PRISHTINË, 16 Shkurt /ATSH/.-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, zhvilloi të hënën një takim me shefin e kabinetit të presidentit të UEFA-së, zëvendëssekretar i përgjithshëm i UEFA-s si dhe kryetar i Asociacioneve Evropiane të Futbollit, Theodore Theodoridis. Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe drejtuesit më të lartë të FFK-së, kryeministri Mustafa, foli për rëndësinë që qeveria e Kosovës i kushton procesit të ndërkombëtarizimit të plotë të sportit, e në veçanti të futbollit kosovar. Mustafa theksoi angazhimet konkrete, në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës, përfshirë edhe ndërtimin dhe restaurimin e terreneve dhe fushave të futbollit, si dhe për hapat e tjerë të rëndësishëm që po ndërmerren për arritjen e anëtarësimit të futbollit të Kosovës në UEFA.
Kreu i qeverisë së Kosovës, Mustafa shprehu besimin se Kosova shumë shpejt do të jetë anëtare e UEFA-s, duke kërkuar përkrahjen e mëtutjeshme të Theodoridis dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të UEFA-s për Kosovën, në këtë rrugë. Nga ana e tij, Theodore Theodoridis, vlerësoi angazhimin dhe hapat konkretë të Kosovës për anëtarësimin në UEFA, duke shprehur përkrahjen tij në këtë drejtim./b.j/a.gjonaj/








