Mustafa: Arritje e madhe, kërkesa e
Ramës për shqiptarët e Preshevës

Mustafa: Arritje e madhe, kërkesa e<br />Ramës për shqiptarët e Preshevës
PRESHEVE- Vizita e kryeministrit Rama në Luginën e Preshevës është përcjellë nga qindra shqiptarë të cilët kanë mbushur sheshin e qytetit të Preshevës për ta përshëndetur. Kreu i kësaj komune Ragmi Mustafa përcolli për “A1 Report”, emocionet e kësaj vizite, të cilën e ka quajtur një ngjarje të madhe dhe historike për të gjithë shqiptarët në Serbi. Duke u ndalur tek fjala e kryeministrit Rama në Beograd, Mustafa tha se ajo çka u përcoll aty ishte një realitet edhe sa i takon Kosovës, edhe sa i takon Luginës së Preshevës.
 
“Emocioni për takimin në Preshevë ka qenë jo vetëm i shqiptarëve të Preshevës, por edhe të shprehura nga delegacioni shqiptar bashkë me kryeministrin. Kryeministri Rama u dekorua me titullin qytetar nderi i Preshevës, me motivacionin për donacionin që ka dhënë për ndërtimin e maternitetit të Preshevës, për arsimin e të rinjve, e sidomos për faktin se është kryeministri i parë shqiptar që viziton Preshevën”, u shpreh kreu i Komunës së Preshevës.
 
Ndërkaq, Mustafa u ndal edhe tek çështjet për të cilat kryeministri Rama bisedoi me homologun Vuçiç sa i takon Luginës së Preshevës.
 
“Fjalimi i Ramës në Beograd një realitet. Kryeministri Rama na përfaqësoi denjësisht.
U bisedua me Vuçiç për kalimin nga Shqipëria në Serbi e anasjelltas me dokument identifikimi. Po kështu u bisedua edhe për studentët e ardhshëm. Kryeministri Rama ofroi pa limit kuota në të gjithë universitetet, duke pasur limit vetëm për Fakultetin e Mjekësisë. Në mënyrë që këta studentë që diplomohen në Shqipëri, t’u njihen automatikisht diplomat e tyre”, tha Mustafa.
 
Mustafa: Rama ia tha realitetin në sy Vuçiç për Kosovën e Preshevën
Mustafa tha se Serbia duhet të plotësojë edhe kërkesat e shqiptarëve të Preshevës në kuadër të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e saj në BE. Por duke u ndalur tek deklarate e djeshme në Beograd e dy kryeministrave, kreu i Komunës së Preshevës tha Rama ia tha në sy homologut Vuçiç realitetin për Kosovën dhe Preshevën.
 
“Pa asnjë dyshim që situata do të ndryshojë, pasi kryeministri Rama në beograd i tha në sy Vuçiç edhe për Kosovë, edhe për Preshevën, edhe për dronin në stadiumin e Beogradit. Të thenit të realitet ashtu siç është, vjen në drejtim të perspektivës europiane. Edhe Serbia kështu në kuadër të përmbushjes së kritereve për anëtarësim do të plotësojë edhe kërkesat e shqiptarëve të Preshevës”, tha Mustafa.
 
Rama: Mbështetjen që na dha Shqipëria, duhet ta ndjekë dhe Kosova
Duke u shprehur se kryeministri Rama hapi një rrugë të re për marrëdhëniet mes dy vendeve Shqipëri-Serbi, Mustafa shprehu vlerësime edhe për mbështetjen që qeveria shqiptare i dha Luginës së Preshevës. Nisur nga ky fakt, Mustafa tha se edhe Kosova duhet të ndjekë të njëjtën linjë, duke bërë që tema e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të jetë pjesë e rëndësishme e bisedimeve në dialogun Kosovë-Serbi.
 
“Nga qeveria shqiptare ka filluar një fazë mbështetje ndaj luginës së Preshevës, shpresojmë që kjo situatë të krijohet edhe me qeverinë e Kosovës. Kryeministri Rama hapi një rrugë të re, të cilët duhet ta lexojë, ta përcjellë e ta përshkruajë edhe qeveria e Kosovës. Duam që Presheva të jetë edhe temë kryesore e bisedimeve Kosovë-Beograd. Siç vepron Beogradi për serbët në Kosovë, të veprojë edhe Prishtina për shqiptarët në Serbi”, u shpreh Ragmi Mustafa.
 
Mustafa tha se përpjekjet për realizimin e një takimi të dy kryeministrave të Shqipërisë e Serbisë kanë qenë prej gati një viti.
 
“Tani për tani autoritetet serbe nuk po merren për mesazhet që janë nisur për Luginën e Preshevës. Autoritetet janë duke u marrë me kërkesën e Ramës për t’i çuar kryeministrit Vuçiç njohjen e Kosovës, pasi kjo do e afrojë më afër BE-së. Serbët përpiqen që pakicat shqiptare në Serbi e i trajtojë në koncepte të tjera. Duhet të njihen njëlloj të drejtat e shqiptarëve në Serbi, siç ata i kërkojnë për të drejtat e serbëve në veriun e Kosovës. Pavarësia e Kosovës është në proces i pakthyeshëm dhe këtë duhet ta pranojë njëherë e mirë edhe Serbia”, tha Mustafa.
 
Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Vdiq në robërinë ruse gazetarja ukrainase, Victoria Roshchyna

Vdiq në robërinë ruse gazetarja ukrainase, Victoria Roshchyna