Muret mbajtës të pallatit 6-katësh,u zëvendësuan me vetrata xhami! Një ekspert i vdekur kolaudoi 'Mira-Maren'

DURRËS - Muret mbajtëse të katit të parë në pallatin 6 katësh në Durrës, i cili u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ishin hequr dhe ato ishin zëvendësuar me vetrata xhami. Ky është vetëm një nga shumë faktet tronditëse, që del nga dosja e prokurorisë së Durrësit, të cilën “Shqiptarja.com” dhe “Report Tv” e disponon të plotë. Një fakt tjetër akoma dhe më i rëndë evidentohet në rastin e legalizimit të hotel “Mira-Mare” në vitin 2018, ku një person i vdekur ka firmosur aktin-teknik, në një kohë që ai kishte ndërruar jetë 5 vite para se të kryhej legalizimi këtij objekti.

Në dokumentin prej 15 faqe, të hartuar nga tre prokurorët Edmond Kaloshi, Madrid Kullolli dhe Pali Deçolli, jepet një tablo e qartë mbi abuzimet në ndërtime dhe shkeljet që kanë kryer zyrtarët e ALUIZNI në Durrës, INUV-it dhe ndërtuesit e vetë këtyre objekteve. Në 12 muaj hetime, tre prokurorët kanë marrë në verifikim dosjet e 6 objekteve të shembura në qytetin e Durrësit, ku në total vdiqën 23 persona. Hetimet nxjerrin qartë se të gjitha objektet që janë shembur kanë pasur një strukturë mbajtëse të dobët, dhe ishin ndërtuar pa pasur lejen e nevojshme. Ka pasur raste, ku pas legalizimit të parë të objektit, ndërtimi me kate shtesë ka vijuar në lartësi, ku sërish me një vetëdeklarim të dytë, këto ndërtime janë legalizuar nga ana e ish-drejtorëve të ALUIZNI në Durrës Arben Isaku dhe Flamur Gjuzi.

Në dosjen e prokurorisë thuhet: ”…rezulton se pallati me nr.1032 ka qenë pallat 6 katësh i ndërtuar në vitin 1988-1989, i cili është shembur në dy katet e parë dhe ende e sot vazhdonte te qëndrojë si bllok nga kati i tretë dhe lart. Ky pallat ka komplet pjesën e shkallës të shembura. Në katin e parë ka qenë një lokal i ndërtuar vitet e fundit dhe që quhet “Baron’s bar” me pronar Artur Terziu. Në vitin 2014, Terziu ja ka blerë apartamentin e katit të parë të pallatit Naum Bregut dhe më pas ka ndërtuar dhe një ndërtim pa lejë prej 26 metra katror, duke e legalizuar më pas nga Flamur Gjuzi…”.

Duke analizuar të dhënat e mësipërme rezulton se objekti pallati është rrëzuar si pasojë e punimeve në katin e parë pasi dhe vetë Artur Terziu, gjatë dëshmisë së tij ka pranuar të ketë hequr muret kryesorë mbajtëse dhe i zëvendësuar ato me vetrata xhami. Hetimet kanë zbuluar se Terziu ka marrë leje për rregullimin e shtëpisë dhe njëkohësisht e ka kthyer ambientin e apartamentit në njësi shërbimi (lokal) duke shtuar si shtesë dhe  26m2 të ambienteve publike, të këtij pallati. Prokuroria thotë: “…ky arsyetim bazohet në faktin se pallati është shembur vertikalisht në dy katet e parë në të cilat është cenuar qëndrueshmëria si pasojë e heqjeve të mureve mbajtëse për rregullimin e këtij lokali, ku nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, janë shembur dy katet e para dhe pjesa e shkallëve, për pasoje ka sjellë vdekjen e Hatije Rexhepi dhe Xhulieta Gjana…”.

