Mungon transparenca për Vllazninë
në buxhetin e 2015, bashkia ul fondin

Mungon transparenca për Vllazninë<br />në buxhetin e 2015, bashkia ul fondin
Akuzat ndaj klubit të futbollit Vllaznia dhe mungesa e transparencës vulosen me buxhetin e parashikuar për vitin 2015-të të Bashkisë Shkodër. Në këtë buxhet mungon totalisht transparenca për të gjitha paratë dhe fondet që janë dhënë nga Bashkia apo edhe që janë miratuar në muaj të ndryshëm nga Këshilli i Bashkisë. Në buxhetin e ri, në realizimet e buxhetit të vitit të kaluar, gjithçka është e paraqitur dhe madje për investime, shpenzime apo gjëra të këtij lloji janë edhe të detajuara. Vetëm për klubin e futbollit Vllaznia mungon totalisht transparenca. në materialin që pritet t'i paraqitet anëtarëve të këshillit bashkiak në mbledhjen që pritet të zhvillohet me 25 shkurt të këtij viti për miratimin e buxhetit nuk ka asgjë në lidhje me Vllazninë e futbollit. Nuk thuhet se nga buxheti i akorduar gjatë vitit të kaluar sa para janë harxhuar ashtu siç detajohet për investimet.

Nuk thuhet se sa para ka miratuar gjatë gjithë vitit për klubin e futbollit Vllaznia. Nuk thuhet se cila është shuma e gjobave të paguar ndaj futbollistëve që kanë luajtur vitet e kaluara me Vllazninë dhe që si shkak i mospagesave në kohë janë paguar vitin e kaluar. Në fakt çdo vit kur Bashkia ka menaxhuar e drejtuar Vllazninë në plan-buxhetin e vitit pasardhës është paraqitur se sa para janë dhënë dhe sa janë harxhuar dhe në çfarë periudhash janë miratuar e po ashtu në çfarë periudhash janë harxhuar. Se sa kanë shkuar për paga futbollistësh e sa për akademinë Vllaznia. Nëse vitet e kaluara janë paraqitur në buxhet, kësaj radhe jo. Kjo mënyrë të vepruari dashur pa dashur i jep të drejtë akuzave të panumërta për abuzime në adresë të klubit të futbollit Vllaznia për keqmenaxhim e mungesë transparecë. Kur nuk ka transparencë as në buxhetin e Bashkisë atëherë askush nuk ka çfarë të presë më shumë, aq më tepër të bërit transparencë për Vllazninë.
 
Buxheti 2015-ës, parashikohen 230 milionë lekë te vjetra për Vllazninë!
 
Për vitin 2015-të, për klubin e futbollit Vllaznia, Bashkia Shkodër ka parashikuar që të japë 23 milionë lekë. Janë 3 milionë lekë më shumë se sa vitin e kaluar që pritet të miratohen nga anëtarat e këshillit bashkiak. "Buxheti për llogari të KF Vllaznia sh.a për vitin 2015 në shumën 23 milionë lekë. Akordimi i kësaj shume do të trajtohet si zmadhim kapitali duke nënshkruar 23 mijë aksione me vlerë nominale prej 1 mijë lekë për aksion.

Nga kjo vlerë shumë prej 1 milion lekë do të ketë destinacion akademinë e futbollit Vllaznia . Lëvrimi i shumës prej 23 milionë lekë do të bëhet në dy periudha të ndara në mënyrë të barabartë, mars 2015 kësti i parë dhe qershor 2015 kësti i dytë"- thuhet në buxhetin e Bashkisë Shkodër për vitin 2015-të për Vllazninë. Vetëm ky paragraf ekziston për Vllazninë dhe asgjë më shumë. Në këtë mënyrë si fillim Vllaznia do të ketë 23 milionë lekë ndërkohë që ashtu siç ka ndodhur gjithmonë me vendime të këshillit bashkiak mund të miratohen të tjera fonde shtesë për Vllazninë.
 
Bordi i Vllaznisë kërkoi 45 milionë lekë!
 
Bordi i klubit të futbollit Vllaznia i përbërë prej 5 anëtarësh që njëkohësisht janë edhe anëtarë të këshillit bashkiak të Shkodrës për vitin 2015-të kanë kërkuar që për Vllazninë të miratohet 45 milionë lekë. Në fakt nga sa është përfolur më përpara nga bisedat mes kryetarit të Bashkisë Shkodër Lorenc Luka dhe vetë anëtarëve të bordit është pritur që për 2015-ën shuma për Vllazninë të jetë 40 milionë lekë. Bordi ka kërkuar 5 milionë më shumë, 45 të tilla por nga ana e saj Bashkia Shkodër ka surprizuar paksa këtë bord duke mos dhënë më shumë se 23 milionë lekë nga 40 që pritej apo nga 45 që janë kërkuar.

Ende nuk dihet se cila është arsyeja që Bashkia Shkodër ka ndërruar mendje në momentin e fundit sepse parimisht më përpara ishte gjetur akordi që Bashkia të propozonte për antëtarët e këshillit bashkiak të paktën 40 milionë lekë. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe tashmë edhe për 2015-ën Vllaznia do të ketë një vit tejet të vështirë ekonomik sepse me vetëm 23 milionë lekë të reja që pritet të miratohen është e vështirë për ta përballuar të gjithë sezonin e po ashtu edhe nisjen e sezonit tjetër sepse shumë prej 23 milionë lekë është për një vit kalendarik. Gjithsesi gjatë muajve në vazhdim patjetër që siç është vepruar gjithmonë do të gjehen mundësitë që për Vllazninë të miratohen të tjera fonde.   

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Tjetër atentat i dështuar ndaj Donald Trump? Policia kap një person të armatosur 1 km larg vendit të mitingut të ish-presidentit, në Kaliforni

SHBA/ Tjetër atentat i dështuar ndaj Donald Trump? Policia kap një person të armatosur 1 km larg vendit të mitingut të ish-presidentit, në Kaliforni