Një tërmet i fortë me magnitudë 5.9 ka goditur Japoninë në orët e para të së dielës, 23 gusht, duke lënë të paktën 37 persona të plagosur. Lëkundjet u regjistruan pranë Tokios dhe u ndjenë fuqishëm edhe në kryeqytetin japonez, ndërsa pas ngjarjes ambasadori shqiptar Ermal Muça u ka bërë apel bashkatdhetarëve që jetojnë apo ndodhen për vizitë në vend të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

"Në vazhdën e tërmetit të fortë të orëve të para të mëngjesit të datës 23 gusht, me epiqendër në Prefekturën Ibaraki dhe që përfshiu edhe gjithë zonën e Tokios, për të cilin fatmirësisht deri më tani nuk raportohen viktima apo dëme të mëdha, por vetëm të lënduar të cilëve ju urojmë shërim të shpejtë, si edhe të reshjeve të rrëmbyeshme të ditëve të fundit, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Japoni u rekomandon shtetasve shqiptarë rezidentë, si edhe atyre që vizitojnë, të ndjekin me vëmendje dhe të zbatojnë me përpikmëri njoftimet dhe udhëzimet e autoriteteve vendase" thuhet në apelin e shpërndarë më tej edhe  nga Ministria e Jashtme në rrjetin e saj social X. 

Epiqendra e tërmetit ishte në pjesën jugore të prefekturës Ibaraki, pranë Tokios, në një thellësi prej rreth 68 kilometrash. Autoritetet japoneze kanë bërë të ditur se nuk ka rrezik për cunami.

Sipas Agjencisë japoneze për Menaxhimin e Zjarreve dhe Fatkeqësive, të paktën 37 persona kanë mbetur të plagosur, një prej tyre rëndë. Vetëm në Tokio janë raportuar 15 të lënduar, ndërsa të tjerë në Saitama, Kanagaëa, Chiba dhe Ibaraki.

Lëkundjet shkaktuan gjithashtu dëme në të paktën një ndërtesë në Saitama, ndërsa në Tokio pati probleme të përkohshme me disa linja hekurudhore.

Tërmeti goditi rreth orës 02:00 të mëngjesit, kur pjesa më e madhe e banorëve flinin. Pak përpara mbërritjes së lëkundjeve më të forta, sistemi i paralajmërimit të hershëm të Japonisë aktivizoi alarmet në telefonat celularë në Tokio dhe zonat përreth, duke u dhënë banorëve disa sekonda kohë për t'u mbrojtur.

Sistemi i Agjencisë Meteorologjike të Japonisë mbështetet në një rrjet prej mijëra sensorësh sizmikë, të cilët kapin valët e para të një tërmeti dhe përllogarisin me shpejtësi se ku dhe sa fort pritet të godasin lëkundjet që pasojnë.

Paralajmërimi nuk funksionon si një SMS i zakonshëm që u dërgohet përdoruesve njëri pas tjetrit. Përmes teknologjisë “Cell Broadcast”, alarmi transmetohet njëkohësisht në telefonat e lidhur me antenat celulare në zonën që pritet të preket. Në këtë mënyrë, miliona njerëz mund të marrin sinjalin pothuajse në të njëjtën kohë.

Në rastin e tërmetit të së dielës, paralajmërimi u dha banorëve të disa zonave disa sekonda përpara mbërritjes së lëkundjeve më të fuqishme. Edhe pse bëhet fjalë vetëm për pak sekonda, ato mund të jenë vendimtare për t'u strehuar, ndërsa sistemi mundëson edhe frenimin automatik të trenave dhe ndalimin e pajisjeve të rrezikshme.

Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë, pasi nuk përjashtohet mundësia e një tjetër tërmeti me magnitudë të ngjashme.