Midis personave që kanë përgjegjësi penale lidhur me veprimet dhe mos veprimet e kryera gjatë kryerjes së ndërtimit të lokalit “Barons” dhe legalizimit të ndërtimit të tij, sipas prokurorisë së Durrësit janë Klajdi Lame, në cilësinë e Inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, i cili nuk ka ndjekur dhe konstatuar punimet për ndërtimin e paligjshëm të kryera nga Artur Terziu. Një tjetër person është i arrestuari Albrend Qetka, specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, ka kryer veprime për të legalizuar këtë objekt si dhe ish-drejtori Flamur Gjuzi që ka legalizuar punimet. Mandej prokuroria e Durrësit, ve në dukje shkeljet e konstatuara në hotel “Mia-Mare” i ndërtuar nga Ruzhdi Xheka para vitit 2005 dhe për të cilin ishte plotësuar formulari i vetëdeklarimit në vitin 2005 dhe një formular tjetër në vitin 2006, i legalizuar në vitin 2018 nga i arrestuari Arben Isaku.

Nga shembja e këtij objekti si pasojë e lëkundjeve të tërmetit gjetën vdekjen Sotiraq Misha dhe Evjola Broshka. Tre prokurorët e Durrësit thonë se Rruzhdi Xheka, në cilësinë e aplikuesit për leje legalizimi dhe në cilësinë e pronarit të objektit rezulton se ka kryer ndërtimin e një objekti pa respektuar rregullat dhe normat ligjore në fushën e ndërtimit për sa i përket studimit, projektimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të objektit informal. Nga ana e ndërtuesit nuk është kryer asnjë lloj studimi gjeologjiko-sizmiologjik, nuk është kryer asnjë lloj projekti i konstruksionit dhe objektit 5 katësh, nuk është mbajtur asnjë libër masash mbi punimet e kryera dhe cilësinë e materialeve të ndërtimit të përdorur. Gjithashtu nuk ka të dhëna që zbatimi i punimeve të jetë kryer nga subjekti i licencuar si dhe nuk ka kryer asnjë lloj akti kolaudimi apo ekspertimi teknik lidhur me qëndrueshmërinë. Prokurorët shtojnë në dokumentin dërguar gjykatës se dhe akti-teknik i nevojshmë për legalizimin e objektit që lidhet me strukturën dhe qëndrueshmërinë është një akt-ekspertimi, i cili gjendet në fotokopje dhe i dyshuar tërësisht i falsifikuar. Kjo pasi megjithëse legalizimi është kryer në vitin 2018, personi që pretendohet se ka hartuar aktin ka ndërruar jetë më shumë se pesë vite, para legalizimit të objektit.

“…me dashje indirekte Rruzhdi Xheka, ka sjellë pasojën e ardhur pasi ai i ka parashikuar pasojat që mund të vijnë pasi po ndërtonte një objekt me 5 kate për banimin e njerëzve dhe pikërisht për Hotel, ndërkohë që me ndërgjegje e lejon ardhjen e pasojës, përderisa nuk ka marrë masa në respektimin e legjislacionit dhe rregullave të fushës së ndërtimit…”-thotë prokuroria. Thuajse e njëjta situatë, thotë prokuroria e Durrësit ka ndodhur dhe në rastin e hotel “Tropikal” në pronësi të biznesmenit Avdulla Osmani, ku humbën jetën dy vëllezërit Kosovarë Shemshedin dhe Isan Abazi. Ndërtimi i këtij hoteli është realizuar pa studim gjeologjiko-sizmik, pa projekt konstruksioni dhe objekti në tërësi, pa mbikëqyrje punimesh, pa zbatim te ndonjë projekti konkret te punimeve dhe me materiale ndërtimi të pa njohura lidhur me cilësinë e tyre, por për efekte të marrjes së lejes së ndërtimit dhe legalizimit, projekti është bërë mbas përfundimit të punimeve.

E gjithë procedura e legalizimit të këtij objekti  është fiktive, thotë prokuroria, pasi në dosje ndodhet një vërtetim, që tregon sikur ndërtimi është bërë në vitin 1994 ndërsa për efekt të legalizimit janë mbajtur akte në vitin 2005 dhe 2006. Biznesmeni Avdulla Osmani, ka bërë një akt-marrëveshje me  subjektin “ED-GEST” por ndërtimi i objektit nuk është ndërtuar nga ky subjekt, megjithëse pranohet para prokurorëve, nënshkrimi i marrëveshjen me investitorin, për të ndërtuar objektin.

