/ATSH-B.Jashari/.-"Lufta e popullit të Kosovës për liri e pavarësi u bë në mbrojtje të njerëzve të këtij vendi, të drejtës themelore për popujt për liri, barzi, pa dallim gjuhe, race apo etnie", tha sot kryeministri kosovar Isa Mustafa.

"Lufta e popullit të Kosovës u zhvillua këtu në tokën tonë, në pragjet tona, sepse ne asnjëherë përgjatë historisë sonë mijëvjeçare nuk e sulmuam as rrezikuam askënd, përkuandrazi, gjithmone ishim të detyruar të zhvillonim lufta mbrojtëse kundër agresioneve", theksoi ai.

Kryeministri Mustafa sapo mbajti fjalë rasti në akademinë përkujtimore në 18- vjetorin e rënies së heronjëve të Kosovës, komandantit Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarëve për liri, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha. "Ideali për të cilin dhanë jetën heronjët dhe dëshmorët e Kosovës u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008", tha  kryeministri kosovar.

"Zahiri, Edmondi, Hakifi dhe shumë bij e bija të këtij vendi u flijuan për Kosovën e lirë, paqësore dhe demokratike, të dijes dhe përparimit", u shpreh Mustafa.
Para 18 viteve, në 31 janar 1997, rrugës për realizimin e një misioni të veçantë, në fshatin Pestovë - në hyrje të  qytetit të Vushtrrisë, rrugës Prishtinë-Mitrovicë, ranë heroikisht në krye të detyrës Zahiri, Edmondi dhe Hakifi, tre nga drejtuesit e luftës çlirimtare të UÇK-së.