Tajvani ka hapur urën më të gjatë ‘të varur’ në botë, 920 metra, e projektuar për t’i rezistuar tërmeteve me magnitudë 7 e më shumë.

Danjiang Bridge kalon përmes grykëderdhjes së lumit Tamsui River pranë Taipei dhe lidh Bali District me New Taipei City.

E projektuar nga Zaha Hadid Architects, hapësira kryesore e urës është 450 metra, rreth 30 metra më e gjatë se ura ruse Yugra Bridge, e cila mbante rekordin botëror që nga viti 2000.

Autoriteti i Autostradave të Tajvanit ka konfirmuar se ura është projektuar posaçërisht për kushtet sizmike të ishullit, për shkak të vendndodhjes së tij në kufirin e pllakave tektonike aktive.

Sensorë të avancuar janë instaluar në gjithë urën për të monitoruar në kohë reale forcat e erës, tensionin e kabllove dhe integritetin strukturor të urës. Nëse vlerat kalojnë kufijtë e sigurisë, sistemi njofton automatikisht qendrën e kontrollit për të vendosur kufizime trafiku.

Dizajni i saj me një shtyllë të vetme është zhvilluar për të maksimizuar performancën strukturore, duke ruajtur pamjen e perëndimit të diellit mbi grykëderdhjen e Tamsuit.

Shtyllat prej betoni ngrihen deri në 200 metra dhe është projektuar që të jetë sa më e hollë e mundshme, ndërsa mban hapësirën qendrore gjatë motit ekstrem dhe lëkundjeve sizmike.

Janë përfshirë edhe rrugë për këmbësorë dhe korsi biçikletash, si dhe parashikime për një zgjerim të ardhshëm të rrjetit hekurudhor të lehtë Danhai Light Rail përtej lumit.

Edhe pse struktura kryesore e urës u përfundua në tetor të vitit të kaluar, punëtorët kanë vazhduar me asfaltimin, instalimin e ndriçimit, barrierave zanore dhe infrastrukturës shtesë para hapjes për publikun.

Projektet për Danjiang Bridge u propozuan për herë të parë rreth 30 vite më parë, por u vonuan disa herë për shkak të vlerësimeve mjedisore, ridizajnimeve dhe dështimeve në tendera, derisa ndërtimi nisi më në fund në vitin 2019.