Më tej prokuroria thotë se investitori Avdulla Osmani ka ndërtuar pa leje objektin, duke shfrytëzuar hapësirën ligjore, e ka legalizuar objektin dhe pas saj sërish ka kryer ndërtim shtesë, për të cilin ka aplikuar për leje legalizimi për një kat shtesë,i cili nuk është legalizuar ende. Falsifikim të dokumenteve dhe pa një projekt konkret janë kryer dhe për sa i përket objektit katër katesh “Vila Lala”, ku humbën jetën Amelia Lala, Emiljo Lala, Enisa Lala, Dionis Lala, Sahadete Lala, Ilir Lala, Griselda Lala dhe Marjeta Lala. Ndërtuesi i këtij objekti është personi i shpallur në kërkim nga prokuroria Rasim Shehu, i cili ka ndërtuar këtë objekt me porosi të familjes “Lala”, pa projekte të miratuara në lidhje me strukturën dhe qëndrueshmërinë e objektit.

Dhe pas kryerjes se procedurës se legalizimit te objektit dhe nevojës për regjistrimin e tij, nga ana e arkitektes Nevjana Isufi, aktualisht drejtuese ligjore e shoqerisë ”J&F Architectural Designer” SHPK, ka firmosur në emër të Vasil Gjoni, me detyrë inxhinier lidhur me plan rilevimin e banesës dhe plan-vendosjes së saj. E pyetur lidhur me këtë fakt ajo ka deklaruar se ka firmosur në emër të studios. Ndërkohë situata mjaft e rëndë paraqitet në objektin “Kavalishenca”,ku është ndërtuar me leje një pjesë e ndërtimit gjatë viteve 2007-2008, ku si pasojë e lëkundjeve të tërmetit është shembur dhe për pasojë ka gjetur vdekjen oficeri i policisë Bujar Hajdarmetaj. Pikërisht ky objekt i ri, pas tërmetit të 26 shtatorit 2019, është inspektuar nga katër inxhinierë duke konkluduar se aktualisht ambientet janë të pashfrytëzueshëm. Nga ana e ekspertëve i është sugjeruar drejtorit Ahmet Doda, si masë provizore për mos qëndrimin në këto ambiente.

Por pavarësisht këtij konstatimi thotë prokuroria dhe sugjerimi të dhënë nga ekspertët, nga ana e Kujtim Hasa, me detyrë shef shërbimi pranë shtëpisë së pushimit dhe drejtorit Ahmet Doda, është lejuar hyrja dhe qëndrimi në këto ambiente i personave të ndryshëm. Nga lejimi i strehimit në ambientet e shtëpisë së pushimit edhe për shkak të lëkundjeve të tërmetiti të datës 26 nëntor 2019 në objektin për të cilin nga ana e inxhiniereve dhe arkitekteve ishte rekomanduar mos përdorimi i tij, ka ardhur si pasojë vdekja e oficerit Bujar Hajdarmataj.

Hoteli Miramare

E.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 21/11/2020 01:25

    Keta mund, ose jo te denohen me forme te prere me burg,por familjet pavaresisht ketij gjyqi per krimin e kryer dhe rezultateve te tij,kane te drejte te hapin nje gjyq te dyte,civil te pavarur nga ky dhe te kerkojne demshperblim financiar ne miliona leke per humbjet e jeteve,ose plagosjen,gjymtimin te te afermeve te tyre dhe per gjendjen emocionale te tronditur ,si dhe per shpenzimet spitalore qe ju kane shkaktuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka

Dosja 'Sky ECC' në Greqi: Çfarë u zbulua për Aleksandër Sadikajn dhe si u transferuan në Spanjë 400 mijë euro nga Denis Grabocka