Mustafa: Interesi jetik i Kosovës, krijimi i urave të bashkëpunimit me komunitetet


PRISHTINË, 2 Shkurt /ATSH/.-Është interes jetik i Kosovës që të krijojë urat e bashkëpunimit me të gjitha komunitetet, shprehet kryeministri Kosovar Isa Mustafa. "Kemi kaluar 15 vite të pasluftës dhe shtatë vite nga shpallja e pavarësisë duke bërë përpjekje që të ushtrojmë pushtetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe të integrojmë të gjithë qytetarët në institucionet e vendit, ku veriu i vendit nxori shumë sfida", thotë ai.
Mustafa thekson fakin se, është hera e parë në këtë mandat të Kuvendit të Republikës së Kosovës të kemi deputetë nga veriu i vendit dhe anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. "Është interes jetik i Kosovës që të krijojmë ura bashkëpunimi me të gjitha komunitetet, për të përmbyllë mosmarrëveshjet, mosbesimin ndaj institucioneve dhe për t'u kthyer në zgjidhjen e problemeve p[r qytetarët tanë. Jam i vetëdijshëm se kjo nuk është punë e lehtë, ka moskuptime të cilat janë thelluar nga lufta dhe për një periudhë të gjatë të pasluftës, por ne duhet të jemi të vetëdijshëm që moskuptimet duhet ti kapërcejmë, jo përmes ndarjes por, përmes komunikimit. Është me interes të punojmë së bashku pozitë dhe opozitë dhe me minoritete për ta integruar vendin. Ky është interes që na bashkon, jo që na ndan", thekson Mustafa.
Ai shton se, zgjidhjet nuk mund t'i gjejmë përmes ultimatumeve dhe kushtëzimeve por me përkushtimin tonë që të ballafaqohemi me sfidat më të mëdha të këtij vendi. "Një ndër sfidat më të rëndësishme është të krijojmë ura bashkëpunimi me të gjitha komunitetet për të ushtruar sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për të bërë Forcat e Armatosura të Kosovës dhe për të përmbushë kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian", thotë Mustafa.
Ne, vijon ai, së bashku mund ta luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin, të zhvillojmë ekonominë dhe të hapim vende të punës, për çka nuk dyshoj se nuk kanë interes pozita dhe opozita, nuk kanë interes shumica dhe komunitetet joshumicë. "Nuk ka asnjë çështje e cila nuk mund të zgjidhet, por nevojitet mirëkuptim dhe përkushtim pozitiv i të gjithëve. Unë jam i përkushtuar të punoj me të gjithë dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës", ka shkruar Mustafa mbrëmë në 'facebook".
Deklarata e kryeministrit Mustafa u bë ndërkohë që opozita kosovare nis edhe muajin e dytë të 2015-tës me organizime protestash, të tretën në Prishtinë të mërkurën, pas organizimeve gjatë janarit edhe nëpër qytete tjera kosovare. "Kjo protestë do të jetë edhe paqësore edhe masive", ka paralajmëruar lideri i partisë më të madhe opozitare, Albin Kurti, i cili ka theksuar se "kërkesat mbesin të njëjta, shkarkimi i ministrit Jabllanoviç dhe mbrojtja e Trepçës përmes një ligji të veçantë".
Protestat, sipas opozitës, janë, "si reagim ndaj deklaratave të ministrit serb në qeverinë e Kosovës Aleksandar Jabllanoviç, i cili protestueset shqiptare në Gjakovë i ka quajtur 'egërsira'" dhe pas zhvillimeve rreth Trepçës, /b.j/a.gjonaj/ /a.g/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?