Mustafa në Bruksel: Qytetarët e Kosovës e meritojnë të lëvizin pa viza në BE


PRISHTINË, 19 Nëntor/ATSH/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Bruksel, u takua sot me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, komisionerin e BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos dhe eurodeputetin Elmar Brok.
Gjatë takimeve të kryeministrit Mustafa, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, temë qendrore ishte përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave dhe proceset e tjera integruese evropiane të Kosovës.
Njoftimi i kryeministrisë kosovare dërguar nga Brukseli thekson se, Mustafa i njoftoi për progresin në Kosovë, për përkushtimin e plotë të qeverisë në proceset integruese evropiane dhe për zhvillimin ekonomik e social të vendit.
Duke folur për angazhimin e qeverisë së Kosovës për avancimin e proceseve integruese evropiane pas nënshkrimit dhe ratifikimit në Kuvendin e Kosovës të MSA-së, kryeministri Mustafa theksoi rëndësinë që ka për Kosovën vendosja e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi nevojën e liberalizimit sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës, duke kërkuar përkrahje për Kosovën në këtë proces.
"Kosova i ka përmbushur kriteret e nevojshme dhe qytetarët e Kosovës, tashmë, kanë mbetur të vetmit në rajon që nuk kanë mundësi të lëvizin të lirë në vendet e BE-së. Ne jemi të bindur që qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm, pa viza, në vitin 2016", theksoi kryeministri Mustafa, duke kërkuar përkrahje për realizimin e kësaj të drejte për qytetarët e Kosovës.
Gjatë takimeve është biseduar edhe për çështjet e tjera aktuale në Kosovë./b.j//m.m/

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare aktori dhe producenti i njohur francez Alain Delon