Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka ripërsëritur që deputetët e VLAN-it nuk kanë ndërmend të votojnë për kandidatin për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës.
Sipas Agjencisë KosovaPress, në një postim në Facebook, Mustafa shkruan se partia e Hashim Thaçit ka dy rrugë për zgjidhje, të tërhiqet nga një e drejtë që ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese si dhe kjo e fundit të sqaroje se si mund të zbatohet vendimi i saj.
"Lidhja Demokratike e Kosovës, si subjekt me 30 deputetë nga 63, sa ka Koalicioni pas zgjedhor, LDK, AAK, Nisma dhe marrëveshja e parimeve me Lëvizjen Vetëvendosje, si një organizim demokratik për ndryshime, qëndron fuqishëm pranë zotimeve për të drejtën e shumicën parlamentare për konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Hyrja e LDK-së në një koalicion të tillë do të përcillet me parimet mbi të cilat e kemi ndërtuar shtetin e Kosovës, para së gjithash me zhvillimin e demokracisë parlamentare, përfshirjen e komuniteteve joshumicë në qeverisje, partneritetin ndërkombëtar, sidomos me SHBA dhe vendet e Bashkimit Evropian, politikat e familjes së partive të qendrës së djathtë, EPP, dhe ndërtimi i raporteve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet, përfshirë edhe Serbinë", shkruan Mustafa.
Është me rëndësi të madhe, vijon Mustafa, përfshirja e komuniteteve joshumicë në qeverisjen e vendit, përfshirë Listën serbe si një moment të ri, jo vetëm si obligim kushtetues, por para së gjithash si nevojë e zhvillimit dhe e stabilitetit demokratik dhe ekonomik.
"Kjo është arsyeja pse ne do të punojmë në zhvillimin e një dialogu transparent dhe në zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu, si trashëgimi e përkrahjes së dialogut edhe në të kaluarën, sa ishim në opozitë, përkundër shumë vërejtjeve për mënyrën e zhvillimit të tij", shton Mustafa.
ATSH








