Partia Demokratike mungoi në seancën plenare në të cilën Kuvendi shpalli Iranin si shtet sponsor të terrorizmit, me argumentin se rendi i ditës nuk ishte i miratuar zyrtarisht dhe u mjaftua me një deklaratë për mediat. Pasi miratimit të rezolutës, PD doli me një qëndrim politik duke thënë se e “shpallin Gardën Revolucionare organizatë terroriste”. Në deklaratën e PD nuk përmendet Hezbolluahu, organizatë për të cilën Kuvendi i kërkon po ashtu qeverisë që ta shpallë organizatë terroriste njëjtë si Gardën Revolucionare.

Në deklaratën e PD, të shpërndarë edhe nga Berisha thuhet se e cilësojnë Iranin “si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob.”

Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë

Partia Demokratike e Shqipërisë shpall Gardën Revolucionare të regjimit diktatorial të Teheranit si organizatë terroriste. Ajo e cilëson shtetin obskurantist të Ajatollahëve si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob.

Partia Demokratike e Shqipërisë dënon me forcën më të madhe sulmet e Teheranit ndaj vendeve të Gjirit Persik, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Kuvajtit, Bahrejnit dhe vendeve të tjera mike të Shqipërisë dhe ju shpreh ketyre vendeve solidaritetin e saj të plotë.

Partia Demokratike mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për përmbysjen e diktaturës mizore teokratike të Ajatollahëve dhe zëvendësimin e këtij regjimi me një qeveri të zgjedhur nga populli si një kontribut madhor për çlirimin e popullit iranian, si dhe për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.


Lajmi kryesor:

Shqipëria shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit, miratohet me 79 vota pro rezoluta e PS! PD bojkoton: Nuk ishte në rend dite