Mundja dhe skitë stolia e sportit në 2024! Shqipëria siguroi medaljet e para Olimpike, Kombëtarja dinjitoze në Europian! Pritshmëria për 2025

Mundja dhe skitë stolia e sportit në 2024! Shqipëria siguroi medaljet e para Olimpike, Kombëtarja dinjitoze në Europian! Pritshmëria për 2025

Protagonistët e sportit shqiptar gjatë vitit 2024

Shqipëria e sportit në vitin 2024 ia doli të sigurojë disa arritje historike. Për herë të parë vendi ynë siguroi medalje në një Olimpiadë. Në Paris, mundja i dha kuqezinjve dy medaljet historike.

Edhe Lara Colturi në ski bëri që flamuri kuqezi të ngrihej mes majave të botës, aty ku 18-vjeçarja ia doli në një rast të renditej e dyta. Ndërkohë që Kombëtarja e futbollit për herë të dytë mori pjesë në fazën finale të një Evropiani, atë "Gjermani 2024".

Olimpiada 'Paris 2024' dhe mundja

Lojërat Olimpike të Parisit ishin speciale këtë vit për Shqipërinë. Mundësit Islam Dudaev dhe Chermen Valiev siguruan medaljet e para historike për vendin tonë në një Olimpiadë. Dy medalje bronzi nga mundësit që shkruan emrin me gërma të arta në historinë e sportit tonë.

Më 10 gusht Chermen Valiev fitoi medaljen e parë për Shqipërinë në historinë e Lojërave Olimpike, duke mposhtur me rezultatin 6-2 në finalen për medaljen e bronztë Viktor Rassadin nga Taxhikistani, në stilin e lirë në mundje në peshën deri në 74 kg.

Një medalje e dytë iu ofrua Shqipërisë nga mundësi Islam Dudaev i cili mundi numrin një të botës në peshën 65 kg, Iszmail Muszukajev.

Veç dy sportistëve që i dhuruan medalje vendit tonë, pjesë e këtij eventi ishin edhe gjashtë sportistë të tjerë që nuk mundën të siguronin medalje. Manjola Konini në qitje, Luiza Gega dhe Franko Burraj në atletikë, Grisi Koxhaku e Kaltra Meça në not, si edhe rusi i tretë i natyralizuar si shqiptar, mundësi Zelimkhan Abakarov.

Skitë dhe Lara Colturi

Sporti i skive është futur bindshëm në agjendën e "gjerdanit sportiv" në vend. 18-vjeçarja italo-shqiptare, Lara Colturi ka bërë paraqitje fantastike në Kupën e Botës. Me flamurin e Shqipërisë ajo u ngjit në podium si e dyta në garën e "Gyrgl" në Austri, ndërsa në etapat e tjera i ka dhënë pikë vendit tonë në Botërorin e Skive që do vijojë edhe në 2025.

Kombëtarja në "Gjermani 2024"

Kombëtarja shqiptare e futbollit për herë të dytë në histori mori pjesë në fazën finale të një Evropiani. Në "Gjermani 2024" tanët kishin në Grupin B rivalë si Spanja, Italia dhe Kroacia. Paçka paraqitjes së mirë të ekipit të drejtuar nga Sylvinho, vetëm një barazim 2-2 kundër Kroacisë mbetet në mendje, ashtu si goli i Nedim Bajramit kundër Italisë pas 23 sekondave, i cili është më i shpejti historik në një Europian.

Egnatia

Superliga e futbollit në Shqipëri për herë të parë u fitua nga Egnatia. Skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova nuk u ndal me kaq, por ia doli që në 2024 të shkëlqejë dhe të sigurojë "Tripletën" me fitimin e Kupës së Shqipërisë dhe Superkupën. Pas Skënderbeut në 2018, kjo është hera e dytë që një ekip në Shqipëri fiton të tre trofetë brenda një sezoni. Ndërkohë sa i takon futbollit shqiptar për klube në Evropë, 2024 ishte një vit për t'u harruar.

Peshëngritja dhe Ertjan Kofsha

19-vjeçari Ertjan Kofsha është emri që pritet me interes në vitet në vijim sa i takon sportit të peshëngritjes. Pasi një vit më parë u shpall kampion bote për peshat U-20, viti 2024 e pa djaloshin nga Cërriku nënkampion Evrope në turneun e zhvilluar në Poloni gjatë fundit të tetorit. Ndërkohë Kofsha e mbylli këtë vit me medalje ari në Kampionatin Aziatik të Dohas në Katar.

