Deputeti Mylsim Murrizi tha se nuk është i bindur për të votuar në Kuvend aktin normativ Anti - KÇK, pasi e quan propagandë të qeverisë. Ai tha se është kundër që takimet mes prokurorit të Përgjithshëm, prokurorit të SPAK, SHISH e institucioneve të rëndësishme t'i drejtojë ministri i Brendshëm. Ai tha se me angazhimin e këtyre institucioneve në luftën e pasurive të dyshuara të ardhura nga bota e krimit, SPAK nuk do të ketë mundësinë të merret me të konsideruar peshqit e mëdhenj. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj iu përgjigj duke thënë se është një sistem i tërë i drejtësisë që merret me "peshqit e mëdhenj" dhe se OFL është e orientuar në parandalimin e krimit dhe goditjen e pasurive të tyre.
Myslim Murrizi: Është nismë e kryeministrit, jo e ministrit. Dhe e filloi me ndërtimet pa leje, se çfarë lidhje kanë ndërtimet pa leje nuk e mora vesh. E keni përdorur për propagandë, për të bërë diversitet në politikë, që ju jeni të mirët e doni të luftoni kriminelët, dhe ata që nuk e duan për arsye të ndryshme, janë të këqinj dhe kanë qejf të mbrojnë kriminelët. Kjo është propagandë siç keni bërë në 7 vite që në 2013-ën kur i premtuat shqiptarëve parajsën. Unë do të shtroja disa pyetje. Së pari, ky është një akt normativ që nuk e di çfarë emergjence kishit me drita ndezur! Na e sollët mbas 36 ditësh në limitet e asaj që thotë kushtetuta. 5 ditë kur kuvendi ishte i mbledhur duhet të kishte ardhur këtu. Nuk e di se çfarë ju shkrepi në kokë si rrufe në qiell të pastër, se krimi qenka ngritur në këmbë më 31 janar dhe ju i mësytë me kokë të lyer me bojë, me kokë çorape, me syze prada, nuk latë gjë pa nxjerr me idenë që ju të bëni namin. Çfarë nami të bëni ju? Pardje të vranë dy veta në Durrës, vriten përditë në mes të Lushnjes, Durrësit, Elbasanit, në bllok. Çfarë bën kjo OFL? E nisi me vrull ky ish-ministri para teje, e stonoi se i erdhi në derë të shtëpisë OFL-ja, u mek. A ishin me letra automjetet e blinduara, a kanë hyrë nëpërmjet pikave foganore, kush ia ka dhënë lejen për të mbajtur mjete të blinduara? A keni ju ndodnjë evidencë për përgjegjësit që i kanë lejuar këto mjete të blinduara? Vetë keni mjet të blinduar ju zoti ministër? Keni pajisur me mjet të blinduar lloj lloj halabaku në këtë vend se i keni përdorur për të marrë vota dhe për t'i bërë presion votuesit të vini në këtë karrige. Ky akt, fakti që kërkon shumicë të thjeshtë, bie në kundërshti me konventat ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat.
Si mundet me një të rënë të lapsit ju rreshton si ushtarë nën urdhrat tuaja prokurorin e përgjithshëm, të SPAK, drejtorin e shish, nuk po pyes për ministrat se këta i ke nën resht sa i ka i pari juaj. Si mundet që prokurori i përgjithshëm do të vijë në mbledhje do të marrë urdhra nga ti. Ky Kraja i SPAKUT të famshëm që ne presim të luftojë peshqit e mëdhenj ju doni ta ktheni tek cironkat kokëpalara. Ky ishte qëllimi që iu ngrit SPAKU? Peshqit e mëdhenj ku janë? këta të dosjes 184, 339, 185? Peshqit e mëdhenj i keni këtu, çdo gjë buron nga këtu, këtu jepen tenderat, këtu merret çdo gjë në telefon? Ndaj keni filluar të nxirrni ju fotot e njëri tjetrit, këtu ka qenë ai që i nxorët fotot, këtu mbrapa jush.
Nuk e shoh bindës që unë të jap votën, megjithëse nuk ke nevojë për provën e votës. Megjithëse Taulanti thotë që e ka me ligj opozitën por edhe atë provë do ta bëjmë shumë shpejt. Meqë Meta kërkon ta bëjë pa ligj, do të përpiqemi ta bëjmë ne këtu me ligj e të shohim sa nga këta që kanë ardhur ruajnë surratin e tyre dhe nuk janë në xhepin e mazhorancës, sa e kanë seriozisht mandatin që e kanë marrë për një kauzë më të madhe se një rrogë në muaj. e ta shohim sa mundësi ekonomike
Sandër Lleshaj:Lidhur me çështjen e peshqve të mëdhenj, jo gjithë gjallesat e detit janë peshq, madje më të mëdhenjtë fare janë gjitar. Ky ligj nuk trajton këtë çështje, çështjen e peshqve të mëdhenj, korrupsionin në radhët e jakave të bardhave, është një prokurori speciale, po ngrihet BKH, dhe është një gjykatë speciale. Një sistem i tërë i drejtësisë që merret me peshqit e mëdhenj.
Si mundet të ndodhet herezia që ministri të takohet me prokurorin e drejtuesit e rëndësishëm të institucioneve të sigurisë, dhe kjo ju duket herezi, herezi do ishte e kundërta, që ministri mos të takohej me këta titullarë që kanë në dorë sigurinë e këtij vendi. është krijuar kultura absurde e pavarësisë. unë të varur kam vetëm këto gjëra që kam në trup tek unë. Këtu bëhet fjalë për të krijuar institucione që të punojnë për çështje të përbashkëta që nuk mund të zgjidhen veten.
Çdo tryezë ka nevojë për një njeri që e moderon por nuk e bën në krye, e mbani kot si merak se nuk i kam unë në varësi, nëse doni përdoreni për politikë.
Nuk ka vrasje përditë, kemi numrin më të vogël të vrasjeve në historinë tonë, merrni shifrat tuaja paraqitini para shqiptarëve. jo i nderuar, vrasje në Shqipëri nuk ka përditë, dhe ka përherë e më pak vrasje. Nëse paskemi goditur ata njerëz që thoni se i kemi pasur afër, kjo është pozitive.
Lajmi kryesor: