Turqia përpiqet të diversifikojë burimet e saj pasi tradicionalisht kompanitë prodhuese të mbrojtjes në Turqi kanë hasur në probleme për të siguruar teknologjinë dhe komponentët nga vendet perëndimore”, tha zoti Mevlutoglu. “Prandaj këta faktorë e bëjnë Ukrainën një alternativë shumë të rëndësishme, krahasuar me kompanitë prodhuese në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara”.

Thellimi i bashkëpunimit të Turqisë me industrinë ukrainase të mbrojtjes vazhdon të marrë kritika nga Rusia. Për momentin sidoqoftë, Ankaraja duket se është e gatshme të paguajë një çmim të tillë për të arritur qasjen tek ekspertiza ukrainase./VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet