Armando Broja dhe Nedim Bajrami mbeten jashtë Kombëtares shqiptare për katër ndeshjet e para të Ligës së Kombeve. Trajneri Rolando Maran ka publikuar listën me 29 futbollistë, ku risitë janë mbrojtësi Samuele Sina, që luan te Union Brescia në Itali, dhe mesfushori Sabah Kerjota i Hearts në Skoci. Të dy marrin ftesën e parë me kuqezinjtë.
Maran shpjegoi se lënia jashtë e Brojës dhe Bajramit lidhet me gjendjen e tyre aktuale dhe se dera e Kombëtares mbetet e hapur.
“Sa i përket Brojës e Bajramit, vlerësova kushtet e përgjithshme, momentin, nuk është derë që mbyllet. Kam folur me ta, në këtë moment kam bërë zgjedhje të ndryshme, janë zgjedhje të diktuara nga momenti dhe kaq", vijoi Maran.
Në skuadër rikthehen pas dëmtimeve Rey Manaj, Ernest Muçi dhe Marash Kumbulla. Një tjetër rikthim është ai i portierit Etrit Berisha. Maran tha se në përzgjedhjen e tij ka ndikuar edhe dëmtimi i Thomas Strakoshës, por theksoi se Berisha do të ishte grumbulluar edhe nëse ky i fundit do të ishte i gatshëm.
“Unë e vlerësoj mes portierëve më të aftë të Shqipërisë, nëse do ishte Strakosha, do vinte gjithsesi. Do vinte gjithsesi e do zgjidhja kush është më mirë, kam shumë besim te potenciali i tij", tha Maran.
Kombëtarja nis grumbullimin të hënën, më 21 shtator, në “Shtëpinë e Futbollit”, ku do të përgatitet për përballjet me Bjellorusinë, Finlandën dhe dy takimet ndaj San Marinos.
Lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar
Portierë: Etrit Berisha, Alen Sherri, Mario Dajsinani dhe Simon Simoni.
Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Klisman Cake, Samuele Sina, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo, Elseid Hysaj dhe Ivan Balliu.
Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Luis Hasa, Adrion Pajaziti, Arbër Hoxha, Taulant Seferi, Anis Mehmeti, Ernest Muçi dhe Sabah Kerjota.
Sulmues: Rey Manaj, Mirlind Daku, Myrto Uzuni dhe Cristian Shpendi.









Komente
Komento