Briken Calja, Erkand Qerimaj dhe Kristi Ramadani

Briken Calja e mbylli vitin 2024 si i katërti në botë gjatë Botërorit të Peshëngritjes në Bahrein. Erkand Qerimaj nuk mundi të linte gjurmë në Botëror, ndërsa siguroi një medalje argjendi në Evropianin e zhvilluar në Bullgari gjatë shkurtit.

Kristi Ramadani

Veç Qerimajt, dy medalje argjendi në Europian siguroi edhe peshëngritësi Kristi Ramadani në peshën deri në 81 kilogramë. Peshëngritësi i siguroi dy medaljet e argjendta; një në stilin e shtytjes dhe një në dygarësh.

BOKS (Nelson Hysa, Alban Bermeta dhe Alban Beqiri)

Nelson Hysa - Vit me reklent kaciekord për boksierin nga Shkodra. Hysa ia doli të hidhte në tapet gjermanin Fuchs dhe të siguronte titullin kampion Europe në WBO për peshat e rënda. Korriku ishte muaj i mirë për Hysën, me boksierin që e pa veten të renditej në pozitën e 11-të në botë. Ai fitoi edhe në dhjetor në Londër dhe ka ftesa në turnetë e boksit në mbarë botën.

Boksieri nga Tirana, Alban Bermeta arriti të fitojë me knockout përballë kampionit të Bullgarisë Mario Verger. Pas 4 raundesh nga 8 që do të zhvilloheshin, Bermeta arriti të hedh me knockout kampionin e Bullgarisë në Your Hall Arena duke e çuar në 14 numrin e fitoreve me KO nga 18 ndeshjeve të fituara, ndërkohë që nuk ka asnjë humbje. Këtë vit ai ka pasur renditjen më të lartë, vendi i 15-të në botë për kategorinë e tij.

Alban Beqiri - Gjatë nëntorit Alban Beqiri u shpall sërish Kampion i Ballkanit. Boksieri shqiptar e dominoi ndeshjen me kundërshtarin e tij ukrainas, Matiakubov, në peshën 71kg, duke e mbyllur ndeshjen përpara kohe në raundin e dytë.

Bilardo - Eklent Kaçi u shpall nënkampion bote

Bilardisti shqiptar u shpall nënkampion bote në World Championship 2024 (disiplina 9 gurë),  zhvilluar në Jeddah në Arabi Saudite, në datat 3-8 qershor 2024.

Çfarë e pret sportin shqiptar në 2025?

Gjatë 2025 Kombëtarja e futbollit nis me sfidat kualifikuese për Kupën e Botës. Pjesë e Grupit K kualifikues në Kupën e Botës 2026, tanët kanë "peshkuar" Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën si kundërshtarë. Padyshim ndeshja Shqipëri-Serbi në 'Arenën Kombëtare' (Tiranë) më 7 qershor 2025 është në vëmendjen e tifozëve.

Giro d'Italia

Për herë të parë në histori vendi ynë do presë tre garat e para të nisjes në Xhiron e Italisë, një ndër tre më të famshmet në botë sa i takon çiklizmit. Nga 9-11 maji 2025 Durrësi, Tirana dhe Vlora do jenë epiqendra e çiklistëve më të mirë të botës, event që nuk do jetë thjesht sportiv pasi vendi ynë ka mundësinë e promovimit në 200 vende të botës ku transmetohet 'Giro d'Italia'.

Veç garave ekipore, të gjithë sportistët tanë do kenë mundësi të shënjojnë emrin në podime me garat që nuk mungojnë në të gjitha disiplinat.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Or tej: 31/12/2024 16:11

    Bravo "shqipove" te mundjes dhe skive or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Bobi: 31/12/2024 15:11

    Hahahhahaah po ca dinjitoze kombtarja ne europian me ato humbje dhe ate loj qe ka bo. Pervec perballjes me Kroacin, cunat ishin me i cu nai dhall dhe byrek se sishin per futboll

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Beteja ligjore mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe

Beteja ligjore mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe