Në Gjykatën Kushtetuese janë shtyrë seancat plenare për ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe ish-drejtorin në Bashkinë Tiranë, Redi Molla.
Seancat në fjalë, të planifikuara për në datën 5 mars 2026, të kërkuara nga vetë Berberi dhe Molla, nuk u zhvilluan për shkak të mosformimit të plotë të trupit gjykues, pasi njëri prej anëtarëve të tij ndodhej në një udhëtim zyrtar jashtë shtetit.
Ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se seancat plenare mbi bazë dokumentesh do të zhvillohen në datën 26.03.2026, në orën 12:00 për Evis Berberin dhe në orën 13:00 për Redi Mollën.
Po ashtu mësohet se seancat do të zhvillohen mbi bazë dokumentesh, pa praninë e palëve, në përputhje me procedurat e parashikuara nga gjykata.
Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese më 25 tetor 2025 me një kërkesë për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të një vendimi të Gjykatës së Lartë, i cili la në fuqi masën e tij të “arrestit me burg” të vendosur nga Gjykata e Posaçme në mars të vitit 2024.
Me kërkesën në Gjykatën Kushtetuese, Berberi kundërshton gjithashtu ligjshmërinë e provave të sekuestruara, përfshirë edhe komunikimet në telefonat e tij, prej nga janë gjeneruar të dhëna për tre dosje të rëndësishme me dhjetra persona të akuzuar.
Ndërkohë Redi Molla dhe ish-drejtorët e tjerë të Bashkisë Tiranë, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha, u arrestuan në muajin mars të vitit 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”. Sipas SPAK, Qato dhe Molla janë pronarë de facto të kompanisë “5D”, e cila sipas hetimeve ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë. Ndërkohë në tetor Apeli i GJKKO-së zbuti masën e sigurisë për Mollën, duke e lënë atë në arrest shtëpie.
Komente












