Ngrohja në shkolla është problem pothuajse në të gjithë vendin e sidomos në këto ditë të ftohta dimri. Gazetarët e Report Tv në qytetin e Lezhës, Gjirokastrës dhe Elbasanit kanë kryer një vëzhgim në lidhje me këtë problematikë në shkolla.
Në gjimnazin "Hydajet Lezha" dhe në shkollën 9-vjeçare "Gjergj Kastrioti" në Lezhë, sistemet e ngrohjes janë jashtë funksioni. Në këto kushte nxënës e mësues kanë gjetur zgjidhje alternative për të siguruar sadopak ngrohjen, duke kontribuar vetë në blerjen e rezistencave apo kaloriferëve me korrent.
Por nuk mungojnë rastet kur ngrohja me korrent ka sjell incidente, për shkak të ngarkesës që krijohet në rrjetin elektrik. Bashkia Lezhë është në dijeni në problematikes dhe premton zgjidhje të shpejtë në dy shkollat ku aktualisht mungon ngrohja.
Në shkollat e qytetit të Gjirokastrës jashtë kamerave nxënësit thonë se ngrohja mungon, por ka dhe nga ata që shprehen se kanë ngrohje në klasa. Kjo ndodh në shkolla, ku nxënësit kanë blerë vetë rezistencat elektrike, ndonëse këto të fundit nuk arrijnë të kryejnë funksionin e tyre, pasi janë të pafuqishme të nxehin gjithë klasën.
Në shumë raste prindërit janë bërë donatorë për blerjen e rezistencave elektrike. Nga ana tjetër prindër apo të afërm të fëmijëve thonë se është përgjegjësi e autoriteteve vendore, për t’u siguruar ngrohjen në këto ditë të ftohta që mos të kenë probleme.
Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare "Halit Uruçi" në Belsh, Liljana Kullolli në një intervistë për Report Tv tha se kemi kaldajë, por nuk e ndezim sepse harxhon shumë naftë. Ajo pranon, se nxënësit në klasa ngrohen me rezistenca, që në disa raste i kanë blerë prindërit.
‘Shkolla ka dritare me dopio xham, sistemi i ngrohjes sigurohet me kaldajaë, kur ka temperatura të ulëta vëmë në punë kaldajat, ndërsa në ditët kur janë relativisht shumë të ftohta zgjidhjen e ngrohjes e kemi gjetur me rezistencat elektrike.’- tha Kullolli.